Gjyshërit nuk vdesin kurrë. Ata thjesht bëhen të padukshëm

Life style

Gjyshërit nuk vdesin kurrë. Ata thjesht bëhen të padukshëm

Nga: Ambra Hysa Më: 22 tetor 2020 Në ora: 11:03
Ilustrim

“Nuk ka vdekje, bijë. Njerëzit vdesin vetëm kur ne i harrojmë ata”, më shpjegoi shkurt ime më, para se të ikte. “Nëse më kujton, unë do të jem gjithmonë me ty” (Isabel Allende).

Kjo shprehje më vjen thellësisht e vërtetë në ditë si kjo e sotmja.

Njerëzit, vërtet vdesin vetëm kur ne i harrojmë ata. Është dashuria ajo që i mban gjallë, janë kujtimet që kanë lënë nën zemrat tona të thërrmuara, pikërisht ajo dashuri që na i shëron edhe plagët. Plagët që qepen me gjilpërën e kohës dhe shenjat që do të mbesin përgjithmonë aty.

Cila është trashëgimia më e madhe?

Zemrat që ke prekur.

Po pasuria më e madhe?

Dashuria dhe emocioni që ke përcjellë.

Virtyti më i pakopjueshëm?

Thjeshtësia që të afron me njerëzit.

Po kush janë ata engjëj me flokë të bardhë, shpinë të kërrusur dhe hapa të ngadaltë që lënë pas ndjesitë më të bukura dhe na mësojnë të parën të themi lamtumirë…?

Gjyshat, muzikantët e zemrës, që dirigjojnë veç tinguj parajse.

Gjyshërit nuk vdesin kurrë, ata thjesht bëhen të padukshëm dhe flenë përgjithmonë në thellësitë e zemrave tona.

Sot na mungojnë dhe do të jepnim  gjithçka për të dëgjuar përsëri tregimet e tyre dhe për të ndjerë përkëdhelitë e tyre, ato mendimet e mbushura me butësi dhe urtësi të pafundme.

Gjyshërit nuk vdesin, sepse ata janë të ngulitur në emocionet tona në një mënyrë më delikate dhe të thellë se sa thjesht gjenetike. Ata na  mësuan të përshtatemi pak më ngadalë me ritmin e tyre, të shijojmë një pasdite duke biseduar me ta, ti mësojmë pak teknologjinë, të zbulojmë se librat e mirë kanë një erë të veçantë  dhe se ekziston një gjuhë njerëzore që shkon shumë përtej fjalëve.

Është gjuha e një përqafimi, e një puthjeje të munguar gjatë kësaj kohe të vështirë, gjatë kësaj lufte që po na i rrëmben të shtrenjtët tanë…  gjuha e një buzëqeshjeje dhe e një shëtitjeje në mes të pasdites, duke ndarë së bashku heshtjen ndërsa shikojmë perëndimin e diellit.

Gjyshërit që lexojnë dhe gjatë leximit tregojnë edhe histori nga jeta e tyre e gjatë plot përvoja, gjyshërit që luajnë me ne dhe bëjnë shaka plot ëmbëlsi, që na mbrojnë nga qortimet e prindërve dhe përpiqen të fshijnë me gomën e shpirtit gabimet tona të vogla.

E gjithë kjo panoramë kujtimesh do të zgjasë përgjithmonë dhe pikërisht tek kjo ndodh  përjetësia e vërtetë e njerëzve.

Një trashëgimi emocionale e skalitur në shpirt, për të mos u fshirë asnjëherë, nga asnjë pluhur kohe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat