Të mendosh pozitivisht: Potenciali që na ndihmon t’i shohim gjërat me rezultate të dëshiruara

Life style

Të mendosh pozitivisht: Potenciali që na ndihmon t’i shohim gjërat me rezultate të dëshiruara

Më: 15 shtator 2020 Në ora: 11:32
Foto ilustrim

“Çdo ditë, në çdo moment të jetës, shoqëruar me ndodhitë e pritura e të papritura, jam gjithnjë e më mirë dhe në formë”. Kjo quhet të menduarit pozitiv. Neuroshkenca dhe teknika të ndryshme të zhvillimit personal kanë plotësuar idenë se, shpirti njerëzor ka fuqinë që “gotën që shihet hera-herës gjysmë e mbushur, ta mbushë plotësisht”.

Të menduarit pozitiv është baza e të gjitha teknikave të zhvillimit personal. Nuk është një metodë në vetvete, por një qëndrim që bazohet në principin sipas të cilit, çdo njeri duhet të zotërojë një potencial të pasur që duhet ta mësojë, ta përdorë dhe ta zhvillojë atë. Të dimë të mposhtim prirjen tonë për zhvlerësimin e vetes, të largojmë ankthin, pesimizmin dhe ta perceptojmë të ardhmen me besim, t’i shohim gjërat me një mënyrë kreative e me rezultate të dëshiruara.

Ekziston në botë një ligj i pashkruar, i cili na lejon që të arrijmë çdo gjë që ne dëshirojmë, “Ligji i tërheqjes”, dhe principi i saj është: Ne tërheqim në jetën tonë çdo gjë që ne mendojmë. Nëse mendojmë “negativisht”, universi do të na sjellë vetëm ters, nëse mendojmë “pozitivisht”, do të arrijmë të kemi çelësat e një makine të bukur, çelësin e një shtëpie ëndrrash….

Psikoanalistja Anne-Marie shprehet se mendimi pozitiv “nënkupton në mënyrë të thjeshtë se mënyra jonë e të menduarit mund të luajë një rol të rëndësishëm në jetën dhe shëndetin tonë”. Nuk bëhet fjalë që t’i “veshim” mendimit një fuqi për botën e jashtme, por ekzaktësisht për veten tonë. Kjo nënkupton që të kemi për individin një koncept holistik, sipas të cilit trupi dhe shpirti janë të pandarë nga njëri-tjetri. Kërkimet e ndryshme në psikologjinë pozitiviste kanë vërtetuar ndikimin e optimizmit në mirëqenien tonë psikologjike. Duke qenë se ditët e sotme vihet re një rritje e depresionit dhe e çrregullimeve të humorit, i është dhënë shumë rendësi vlerës së kësaj lëvizjeje pozitiviste për të kuptuar efektet e mendimeve tona në trurin dhe organizmin tonë.

Nuk është magji

Të mirat e “negatives”!

Edhe nëse mendimet negative e pushtojnë ekzistencën tonë, ato kanë gjithashtu një funksion të caktuar. Frika na mbron nga rreziqet. Të kemi ndjesinë e fajit na pengon të bëjmë gabime në të ardhmen. Ankthet, momentet tona të trishtimit na bëjnë të jemi më njerëzorë, më të ndjeshëm ndaj vuajtjes dhe dhimbjes së tjetrit. Për këtë, psikoanalistët mendojnë se vlera njerëzore e psikologjisë pozitive është aftësia për të mësuar që t’i duam dhe t’i pranojmë konfliktet si pjesë e ekzistencës sonë. Edhe pse kemi ide apo mendime të errëta… edhe pse mendojmë gjëra pesimiste, të cilat bëjnë të mundur që gjërat të ndodhin, ato nuk e influencojnë universin tonë. Ajo çka është e vërtetë, lidhet me aftësinë tonë për t’u përshtatur me sprovat e jetës.

Kujdes! Të mos ngatërrojmë të menduarit pozitiv me të menduarit magjik, që lidhet me një besim irracional, një iluzion i plotfuqishëm i trashëguar nga fëmijëria jonë. Nëse ti nuk arrin atë që dëshiron, do të thotë se ti nuk ke ditur të mendosh pozitivisht mjaftueshëm… Nëse ndihesh vetëm, do të thotë se ke refuzuar të kërkosh që “të tjerët” të të japin dashuri….

Të duash dhe të mundesh janë dy gjëra të ndryshme Të menduarit magjik, sipas Frojdit, është mënyra e të menduarit të të gjithë fëmijëve. Duke qenë se ata janë të paaftë për të bërë diferencën midis ëndrrës, reales dhe imagjinares, ata mendojnë se të duash dhe të mundesh është e njëjta gjë dhe që dëshirat e tyre janë të fuqishme, kësisoj edhe të realizueshme.

Si etapë e zhvillimit tonë psikik, të menduarit magjik jo domosdoshmërisht zhduket në moshën adulte. Të besosh se “mallkimet” apo “bekimet” ndikojnë ekzistencën tonë, kjo është mënyrë e të menduarit magjik… Fjalët kanë një impakt thuajse material, ato na prekin, na plagosin… Pesimizmi nuk është i rrezikshëm për shëndetin…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat