Divorci nuk është kurrë fundi

Life style

Divorci nuk është kurrë fundi

Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 15:32
Ilustrim

“Divorci mund të na mësojë se nuk është kurrë fundi, por në disa raste vetëm një fillim i ri” NOAH BAUMBACH

Regjisori i njohur e ka dhënë këtë deklaratë për “HuffPost” bazuar në filmin e tij “Historia e një martese”.

Një imazh i jetës familjare, me një shtëpi të përsosur, plot me objekte dhe histori në Manatthan, dy prindër të bukur jo vetëm fizikisht, dhe një fëmijë. Ka dashuri, buzëqeshje, përkëdhelje. Është ajo, Nicole (Scarlett Johansson), një nënë e dashur dhe bashkëpunuese, dhe ai, (Adam Driver), një baba i vëmendshëm dhe i pranishëm. “Di kur të më provokosh dhe kur do të më lësh vetëm”, thotë ai; “Nuk ndalesh kurrë nga askush,” thotë ajo. Fëmija i plotëson ata, dhe nxjerr në pah forcat dhe defektet e tyre, të vlerësuara nga të dy në mënyrë të ndërsjellë. Duket si portreti i një familjeje të vogël, të përsosur, por ka diçka që nuk shkon. Është një pjesë që thyhet, dhe që e çon çiftin në atë që duket se është zgjidhja e vetme për pakënaqësitë që kanë: divorci.

“Në qendër të filmit tim të ri, kam dashur të vendos pikërisht divorcin, i cili ndryshon dhe përmbys jetën e atyre që përballen. Por ndonjëherë, fundi është vetëm fillimi i një historie”. Një si Baumbach, e di fare mirë se çfarë do të thotë, duke pasur parasysh që është i ndarë nga Jennifer Jason Leigh, por mbi të gjitha, sepse që fëmijë ka jetuar shkurorëzimin e prindërve të tij, kritikëve të mirënjohur amerikanë, Jonathan Baumbach dhe Georgia Brown.

“Në film, Charlie dhe Nicole janë të dy mjaft konkurrues dhe do t’u duhet të përballen me të gjitha pengesat e një ndarjeje,” vazhdon regjisori. “Ai do të bëjë hapin që me shumë gjasë, do të shohë më pak birin e tij, dhe kështu të vendosë të luftojë për vogëlushin. Ajo do ta kuptojë që ia kishte dedikuar gjithë kohën e saj bashkëshortit, duke lënë pas veten, derisa ‘zgjohet’ dhe kupton se vetja e saj ka nevojë në fakt për gjallërinë e munguar”.

Ja pra, papritmas shtëpia ndryshon, pa kuptuar ndryshojnë rolet, personat kalojnë tranzit në shtëpi ose nuk qëndrojnë fare, dhe vende takimi shndërrohen sallat e gjyqit, zyrat e avokatëve, shtëpi të tjera, por kurrë më si më parë bashkë.

“Divorci i prindërve të mi natyrisht që më ka ndikuar për ta bërë këtë film, është si të kisha dashur të shihja këndvështrimin e tyre, të dy të rriturve, ndërsa në filmin tjetër, (Kallamari dhe balena,) analizoja të gjithë këndvështrimin e të rinjve, por këtë e zbulova më vonë”, vazhdon regjisori. “Në të dy filmat, – vazhdon Baumbach, – divorci është tema, por nuk është i vetmi. Divorci është si një ndarje e madhe që më lejon të shoh se çfarë ka brenda kësaj gjëje që hapet, por që ka hapësirë edhe për familjen që ishte dhe që vazhdon të ekzistojë në njëfarë mënyre, ka hapësirë për marrëdhëniet midis atyre dy njerëzve, ka vend për dashuri, të ndryshme”.

Në film arrihet gjithmonë në një pikë të caktuar me emocionet, por më pas, është ndjenja se regjisori dëshiron që të bëjmë një hap prapa. “Kjo për shkak se ekziston emocioni i divorcit, por edhe shumë aspekte të tjera, siç është ai juridik, apo të gjitha ato aspekte praktike që përmbysin njerëzit që janë duke e përjetuar këtë situatë. Kushdo që e jeton divorcin, duket si një person në mëshirën e të tjerëve, veçanërisht avokatëve, që kryesisht shohin interesin e tyre para atij të klientit.

E jashtëzakonshme, në këtë kuptim, Laura Dern, në hapat e një divorcueseje të shkëlqyer në karrierë, që mbron Johansson, atë që askush nuk do të dëshironte ta takonte kurrë në një sallë gjyqi, por që të gjithë, nëse do të ishte e nevojshme, do të donin ta kishin, sepse mundësitë që të fitonte ishin vërtet shumë të larta.

“Në film, si në realitet, për të cilin jam një vëzhgues i kujdesshëm, ka emocione të mëdha, por edhe banalitetin e jetës me kërkesat e tij. Duket se ekzistenca e dy personave të divorcuar ndalet, por në realitet, që të dy vazhdojnë të jenë prindër, profesionistë, të jenë qytetarë të botës, sepse jeta e tyre vazhdon gjithsesi”.

Çfarë keni mësuar nga një film i tillë? “Që dashuria ekziston dhe mbijeton, pavarësisht gjithçkaje, që mund të transformojë në një tjetër formë dashurie, por gjithmonë dashuria mbetet. Në film është diçka që shoqëron dy protagonistët që në fillim, por mbi të gjitha në rrugëtimin e tyre drejt divorcit”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat