Katër gjëra që duhet të dish për divorcin

Life style

Katër gjëra që duhet të dish për divorcin

Më: 8 nëntor 2020 Në ora: 22:50
Ilustrim

Pasi kanë bërë vlerësimin e dëmit, të zotët e shtëpisë duhet të zgjedhin: ta shembin shtëpinë apo ta shpëtojnë.

A ËSHTË martesa jote në këtë pikë kritike? Mbase bashkëshorti e ka tradhtuar besimin tënd ose konfliktet e vazhdueshme ia kanë shterur gëzimin lidhjes suaj. Nëse është kështu, mbase thua me vete «s’duhemi më» ose «nuk jemi bërë për njëri-tjetrin» ose «s’e dinim ç’po bënim kur u martuam». Madje mund të mendosh se «ndoshta duhet të divorcohemi».

Para se të marrësh një vendim të nxituar për t’i dhënë fund martesës, mendohu. Divorci nuk është gjithnjë ilaçi për ankthet e jetës. Përkundrazi, shpesh ai vetëm sa mbyll disa probleme e hap të tjera. Në librin e tij Si të rritësh adoleshentë të mbarë? (anglisht), Brad Saksi, doktor i filozofisë, paralajmëron: «Çiftet që kërkojnë të ndahen, fantazojnë për divorcin ideal: konfliktet e zymta e të stuhishme papritur mbarojnë një herë e mirë dhe ia lënë vendin flladit lehtësues të qetësisë dhe kënaqësisë shpirtërore. Por kjo mbetet përjetësisht po aq e paarritshme sa dhe martesa ideale.» Pra, është e rëndësishme të jesh i mirinformuar dhe ta shohësh divorcin me sy realist.

Bibla dhe divorci

Bibla nuk e merr lehtë divorcin. Aty thuhet se Perëndia Jehova e sheh si pabesi dhe e urren braktisjen e bashkëshortit si pa të keq, mbase me synimin për të marrë dikë tjetër më të ri. (Malakia 2:13-16) Martesa është një lidhje e përhershme. (Mateu 19:6) Shumë martesa që janë prishur për çikërrima mund të kishin shpëtuar nëse bashkëshortët do të falnin më shumë.​—Mateu 18:21, 22.

Nga ana tjetër, Bibla e lejon divorcin dhe rimartesën për një arsye të vetme: marrëdhëniet seksuale jashtë martesës. (Mateu 19:9) Prandaj, në rast se merr vesh që bashkëshorti të ka tradhtuar, ke të drejtë t’i japësh fund martesës. Të tjerët nuk duhet të të imponojnë pikëpamjet e tyre dhe qëllimi i këtij artikulli nuk është të të thotë ç’duhet të bësh. Në fund je ti që do të jetosh me pasojat, prandaj vetëm ti duhet të vendosësh.​—Galatasve 6:5.

Megjithatë, Bibla thotë: «Kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij.» (Proverbat 14:15) Prandaj, edhe sikur të kesh arsye biblike për divorc, do të ishte mirë të mendoje seriozisht për pasojat e këtij hapi. (1 Korintasve 6:12) «Mbase disa mendojnë se duhet të  vendosin pa humbur kohë,—thotë Davidi nga Britania.—Por ngaqë e kam provuar vetë divorcin, them nga përvoja se duhet kohë për t’i peshuar mirë gjërat.» *

Le të shqyrtojmë katër çështje të rëndësishme që duhen menduar mirë. Ndërkohë, të lutemi të vëresh se asnjëri nga individët e divorcuar që janë cituar këtu, nuk thotë se mori vendimin e gabuar. Gjithsesi, komentet e tyre nxjerrin në pah disa nga vështirësitë që shpesh lindin pasi martesa ka muaj, madje vite që ka mbaruar.

1 Problemi i parave

Daniela nga Italia kishte 12 vjet e martuar kur zbuloi se i shoqi kishte lidhje me një kolege. Daniela thotë: «Kur e mora vesh, ajo ishte gjashtë muajshe shtatzënë.»

Pas një periudhe ndarjeje, Daniela vendosi të divorcohej. «U mundova ta shpëtoj martesën,—thotë ajo,—por im shoq vazhdonte të më tradhtonte.» Daniela mendon se mori vendimin e duhur. Gjithsesi, tregon: «Me t’u ndarë, gjendja ime ekonomike ndryshoi si mos më keq. Nganjëherë nuk kisha as ç’të haja për darkë. Pija vetëm një gotë qumësht.»

Maria nga Spanja vuajti një rënie të tillë. «Ish-bashkëshorti im nuk na ndihmon fare ekonomikisht,—thotë ajo,—dhe duhet të rropatem për të shlyer borxhet që kishte ai. M’u desh edhe të transferohesha nga një shtëpi e rehatshme te një shtëpi e vogël në një lagje të rrezikshme.»

Siç tregojnë këto përvoja, prishja e martesës shpesh i rrënon ekonomikisht gratë. Nga një studim shtatëvjeçar në Evropë u pa se, pas divorcit, të ardhurat e burrave u rritën 11 për qind, kurse të grave u zvogëluan 17 për qind. Mik Janseni, i cili drejtoi studimin, tha: «Për disa gra është e vështirë sepse duhet të kujdesen për fëmijët, të gjejnë një punë dhe të përballojnë tronditjen emocionale të divorcit.» Gazeta londineze Daily Telegraph vërente se, sipas disa avokatëve, faktorë të tillë «i detyrojnë njerëzit të mendohen dy herë para se të ndahen».

Ja ç’mund të ndodhë: Po të divorcohesh, të ardhurat mund të të pakësohen. Mbase do të detyrohesh edhe të ndërrosh shtëpi. Po të të japin kujdestarinë e fëmijëve, mund ta kesh të vështirë të mbash veten ekonomikisht dhe të kujdesesh siç duhet për nevojat e fëmijëve.​—1 Timoteut 5:8.

‘E DREJTË THEMELORE E ÇDO FËMIJE’

«Kur isha pesë vjeçe, babai pati një lidhje të shkurtër me sekretaren dhe prindërit u divorcuan. Sa për kujdesin që tregonin ndaj meje, gjithçka e bënin ‘mirë’, me aq sa dinin në atë kohë. Më siguronin se, ndonëse nuk e donin më njëri-tjetrin, prapëseprapë mua më donin. Edhe kur babai shkoi të jetonte vetëm në anën tjetër të qytetit, që të dy vazhduan të kujdeseshin për nevojat e mia materiale.

Pas dy vjetësh, nëna u martua dhe u transferuam në një shtet tjetër. Pastaj babanë e shihja vetëm një herë në disa vjet. E kam takuar vetëm një herë në nëntë vitet e kaluara. Nuk më pa të rritesha, sepse shumicën e kohës ishte larg dhe nuk i njeh tre fëmijët e mi, nipërit e tij, përveçse nëpërmjet fotografive dhe gjërave që i kam shkruar në letra. Ata e kanë ndier mungesën e gjyshit, të cilin nuk e kanë njohur.

Si fëmijë me prindër të divorcuar, u rrita pa vraga të dukshme. Por përbrenda luftoja me ndjenja të tmerrshme zemërimi, trishtimi dhe pasigurie, pa ditur pse. S’kisha pikë besimi te njerëzit. Kjo vazhdoi deri te të 30-at, kur një mike e pjekur më ndihmoi të kuptoja rrënjët e natyrës sime agresive. Kështu u përpoqa të ndryshoja.

Divorci i prindërve më hoqi të drejtën themelore të çdo fëmije: ndjenjën se je i sigurt dhe i mbrojtur. Bota është një vend i ftohtë dhe i frikshëm, por sipas meje, familja është një mur mbrojtës, ku fëmija ndien se për të kujdesen dhe ka qetësi. Po të prishet familja, muri mbrojtës bëhet copë e thërrime.»​—Dajana.

 2 Përgjegjësia si prind

«Tradhtia e tim shoqi më ra si bombë,—thotë Xhejni nga Britania.—Veç kësaj më shkatërronte mendimi se zgjodhi të na braktiste.» Xhejni e divorcoi të shoqin. Ndonëse mendon se mori vendimin e duhur, ajo pohon: «Një nga vështirësitë që hasa, ishte se duhej të isha edhe nënë, edhe baba. Duhej t’i merrja vetë të gjitha vendimet.»

Po njësoj ndodhi edhe me Grasielën nga Spanja. «M’u dha kujdestaria e plotë për tim bir 16-vjeçar,—thotë ajo.—Por adoleshenca është periudhë e vështirë dhe nuk isha e përgatitur ta rritja vetëm djalin. Kam qarë me dënesë për ditë e net. Më dukej vetja një hiç si nënë.»

Ata që e kanë të përbashkët kujdestarinë e fëmijëve mund të përballen edhe me një problem tjetër: u duhet të bien në ujdi me ish-bashkëshortin për çështje të tilla delikate, si: takimet me fëmijën, ndihma financiare për fëmijën dhe disiplina. Kristina, nënë e divorcuar nga Shtetet e Bashkuara, thotë: «Nuk është kollaj të krijosh marrëdhënie të mira me ish-bashkëshortin. Përfshihen kaq shumë ndjenja dhe, po të mos kesh kujdes, mund ta përdorësh fëmijën si mjet për t’i vërtitur gjërat siç do vetë.»

Ja ç’mund të ndodhë: Vendimet që merr gjykata për kujdestarinë mund të mos të pëlqejnë. Në rastin e kujdestarisë së përbashkët, ndoshta ish-bashkëshorti nuk është aq i arsyeshëm sa ç’do të doje për çështjet e përmendura më sipër, si takimet me fëmijën, ndihma financiare etj.

3 Ndikimi i divorcit te ti

Markun nga Britania, gruaja e kishte tradhtuar më shumë se një herë. Ai thotë: «Herën e dytë s’e përballoja dot mendimin që mund të ndodhte prapë.» Marku u divorcua nga e shoqja, por kuptoi se ende ndiente për të. «Kur njerëzit flasin keq për gruan time, mendojnë se më ndihmojnë, por  s’është ashtu,—thotë ai.—Ndjenjat nuk shuhen kollaj.»

Edhe Davidi, i përmendur më lart, u dërrmua kur zbuloi se e shoqja kishte lidhje me një tjetër. «S’e besoja dot,—thotë ai.—Doja me gjithë shpirt ta kaloja çdo ditë të jetës sime me të dhe me fëmijët.» Davidi u divorcua, por ndarja e ka bërë të pasigurt për të ardhmen. «Pyes veten nëse dikush mund të më dojë vërtet apo do të më ndodhë njësoj po u martova sërish,—thotë ai.—Më është tronditur besimi.»

Nëse je divorcuar, është krejt e natyrshme të provosh lloj-lloj ndjenjash. Nga njëra anë ende mund ta dashurosh njeriun me të cilin ishe një mish i vetëm. (Zanafilla 2:24) Nga ana tjetër, mbase ndien mëri për atë që ndodhi. Grasiela, e përmendur më sipër, thotë: «Edhe pas disa vjetësh, ndihesh konfuze, e poshtëruar dhe e pafuqishme. Të vijnë ndër mend shumë çaste të lumtura nga martesa dhe mendon: ‘Ai më thoshte se s’jetonte dot pa mua. Mos gënjente gjithë kohës? Pse ndodhi kjo?’»

Ja ç’mund të ndodhë: Mund të ndiesh për një kohë të gjatë zemërim dhe mëri nga keqtrajtimi i bashkëshortit. Nganjëherë të duket sikur vetmia po të mbyt.​—Proverbat 14:29; 18:1.

4 Ndikimi i divorcit te fëmijët

«Ishte dërrmuese,—thotë Hosea, baba i divorcuar nga Spanja.—Çasti më i tmerrshëm ishte kur zbulova se ai njeri ishte burri i sime motre. Më mirë të vdisja.» Hosea kuptoi se edhe djemtë e tij, njëri dy e tjetri katër vjeç, ishin ndikuar nga sjellja e së ëmës. «S’e pranonin dot situatën,—thotë ai.—Nuk arrinin ta kuptonin pse nëna e tyre jetonte me xhaxhin dhe pse unë i mora ata dhe shkova të jetoj  me nënën dhe motrën. Kur duhej të shkoja gjëkundi, më thoshin: ‘Kur do të vish?’ ose ‘Babi, mos ik nga ne.’»

Shpesh fëmijët janë viktimat e harruara të sheshbetejës së divorcit. Po nëse prindërit nuk shkojnë mirë? A është vërtet më mirë për fëmijët të divorcohen? Vitet e fundit ky koncept është kritikuar, sidomos kur problemet martesore nuk janë në ekstrem. Libri Trashëgimia e papritur e divorcit (anglisht) thotë: «Shumë të rritur që kanë ngecur në martesa fare të palumtura do të habiteshin po të dinin se fëmijët e tyre janë relativisht të kënaqur. Për sa kohë që familja është bashkë, ata nuk merakosen që mami dhe babi flenë në krevate të ndara.»

Kuptohet, shpesh fëmijët janë të vetëdijshëm për grindjet e prindërve dhe situata e nderë sjell vuajtje në mendjen dhe zemrën e tyre të njomë. Sidoqoftë, mund të jetë i gabuar mendimi se divorci do të jetë patjetër në të mirë të tyre. «Me sa duket, struktura që siguron martesa i ndihmon prindërit të japin atë disiplinë të vazhdueshme e të arsyeshme ndaj së cilës fëmijët reagojnë, madje edhe kur martesa është larg ideales»,—shkruajnë Linda Uejt dhe Megi Galageri në librin e tyre Argument pro martesës (anglisht).

Ja ç’mund të ndodhë: Divorci mund t’i dëmtojë mjaft fëmijët, sidomos nëse nuk i mëson të kenë marrëdhënie të mira me ish-bashkëshortin.​—Shih kutinë  «Kujt t’ia prishja e kujt t’ia ndreqja».

Nëse po mendon për divorcin, do të bëje mirë t’i shqyrtoje katër faktorët e trajtuar në këtë artikull. Siç u tha më sipër, në qoftë se bashkëshorti të ka tradhtuar, vendimi të takon ty. Çfarëdo që të zgjedhësh, duhet të mbash parasysh pasojat. Njihu me vështirësitë që do të hasësh dhe përgatitu t’i përballosh.

Pasi e ke peshuar çështjen, ndoshta mendon se zgjidhja më e mirë është të përpiqesh ta përmirësosh martesën. Por, a është e mundur kjo?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat