10 gjëra që nuk duhet t’i përfshini në një letër motivimi

Life style

10 gjëra që nuk duhet t’i përfshini në një letër motivimi

Më: 16 nëntor 2020 Në ora: 08:02
Foto ilustrim

Zakonisht një letër motivimi kur aplikoni është dokumenti i dytë, që kërkohet menjëherë pas CV-së. Në disa raste një letër motivimi e shkruar mirë mund të ndikojë që ju të punësoheni. Apo në rastin e kundërt, nuk do të shqyrtoheni fare.

Akademi Pune ju sjell 10 gjërat që nuk duhet të përfshihen kur shkruani një letër motivimi, për punën e radhës.

Gabimet në emrin e kompanisë apo të personit kontaktues

Rishikojeni edhe njëherë letrën motivuese përpara se ta dërgoni. Sidomos fokusohuni tek emri i kompanisë dhe personit të duhur. Askujt nuk do t’i pëlqejë që t’ia thonë emrin gabim, e kjo sidomos në rastet kur dikush po e lexon atë letër për të të punësuar.

Gjëra që nuk janë të vërteta

Ndoshta do të ju tingëllojë si e nënkuptueshme, por është shumë e rëndësishme që të jeni plotësisht të sinqertë kur e shkruani letrën tuaj të motivimit. Të gjeturat e një hulumtimi nga “ResumeLab” thonë se 93 për qind e respodentëve e njohin dikë që ka gënjyer në letrën motivuese. Ndërsa 65 për qind prej atyre që u kapën duke gënjyer nuk u punësuan, të tjerët që tashmë ishin punësuar u pushuan nga puna.

Paragrafët që janë shumë të gjatë

Punëdhënësit do t’i shmangin ato letra, të cilat janë shumë të vështira për t’u lexuar.

Secili paragrafë duhet të jetë prej 5 deri në 6 rreshta dhe jo më shumë se 3 fjali në secilin prej tyre.

Përfshini shumë hapësirë të bardhë në pjesën e sipërme dhe të poshtme të letrës tuaj, si dhe në mes të paragrafëve. Një letër motivuese duhet të jetë e shkurtër, e thukët dhe e përqendruar në atë se çfarë mund t’i japësh punëdhënësit të ardhshëm.

Kërkesat apo pritshmëritë për pagën

Mos përfshini kërkesat apo pritshmëritë që keni për pagën, në një letër motivimi, përveç nëse ju kërkohet nga punëdhënësi. Është e rëndësishme që të tregoni se jeni të interesuar në vetë punën dhe jo të krijoni përshtypje, që vetëm paratë janë ato që po ju motivojnë.

Komente negative për punëdhënësin aktual apo atë të kaluar

Mos i bëni komentet negative për punëdhënësin aktual, apo punëdhënësin e kaluar, si arsye që jeni duke kërkuar një punë tjetër. Punëdhënësit kanë tendencë që t'ju lënë juve si fajtor për këto lloj komentesh.

Informacione që nuk përkojnë me punën

Mos përfshini elemente të cilat nuk janë të rëndësishme për pozicionin e punës që kërkohet. Një tekst i zbrazët mund ta shkëpusë punëdhënësin nga mesazhet kryesore, që i keni përmendur në ndërkohë. Më mirë është të shkruani një letër të shkurtër, sesa një të mbushur me informacione të parëndësishme.

Informacione personale

Një punëdhënësi nuk i interesojnë arsyet personale për çfarë arsye e dëshironi këtë punë. Mbajeni fokusin në arsye profesionale, ndërsa ato personale mund t’i mbani për vete.

Çfarë dëshironi

Letra motivuese nuk është për të shkruar rreth asaj çfarë dëshironi, por rreth asaj se çfarë keni për të ofruar. Mos përmendi se çfarë dëshironi të përfitoni nga puna, apo kompania në të cilën keni aplikuar.

Çfarë nuk dëshironi

Mos përmendni gjërat që nuk ju pëlqejnë rreth punës, pagës, pushimeve, apo ndonjë gjëje tjetër. Ruani ato mendime kur të jeni pranuar në punë dhe jeni në pozicionin që mund të negocioni.

Modestia e tepërt apo gjuha tepër lajkatare

Juve ju duhet ta tregoni vetën në një mënyrë pozitive, por duhet të keni kujdes sesi e bëni atë. Flisni për arritjet dhe të mirat që i posedoni apo rezultatet, por shmangni mbiemrat që të përshkruani vetën, sepse ato mund të ndikojnë që të dukeni arrogant apo mendjemadh, (psh: Unë jam një kandidat shumë i aftë).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat