Një ditë e jetuar më shumë…

Life style

Një ditë e jetuar më shumë…

Nga: Anxhela Peza Më: 31 tetor 2020 Në ora: 11:35
Ilustrim

Në kolltukun përballë meje në zyrë, u ul një zonjë 37-vjeçare. Nëse e mbaj mend mirë ishte hera e 12-të që takoheshim. Kishte ardhur për 8 muaj radhazi, në herë të ndryshme për disa situata të jetës që ajo mendonte se duhen të ndaheshin me një psikolog për të marrë një mendim asnjanës e profesional. Filloi të citonte herët e para që kishte ardhur, e deri atëkohë se çfarë kishte funksionuar tek ajo. Të ndryshonte fare pak stilin e saj të jetuarit dhe monotoninë e përditshme kishte qenë rezultative tek ajo.

Nuk përqendrohej më në punët e shtëpisë kur kthehesh e lodhur nga puna e saj 10-orarëshe. Lekët që fitonte nga puna zgjodhi të mos ia dorëzojë më vjehrrës, me prekteksin se ajo i menaxhonte më mirë ato dhe i kursente për familjen. Kishte filluar të vishte fustane të cilat i ruante në dollap për një festë apo event të rëndësishëm. Bënte pushim dy herë në javë. Dhe, bisedonte më shumë me të birin. Tha se po e shijonte prindërimin, e nuk e kishte njohur këtë ndjenjë kaq të bukur.

E solla në vëmendje këtë, pasi shpesh dëgjojmë veten apo dhe të tjerë duke thënë “iku dhe kjo ditë” ose “e shtymë dhe sot”. Një nga burimet e palumturisë është të durosh e të presësh. Të durosh dhimbje se një ditë do fitosh, është kosto e madhe psikologjike. Të presësh kur koha fluturon, do të thotë që ti ke humbur nga vetja. “Trajtoje veten si një njeri që dashuron” është një shprehje të cilën e kam hasur kohët e fundit e më ka mbetur në mendje. Pasi ne jemi rritur në një kulturë e cila na ka edukuar për të sakrifikuar shumë për të tjerët. Mirëpo është përtej barrierave të egoizmit të duash veten.

Në jetë të jetosh një ditë më shumë do të thotë t’u japësh rëndësi dhe atyre gjërave të vogla që të bëjnë të ndihesh mirë. Të mos kursesh, të veshësh atë që të pëlqen duke mos pritur festat. Të bësh gjërat që do, dhe jo se duhet. Duken të vogla e të parëndësishme, por kur tenton t’i vësh në zbatim, ndryshojnë botën e brendshme të njeriut. Dhe psikologjia e tij është më optimiste. Energjia pozitive e shpie psikikën e njeriut të ketë mendime optimiste.

Ne tashmë jemi populli post tërmetit dhe për shumë kohë do të jemi nën efektin e traumës më shumë për ata që mbi të gjitha e përjetuan më nga afër këtë tragjedi për vendin tonë. Për shumë të tjerë, ky tërmet ndoshta na bëri t’i kthejmë sytë nga gjërat me vlerë në jetë. Të shikojmë njerëzit e shtrenjtë, t’i japim kuptim jetës e ta vlerësojmë atë. Të mos prishim zemrat, të dimë si të jetohet një ditë e jetës nën petkun e të bukurës. Jam e mendimit se njeriu në fillim të çdo gjëje, “jetën” e ka vetëm të tijën.

Nëse e kupton këtë në thelbin e kuptimit të vërtetë. Mendimet bëhen gjëra të realizuara. Sepse është mendja ajo që i jep formë gjithçkaje që perceptojmë. Një ditë e jetuar me më shumë pasion në lindjen e ditëve të tjera të ngjashme e të suksesshme. Pasi kur jep maksimumin në përjetimin e një dite, ditë më të shëndetshme do të vijnë. Çdo ditë që ne marrim frymë është një dhuratë e çmuar, e ne mund ta jetojmë atë sipas zgjedhjes sonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat