Shytat rrezikojnë meshkujt të bëhen infertil

Life style

Shytat rrezikojnë meshkujt të bëhen infertil

Nga: D.B. Më: 3 nëntor 2020 Në ora: 17:20
Foto Ilustrim

Kjo patologji është shumë problematike kur shfaqet në një moshë “të rritur” që përfshin moshën e pubertetit dhe mbi këtë moshë

Shytat (parotiti) është një infeksion akut human, shumë ngjitës, i cili lë imunitet të përhershëm, që karakterizohet nga prekja e gjëndrave të pështymës. Kjo sëmundje kalon lehtë në moshën e fëmijërisë, kurse tek të rriturit prek gjëndrat seksuale, meningjet (cipat e trurit) dhe pankreasin, duke shkaktuar kështu forma klinike të zgjatura, ndonjëherë edhe të rënda. Shkaktar i kësaj sëmundjeje është një virus që i takon grupit të paramiksoviruseve. Virusi gjendet në gjakun e të sëmurëve, në lëngun e palcës së kurrizit (lëngu cerebrospinal), në pështymë apo në inde të ndryshme të organizmit.

Më të rrezikuar për të shfaqur të tilla ndërlikime janë meshkujt pas moshës 12 vjeç dhe moshat e rritura. Në një intervistë mjeku androlog, Evin Dani, shpjegon se përse parotiti (shytat) ndikojnë në infertilitet:

Doktor, është e vërtetë se shytat mund të çojnë në infertilitet?

Po. Nëse bazohemi në statistikat botërore shihet se parotiti epidemik, pasi njihet shytat, në 12-16 % të rasteve çon në infertilitet dhe kjo sëmundje zë vendin e dytë si shkak për infertilitet. Shkak për këtë është orkiti (inflamacioni i testeve) që është bashkëshoqëruese e kësaj sëmundjeje.

Dua të theksoj se orkiti nga parotiti epidemik nuk është komplikacion, është bashkëshoqëruese e sëmundjes dhe ka afinitet nga vetë virusi. Në rastin kur shfaqet orkiti, përveç shenjave klinike të shytave (të sëmundjes bazë), shfaqet dhe ënjtje, skuqje, dhimbje në prekje e testeve, temperatura mund të rritet në shifra më të larta. Kjo gjendje mund të vijë disa ditë pasi është shfaqur sëmundja bazë. Prekja mund të jetë e njëanshme, por mund të jetë dhe më e rëndë (e dyanshme).

Të gjithë meshkujt mund të shfaqin një ndërlikim të tillë, nëse kalojnë shytat?

Për fat të mirë nuk i kap të gjithë. Gati 20-25% e meshkujve që kalojnë shytat mund të shfaqin orkit.

Kush rrezikon më tepër të shfaqë ndërlikime të tilla?

Kjo patologji është shumë problematike kur shfaqet në një moshë “të rritur” që përfshin moshën e pubertetit dhe mbi këtë moshë. Kjo pasi në këtë moshë, që përkon me ndryshimet hormonale, që shoqërohen me rritje të indit testikular që çon pikërisht në një ndërlikim që përbën orkitin. Ky i fundit sjell ndërlikime dhe prek tubat e prodhimit të spermatozoideve dëmtohen dhe sjellin probleme në riprodhim. Kjo bën që në një moshë më të rritur, kjo të bëhet problematike dhe të dëmtojë aftësinë fekonduese në kohë e riprodhimit. Por nëse e kap parotit nën moshën 12 vjeç nuk ka asnjëherë orkit, si bashkëshoqëruese në këtë rast fëmija e kalon pa problem, duhet që ta kalojë para kësaj moshe.

Si mund të arrihet që fëmija ta kalojë parotitin para moshës 12 vjeç?

Shpesh rekomandohet që nëse fëmija mashkull nuk i kalon shytat para moshës 12 vjeç, duhet “të vaksinohet” para kësaj moshe. Kjo do të thotë se nëse nuk e ka kaluar duhet të afrohet me persona që janë prekur nga shytat. Kjo bëhet për ta mbrojtur që ta kalojë lehtë dhe pa pasoja, pasi nëse e kalon në moshë të vogël, nuk shfaq ndërlikime.

Po në rast se shfaqet, çfarë rekomandohet për trajtim?

Rekomandohet që sëmundja të mos trajtohet me antibiotikë, sepse ky nuk arrin të trajtojë sëmundjet virusale. Nëse merren antibiotikë nuk bëhet gjë tjetër veçse zgjatet dekursi i sëmundjes dhe krijohen mundësi për shfaqjen e orkitit që sjell dhe ndërlikime të mëvonshme. Në rastin e parotitit rekomandohen anti-iflamatorë steroidë (kortizonikë) dhe vitaminoterapi në mënyrë që të qetësohen dhimbjet. Në rast se ndiqen kura e duhur trajtimi shkon mirë dhe i sëmuri shpëton pa shfaqur probleme dhe mund të shërohen plotësisht.

Mjekimi

Për shytat nuk është se ka ndonjë mjekim specifik, ai është më tepër simptomatik. Rëndësi kanë barnat për uljen e temperaturës. Gjatë kohës së temperaturës këshillohet regjim shtrati si dhe dietë e lëngët, meqë përtypja vështirësohet. Për sa i përket orkitit, në kundërshtim me opinionin popullor, veprimtaria fizike nuk luan rol në zhvillimin e tij apo të ndërlikimeve të tjera. Por në këtë rast mjekimi është specifik dhe i takon mjekut specialist.

Parandalimi

Sëmundja kalohet lë imunitet të përhershëm, pra kalohet vetëm një herë në jetë. Në protokollin e vaksinave që bëhen në moshën e fëmijërisë sot është edhe vaksina e parotitit, e cila tolerohet mire, lë imunitet të qëndrueshëm, të afërt me atë të vetë sëmundjes. Si dhe për gjithë vaksinat e tjera, kanë kundërindikacion ata persona që kanë reaksion nga veza, të sëmurët që marrin kortizonikë, ata që trajtohen me rrezatim dhe kimioterapi si edhe gratë shtatzëna.

12-16 % të rasteve të shytave te meshkujt çon në infertilitet dhe kjo sëmundje zë vendin e dytë si shkak për infertilitet

20-25% e meshkujve që kalojnë shytat mund të shfaqin orkit (inflamacioni i testeve) ndaj mjekët theksojnë se nuk duhet të neglizhohet

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat