Forca shëruese e një puthjeje

Life style

Forca shëruese e një puthjeje

Më: 10 nëntor 2020 Në ora: 11:08
Foto Ilustrim

Kur puthim njeriun e dashur, në trupin tonë nis një seri reaksionesh kimike që na jep qetësinë e brendshme. Madje studime të viteve të fundit tregojnë se efektet e puthjes në aspektin psikologjik janë të ngjashme me ato të meditimit: lehtëson stresin dhe rikthen ekuilibrin psikofizik.

Psikologët gjermanë kanë arritur në konkluzionin se kush puth partnerin/en çdo mëngjes, para se të niset për në punë, jeton mesatarisht 5 vjet më shumë, fiton më shumë,  ka më pak mundësi të përfshihet në aksidente rrugore dhe shërohet më shpejt nga sëmundje si gripi apo ftohja.

Puthja qetëson shpirtin dhe trupin. Kjo për shkak të dopaminës dhe endorfinës, të cilat prodhohen në momentin e një puthjeje dhe ndikojnë pozitivisht edhe në dhimbjet e migrenës. Një puthje ul nivelin e kortizolit, i njohur si hormoni i stresit. Kontakti mes buzëve stimulon prodhimin e oksitocinës, hormoni i shoqërimit dhe favorizon lidhjet e qëndrueshme.

Një puthje është ilaç kundër alergjive. Sipas një studimi të kryer në Japoni, kur dy njerëz puthen, ata shkëmbejnë antitrupa, duke rritur kështu imunitetin. Puthja ndihmon në mbajtjen nën kontroll të presionit të gjakut, duke reduktuar rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.

Një puthje është e mirë edhe për dhëmbët, pasi gjatë saj rritet sasia e pështymës, e cila ndihmon në largimin e mbetjeve ushqimore, të cilat shkaktojnë kariesin e dhëmbëve.

Puthjet pasionante djegin kalori, të cilat mund të arrijnë deri në 20 brenda një minute.

Një puthje vë në lëvizje minimalisht 30 muskuj të qafës dhe fytyrës, duke u dhënë të dyjave një pamje me të tonifikuar.

Puthja është shumë e rëndësishme, pasi stimulon sferën emotive, seksuale dhe afektive . kjo është arsyeja që e bën atë të domosdoshme në çdo rast: si për dashurinë e përjetshme, edhe për marrëdhëniet e rastësishme, pasi shpreh thelbin e atij që përfshihet në raport.

Puthja studiohet nga një shkencë e quajtur filematologji, e cila merret me eksperimentet që përfshijnë sjelljen e njeriut në raport me këtë gjest të thjeshtë.

Kënaqësia e një puthjeje  lidhet me pulsionet që provon një porsalindur kur thith qumështin e nënës, një veprim që kryhet që në momentet e para të jetës dhe prek kordat më intime të qenies tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat