Si t’i tregoni punëdhënësit në një intervistë pune se cilat janë pritshmëritë për pagën?

Life style

Si t’i tregoni punëdhënësit në një intervistë pune se cilat janë pritshmëritë për pagën?

Më: 16 nëntor 2020 Në ora: 07:20
Foto ilustrim

Paga është njëra ndër arsyet themelore që dikush kërkon të jetë në një marrëdhënie pune. Puna në vetvete është diçka nga e cila mund të nxjerrësh të mira në shumë dimensione, por pavarësisht të gjithave, paratë janë ato që na mbajnë atje. Në shumicën e intervistave të punës, punëdhënësi kërkon një mendim nga kandidati rreth kërkesës apo pritshmërisë që ai ka për pagën.

Autorja për planifikimin e pensioneve dhe financave personale, Melissa Phipps, thotë se punëdhënësit i bëjnë pyetjet në lidhje me pagën, sepse duan të kuptojnë nëse mund ta përballojnë atë, por edhe për të parë sesa kandidatët e vlerësojnë vetën dhe punën që bëjnë.

SI TË PËRGATITENI PËR PËRGJIGJET

Të vendosësh për një pagë të caktuar mund të jetë e vështirë, sepse nganjëherë nuk do ta dini as se çfarë pune do ta bëni saktësisht dhe nëse puna juaj përkon me atë vlerë. Duke mos pasur një përgjigje të duhur, ekziston një mënyrë për t’u përgatitur për pyetjen dhe për të marrë atë që dëshironi.

Në mënyrë që ta përgatitni një përgjigje të duhur për pagën është mirë që fillimisht të kuptoni sesa fitimprurëse është ajo industri, në të cilën po tentoni të kyçeni, si dhe të analizoni zonën gjeografike me fitimet.

KËSHILLAT QË JU DUHEN PËR PËRGJIGJE TË MIRA

Thoni që jeni fleksibil: Mund të përpiqeni të përgjigjeni më një përgjigje si: "Pritjet e mia të pagave janë në përputhje me përvojën dhe kualifikimet e mia". Ose, "Nëse kjo është puna e duhur për mua, jam i sigurt që mund të arrijmë një marrëveshje për pagën" . Kjo do të tregojë se jeni të gatshëm të negocioni.

Shembull: Kërkesat e mia për pagë janë fleksibile, por unë kam përvojë të konsiderueshme në këtë fushë, gjë që besoj i shton vlerë kandidaturës sime. Pres të diskutoj më në detaje, se cilat do të jenë përgjegjësitë e mia në këtë kompani. Pastaj, ne mund të përcaktojmë një pagë të drejtë për pozicionin tim.
Përgjigje e duhur sepse: Të kërkosh më shumë informacione përpara se ta caktoni një shifër, është një mënyrë e mirë për ta shmangur përmendjen e një vlere nga punëdhënësi. Pas kësaj, mund të bëni pyetjen, se çfarë kompania parashikon që t’i ofrojë kandidatit të punësuar.

Ofroni një shifër të përafërt: Edhe nëse filloni duke theksuar fleksibilitetin tuaj, shumica e punëdhënësve do të dëshirojnë të dëgjojnë një shifër specifike. Në këtë rast është mirë që të tregohet një vlerë, por duke e specifikuar që jeni rreth kësaj vlere (më shumë apo më pak), por që nuk është fikse. Kjo do t'ju lejojë të qëndroni fleksibil, ndërsa i jepni punëdhënësit një përgjigje të qartë. Këtë përgjigje duhet ta jepni bazuar në kualifikimet apo përvojën tuaj në atë industri.

Mendoni për pagën tuaj aktuale: Përveç të tjerave, përgjigja për pagë mund të jetë edhe duke marrë si pikënisje pagën në punën aktuale, apo atë në të kaluarën, sidomos nëse lëvizja juaj po bëhet në të njëjtën industri. Por kjo këshillë, nuk duhet të aplikohet në rastet kur po filloni punën në një vend me ekonomi tjetër.

Jepi vetes një ngritje: Mendoni se çfarë vlere do ta konsideronit si rritje të drejtë nga punëdhënësi aktual apo ai i kaluar. Pasi ta keni menduar një vlerë që e konsideroni që është e drejtë për përvojën tuaj, thojani atë punëdhënësit, pasi t’ju ketë pyetur rreth pagës. Kjo mund të jetë një pikënisje e mirë në punën e re.

Jepni vetëm numra me të cilët do të ishit të kënaqur: Nuk ka nevojë që ta thoni një vlerë, që përveç që nuk përkon me arritjet tuaja profesionale, as nuk do të t’i mbulojë shpenzimet e familjes dhe vetes. Në fundit të fundit, punëdhënësi përsëri do ta jap vlerën vendimtare, pasi ta keni negociuar.

Theksoni aftësitë tuaja: Në përgjigjen tuaj, ju mund të theksoni në mënyrë të hollësishme pse jeni një punonjës i mirë për pozicionin, i cili po kërkohet. P.sh. ju mund të thoni: "Bazuar në përvojën time 10 vjeçare në këtë fushë, unë do të prisja një pagë në intervalin prej X euro deri në X euro". Para se të përmendni ndonjë numër, kujtojani intervistuesit, pse ai ose ajo duhet t'ju ofrojë një pagë fillestare.

Jini të gatshëm të negocioni: Shumë kandidatë hezitojnë, që të kërkojnë më shumë para, sepse frikësohen që kjo do të jetë arsye që ta humbasin fare atë ofertë pune. Por, është shumë në rregull që të përpiqeni të negocioni për një pagë fillestare.

ÇFARË NUK DUHET TË THUHET

Shmangni një shumë të caktuar: Nuk është shumë e preferueshme që të përmendni një shumë specifike, derisa punëdhënësi ta përmendë atë. Pas kësaj, negociata do të jenë më shumë në favorin tuaj.

Mos e çmoni veten më shumë sesa duhet: Nuk do të ishte mirë që të kërkoni një pagë shumë të lartë, në rast që pasi të keni hulumtuar, e keni kuptuar që puna të cilën do ta bëni do të vlejë sa gjysma e saj. Mund ta vlerësoni kaq shumë veten, në rast se faktet tregojnë që ju keni qenë në gjendje më përpara të bëni ndryshime.

Mos jini negativ: Edhe nëse shuma që ju ofrohet duket fyese, përgjigjuni me hijeshi dhe pyesni nëse ka vend për të negociuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat