Sjelljet shkatërruese në çift

Life style

Sjelljet shkatërruese në çift

Më: 27 qershor 2020 Në ora: 13:44
Ilustrim

Marrëdhënia në çift është një lidhje që duhet kultivuar ditë pas dite. Bashkëjetesa e përditshme i ekspozon partnerit ndaj konflikteve dhe mosdakordësive të ndryshme. Mungesa e dashurisë dhe e respektit reciprok në zgjidhjen e konflikteve të tilla, mund të çojë në sjellje shkatërruese, të tilla që mund ta zbehin marrëdhënien.

Doktor John Gottman është një nga pionerët në studimin e marrëdhënieve të dashurisë. Pasi studioi për vite çifte të ndryshme, ai nënvizon se ekzistojnë sjellje të caktuara shkatërruese, që paraprijnë dështimin e një marrëdhënieje. Nga ana tjetër, ka disa çifte që shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin dhe, edhe një herë, kanë të bëjnë me një sërë faktorësh parashikues të vazhdimësisë të marrëdhënies përgjatë kohës, si dhe të mirëqenies së tyre. Në çdo rast, faktorët që nuk duhet të mungojnë kurrë në një marrëdhënie të çfarëdolloj tipi janë: respekti, dashuria, besimi dhe komunikimi.

Nëse keni një marrëdhënie ku janë të pranishme faktorë të tillë, mund të jeni të sigurt: do të funksionojë, pavarësisht diskutimeve apo konflikteve që mund të lindin. Nëse, në të kundërt, vini re që mungon ndonjë nga këta elementë, është e rëndësishme të filloni të punoni, pikërisht për të evituar sjellje shkatërruese që mund të lindin në çift.

Sjelljet shkatërruese në marrëdhënien në çift

Ekzistojnë disa sjellje në marrëdhënie që paralajmërojnë dështimin. Më poshtë do të tregojmë ato që janë më të dukshme dhe që minojnë bazat e marrëdhënieve më të shëndetshme (respekti, dashuria, besimi dhe komunikimi).

Përbuzja | Të përbuzësh partnerin do të thotë ta vësh atë në një pozitë inferioriteti në lidhje me veten. Përfshin disa sjellje si: ta përbuzni, të shprehni kritike shkatërruese ose që nuk shërbejnë për asgjë, ose ta fyeni dhe të tregoni mungesë respekti. Pa dyshim, nëse partneri na përbuz ose e bën në mënyrë të vazhdueshme dhe të herë pas hershme, do të thotë se ai nuk ju dashuron. Në këtë rast, është e rëndësishme të reflektoni nëse është me të vërtetë e udhës që të vazhdoni marrëdhënien.

Injorimi | Është një nga sjelljet më shkatërruese që ekziston. Të injorosh partnerin në prani të një konflikti apo një diskutimi do të thotë që të harrosh që ky person (me të cilin jemi lidhur dhe që duhet ta dashurojmë) ndjen nevojën të komunikojë, të shprehet dhe që ju ta mbështesni. Personi i injoruar mund të ndihet tmerrësisht i përbuzur dhe në një kohë të gjatë, zakonisht shndërrohet në një njeri me vetëbesim të zeruar, duke besuar se nuk e meriton vëmendjen tuaj apo se ka bërë diçka të gabuar.

Anulimi i partnerit | Nëse jetoni në një marrëdhënie në çift ku partneri ju thotë se si duhet të jeni, se për çfarë gjërash duhet të interesoheni, se cilët miq duhet të takoni, do të thotë se ai po ju anulon si person.Të dashurosh një njeri do të thotë ta pranoni ashtu siç është, pa kushte. Është pikërisht për mënyrën e tij të të qenit që ju e keni zgjedhur në fillim. Ndaj kur pretendoni ta ndryshoni, nuk është dashuri e vërtetë.

Varësia | Edhe kjo sjellje është ekstremisht e konsiderueshme. Disa njerëz nuk janë në gjendje ta lënë partnerin, sepse ndjejnë se kanë nevojë për të. Preferojnë të durojnë kritikat, indiferencën, vetëm e vetëm që të mos qëndrojnë vetëm. Në të njëjtën kohë, partneri tjetër ndihet më i fortë, sepse e di se partneri varet prej tij. E kështu hyjmë në fushën e varësisë emotive, ekstremisht shkatërruese, e cila mund të sjellë pasoja shkatërrimtare për çiftin.

Mungesa e sforcove | Është e vërtetë se duhet të jemi gjithmonë të ndershëm me partnerin dhe të tregohemi ashtu siç jemi, por ndonjëherë është e nevojshme edhe të dorëzohemi. Për shembull, nëse partneri ju kërkon ta shoqëroni në një event, mund të bëni një sforco edhe pse nuk keni dëshirë. Njëkohësisht, është e nevojshme që edhe në raste të tjera, të jetë partneri tjetër që të bëjë të njëjtën gjë. Në këtë kuptim, do të tregoni me veprime se e doni partnerin dhe që ndonjëherë të sakrifikoheni nuk është ndonjë problem.

Çiftet që grinden…

Shpesh çiftet i durojnë për shumë kohë këto sjellje shkatërruese. Është shumë normale, ndonjëherë që të bëni gabime dhe është e shëndetshme të jeni fleksibël dhe tolerantë ndaj partnerit, të kuptoni që ai mund të ketë gabuar. Problemi lind kur të tilla sjellje janë të përsëritura dhe përcaktojnë marrëdhënien. Mendoni se si e imagjinoni veten me partnerin: dorë për dorë? Ndërkohë që putheni? Ndërkohë që grindeni? Ky imazh do të pasqyrojë kryesisht mendimet tuaja mbi partnerin.

Nëse jeni të vetëdijshëm, edhe sikur fare pak, për faktin që partneri është bërë helmues, duhet absolutisht të analizoni të mirat dhe të këqijat e marrëdhënies dhe të jeni të gatshëm të ndaheni prej tij. Shpesh është e vështirë t’i jepni fund një lidhjeje nga frika e vetmisë. Mendoni për vetminë në mënyrë katastrofike dhe jo objektive. Mendoni se do të jeni krejtësisht vetëm, por në të vërtetë jeni të rrethuar nga shumë njerëz.

Nga ana tjetër, ekzistojnë disa mendime që ju vetë-gënjejnë, duke ju penguar t’i jepni fund lidhjes. Një nga shprehjet më të zakonshme është “Jam e sigurt që nuk do të ndryshojë”. Një tjetër mendim tipik është: “Nëse i jap fund lidhjes, do të gjejë dikë me të cilin do të jetë më mirë”. Mundohuni t’i injoroni këto mendime. Në të vërtetë, janë rezultat i një frike të thellë nga braktisja ose vetmia, që edhe pse lindin për “t’ju mbrojtur” përfundojnë të prodhojnë efektin e kundërt.

Gjëja më e mençur që mund të bëni është të mos gënjeheni më, por të vëzhgoni faktet në mënyrë objektive, si spektatorë të lidhjes, dhe në fund të merrni një vendim të prerë. Me ta kaluar këtë etapë, më e vështira, duhet të jeni të gatshëm të kaloni nëpërmjet tunelit të dhimbjes së ndarjes, në mënyrë që të dilni më të rilindur dhe të gatshëm për të pranuar këtë fund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat