Si të përshtateni me ndryshimet në vendin e punës? - Bota Sot
Si të përshtateni me ndryshimet në vendin e punës?

Life style

Si të përshtateni me ndryshimet në vendin e punës?

Më: 4 gusht 2020 Në ora: 13:37
Foto ilustrim

Një prej aftësive që punëdhënësit vlerësojnë tek punonjësit e tyre është edhe përshtatja me ndryshimet. Shumë njerëz i rezistojnë ndryshimeve sepse e kanë të vështirë të largohen nga zona e rehatisë. Mirëpo, në një treg pune mjaft konkurrues, punonjësit duhet të jenë gati të përshtaten me ndryshimet e mundshme, në çdo kohë.

Stresi i një pune të re apo një roli të ri është i pashmangshëm. Në periudha të caktuara, secilit mund t’i ndodhë të lëvizë nga një departament në tjetrin, nga një grup në tjetrin apo edhe të ndërrojë kompaninë. Punonjësit nuk mund të qëndrojnë në të njëjtin rol për tërë jetën, kësisoj duhet të jeni të gatshëm që të përballeni me sfida apo situata të reja të cilat nuk i keni pasur më parë. Akademi Pune, ju sjellë disa këshilla për të menaxhuar më mirë ndryshimet në vendin e punës.

Mbani qëndrim pozitiv

Pavarësisht departamentit apo ekipit me të cilin punoni, gjithmonë duhet të tentoni të keni një qëndrim pozitiv. Kur duhet të ndërroni rol apo projekt në vendin e punës, mund të mendoni që situata e re në të cilën ndodheni nuk është e mirë por e njëjta gjë mund të ketë ndodhur edhe kur keni qenë në situatën paraprake.

Prandaj, më frytdhënëse është të mendoni se si aftësitë dhe përvojat e juaja mund t’i lidhni më së miri me rolin/pozitën në të cilën ndodheni. Një qasje apo qëndrim negativ me kolegët, punëdhënësit, menaxherin, nuk ju ndihmon asgjë në karrierë. Sjelljet e tilla mund t'ju çojnë drejt humbjes së vendit të punës. Ata mund të mos duan të punojnë më tutje me ju.

Definoni qëllimet e juaja

Caktimi i qëllimeve është i nevojshëm në çdo situatë, jo vetëm për vendin e punës apo karrierën. Edhe kur jeni në mes të një ndryshimi, është mirë ta përpiloni një plan për t'u zhvilluar profesionalisht. Vendosni vetes qëllime dhe punoni për t’i realizuar ato. Një gjë e tillë mund t’ju ndihmojë në produktivitet por edhe të zvogëlojë gjasat që të ndiheni të stresuar apo të pakënaqur me ndryshimin.

Pranoni që ndryshimi është i vazhdueshëm

Njerëzit ndërrojnë shumë punë gjatë gjithë jetës së tyre. Si rrjedhojë, kompanitë zëvendësojnë punëtorë, i lëvizin ata nga një grup në tjetrin, nga një rol në tjetrin, etj. Pavarësisht që për shumë njerëz mund të jenë të pakëndshme, ndryshimet ndodhin dhe janë të pashmangshme. E mira është se ndryshimet ju sfidojnë të punoni në projekte apo të keni role të cilat mund të mos i keni pasur më parë.

Mbani lidhje me kolegët

Ndërtimi i marrëdhënieve të mira me kolegët mund t'ju shërbejë shumë në të ardhmen. Sido që të zhvillohen rrethanat, cilido qoftë ndryshimi që do t’ju prekë juve, asnjëherë mos i shkëputni plotësisht lidhjet me njerëzit me të cilët keni punuar më parë. Janë pikërisht ata njerëz që në shumë rrethana mund të jenë shumë të dobishëm për ju.

Edhe nëse po punoni me grupin e njëjtë por në një rol tjetër, apo edhe nëse po e ndërroni komplet departamentin, kompaninë, mbani kontaktet. Asnjëherë nuk e dini, ndoshta në të ardhmen mund të keni mundësi të punoni përsëri me ta.

Mësoni aftësi të reja

Aftësitë e reja nuk duhet të mësohen vetëm në kohën e ndryshimit. Varësisht prej profesionit apo rolit të cilin keni, mësimi duhet të jetë i vazhdueshëm sepse vetëm kështu arrini të zhvilloheni profesionalisht në karrierë.

Kur përballeni me ndryshim në karrierë, investoni në zotërim të aftësive të cilat mund të jenë të nevojshme apo të kërkuara për rolin e ri që keni marrë. Bëni një listë me këto aftësi që dëshironi t’i përvetësoni dhe investoni kohë për t’i perfeksionuar ato, në mënyrë që të rrisni vlerën tuaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat