Këshilla për çdo ndërmarrës, udhëtoni sa më shumë

Life style

Këshilla për çdo ndërmarrës, udhëtoni sa më shumë

Më: 10 gusht 2020 Në ora: 00:52
Foto ilustrim

Gjashtë arsye se pse largimi nga zyra ndihmon biznesin tuaj.

Shumë prej nesh i mendojmë udhëtimet si një aktivitet i pavlerë, dhe përderisa nganjëherë mund të jetë ashtu, ka domethënie më të madhe. Ka shumë përfitime nga udhëtimet, veçanërisht nëse në mënyrë tipike mbyllni veten dhe ia dedikoni çdo moment biznesit tuaj.

Këtu janë disa arsye se pse dalja nga zyra mund të jetë një gjë e mirë për shëndetin dhe biznesin tuaj.

Udhëtimi është i shëndetshëm

Stresi, kur nuk trajtohet, mund të dërgojë në depresion dhe në probleme të zemrës. Udhëtimi, qoftë për biznes, për kënaqësi, ose për të dyjat, ju ndihmon të lironi stresin. Kjo sepse ju largon nga zyra dhe nga ambienti në të cilin punoni gjatë gjithë kohës, duke ju ofruar pushim shumë të nevojshëm dhe duke përmirësuar mirëqenien tuaj mendore dhe psikologjike.

Udhëtimi është inspirues

Inspirimi shpesh kërkon një konsumim të gjerë të gjërave, diçka e cila nuk është e mundur kur jeni të fokusuar në punë.

Kur lini ambientin e punës dhe udhëtoni, stimulimi që ambienti juaj i ri ofron shpesh mund të ju ndihmojë të fitoni njohuri të freskëta për botën rreth jush. Ngjarjet që ndiqni ose njerëzit që takoni ju inspirojnë të shihni botën nga një kënd i ri. Unë kam udhëtuar mjaftueshëm për të kuptuar se çdo shkëndijë e inspirimit, nëse drejtohet në mënyrë të duhur, biznesi juaj mund të përfitojë në ndonjë mënyrë.

Udhëtimi ju mëson aftësi komunikimi

Nuk ka të bëjë me atë që thoni, ka të bëjë me atë se si e thoni. Ne të gjithë e dimë këtë thënie, tonin e zërit, gjuhën e trupit, fytyrat që bëni dhe mënyra se si flisni të gjitha kontribuojnë në atë se çfarë kuptojnë njerëzit nga ju.

Të gjitha këto janë veçanërisht të vërteta kur jeni në një territor të huaj ku përballeni me ndryshime në gjuhë dhe në kulturë. Situata të këtilla ju detyrojnë të gjeni mënyra kreative për t’ia dalë mbanë. Si një ndërmarrës, mësimi i artit të komunikimit efikas jashtë vendit mund të ndihmojë raportin tuaj të përgjithshëm me punonjësit tuaj ( veçanërisht nëse ata janë nga kultura të ndryshme), me investitorët dhe me konsumatorët.

Udhëtimi me të tjerët ju bën të vlerësoni përvojat e të tjerëve

Disa nga ne preferojmë t’i bëjmë gjërat vetëm; mirëpo, udhëtimi në grup është një mënyrë për t’u siguruar se do të fitoni më shumë përvoja se sa që do të fitonit nëse do udhëtonit vetëm. Gjithashtu ju jep mundësinë të kaloni kohën aq të nevojshme me familjen.

Kur bëni gjithçka së bashku si një grup, të tjerët shërbejnë si sy shtesë. Ata shpesh do të shohin, do të dëgjojnë dhe do të bëjnë gjëra të cilat nuk i keni bërë dhe bashkëveprimet tuaja me ta do ju ofrojnë më shumë njohuri se sa do të ofronte përvoja juaj i vetëm.

Shkuarja me një grup gjithashtu do të thotë se ju nganjëherë duhet të mbështeteni në forcat e tyre dhe të hiqni dorë nga dëshirat tuaja për përmirësimin e grupit. Kjo do ju ndihmojë të lidheni si një ekip ose si një familje.

Udhëtimi mund të ju ndihmojë të krijoni lidhje domethënëse

Shoqëritë e reja dhe ortakëritë e bisnesit në vende të reja kanë domethënie më të mëdha se sa vetëm njohuritë. Gjithashtu do të thotë se ju nuk do të duhet të kërkoni hotele kur të vizitoni atë zonë herën e ardhshme.

Ju gjithashtu mund të përfitoni nga lidhjet e biznesit që bëni në këtë mënyrë kur dëshironi të zgjeroni biznesin tuaj. Lidhja juaj mund të ju ndihmojë të bëni të gjitha kërkimet e nevojshme dhe të vendoseni në një territor të ri.

Ju mund të fitoni më shumë kohë për të menduar

Si një ndërmarrës, ju shpesh jeni të detyruar të merrni vendime të momentit, t’u përgjigjeni menjëherë investitorëve potencialë dhe të bëni kërkime vazhdimisht. Kur ishte hera e fundit që keni pasur kohë të uleni dhe të mendoni?

Udhëtimi ju ofron kohën e nevojshme për të reflektuar dhe medituar. Gjeni diçka për të bërë që të largoni mendjen tuaj nga puna, pavarësisht se a qëndroni në majë të malit, peshkoni ose qëndroni në diell. Këto skenare mund të ndihmojnë mendjen tuaj që të vijë me ide të reja për të ndihmuar jetën tuaj personale dhe të biznesit. (Entrepreneur)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat