Të shkruarit ju bën më inteligjentë

Life style

Të shkruarit ju bën më inteligjentë

Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 11:28
Ilustrim

Të shkruash me dorë stimulon trurin, ul ankthin dhe ju bën më të sigurt: ja sepse ia vlen që të lini mënjanë tastjerët dhe t’i riktheheni stilolapsit..

Studimet shkencore kanë treguar se shkrimi ju bën njerëz më inteligjentë. E keni idenë se cilat përfitime psikologjike mund të merrni duke shkruar? Në epokën e internetit dhe të digjitalizimit, të shkruani mbi një copë letër mendimet dhe fjalët, tashmë është një praktikë pothuajse e harruar.

E megjithatë, studime të fundit kanë treguar se të ushtruarit me shkrimin e mban trurin të gjallë dhe në stërvitje, rrit kreativitetin dhe përmirëson organizimin e mendimeve. Specialistët kanë verifikuar se të shkruash me dorë lehtëson të nxënin, si dhe ndihmon të dalloni dhe të zhvilloni ndjenjat tuaja. Studiuesit kanë dalluar tre arsye thelbësore që i japin vlerë këtij zbulimi:

Shkrimi ju ndihmon të rregulloni mendimin

E shkruara ju lejon të largoni ngatërresën që fshihet në mendjen tuaj dhe të rirregulloni më qartë mendimet tuaja. Ky është ndoshta aspekti më i bukur që lidhet me të shkruarin. Në librin “Përse shkruajmë” të Meredith Maran, janë intervistuar njëzet autorë best-seller (nga Isabel Allende te Sue Grafton, nga David Baldacci te Michael Lewis), të cilëve, para së gjithash, u është kërkuar të shpjegojnë përse shkruajnë.

Të gjithë kanë listuar arsye thelbësore egoiste, të lidhura me arsye personale të vetë-afirmimit ose të të vetë-shprehurit, por secila nga përgjigjet e tyre është e mundur të tregojë një arsye të tillë: e shkruara hap një zinxhir në të tashmen, ju jep mundësinë të qepni një lloj zinxhiri të kohës, ku mund të ndalni, të peshoni mirë, të bëni reflektime të thella. Është me të vërtetë e vështirë të shpjegohet sesi është e mundur që një njeri të vendosë t’i largohet ankorimit dhe të

niset për një udhëtim kaq të pasigurt siç është të shkruarit. Dhe duket se përgjigjja më e mirë ndaj kësaj pyetjeje është se të shkruarit ju lejon të bëni dritë në errësirë. Kur shkruani, riorganizoni mendimet tuaja dhe fitoni njohuri të reja dhe këndvështrime më të arsyeshme.

Mësoni më shumë

E shkruara ju lejon të përthithni më mirë informatat që merrni dhe ju ndihmon të mësoni shumë më tepër. Përveç se ju ofron një vizion më të plotë të gjërave, duke i bërë më të mqarta këndvështrimet dhe idetë, e shkruara ju bën të përthithni informacionet në mënyrë më të kënaqshme. Në fakt, është zbuluar se të shkruarit me dorë thjeshtëson të mësuarit. Kjo shpjegon edhe se përse studentët që e kanë zakon të marrin shënime gjatë leksioneve, dinë më shumë se sa ata që vetëm dëgjojnë.

Sipas një studimi të bërë nga specialistët e Universitetit të Princeton dhe të Universitetit të Kalifornisë, studentët që marrin shënime me shkrim mësojnë shumë më tepër se sa bashkëmoshatarët e tyre që i mbajnë këto shënime në kompjuter. Studimet e mëparshme kishin theksuar sesi përdorimi i kompjuterit në shkollë mund të jetë i dëmshëm, për shkak të shpërqendrimeve të shumta në internet. Tani studiuesit që i janë kushtuar këtij studimi të ri kanë zbuluar se të marrësh shënime me dorë, pra në mënyrë më të ngadalë, përshpejton të mësuarit.

Kur shkruan me dorë nuk mund të radhitësh çdo fjalë që thotë folësi, ndaj duhet t’i kushtosh më tepër vëmendje atij, të bësh një përmbledhje të diskutimit që po dëgjon, të shkruash vetëm pikat kyçe. Truri është tejet i ngarkuar për të kuptuar dhe të seleksionojë informacionet më të rëndësishme. Nga ana tjetër, të shkruarit me kompjuter ju lejon të hidhni leksionin fjalë për fjalë, ndaj truri nuk është i detyruar të bëjë asnjë sforco për të ripërpunuar fjalët e biseduesit. Psikologët shkollorë kanë theksuar se të shkruarit me dorë vë në punë disa pjesë të trurit, të cilat zakonisht nuk preken kur shkruajmë me kompjuter, në veçanti zonat që lidhen me formimin dhe memorien.

E shkruara përmirëson inteligjencën

Në vitin 1994 një grup kërkuesish ka bërë një eksperiment me 63 inxhinierë të papunë, duke testuar se çfarë efektesh do të kishte shkrimi në nivelet e tyre të stresit. Inxhinierët e përzgjedhur u ndanë në tri grupe: i pari kishte detyrën të hartonte çdo ditë një program me aktivitetet që duhet të bënte për kërkimin e një pune. Grupi i dytë duhej të bënte të njëjtën aktivitet si grupi i parë, por pa i mbajtur shënim. Grupi i tretë duhet të mbante shënim mendimet më të thella dhe të përqendrohej sidomos në përvojat e dhimbshme. Inxhinierët e grupit të tretë shkruanin më shumë se 20 minuta në ditë, duke përshkruar plotësisht ndjenjat si: humbjen, refuzimin dhe boshllëkun që u linte atyre kërkimi i një pune.

Rezultati në fund të këtij studimi është se personat e grupit të tretë kishin gjetur punë më lehtësisht, madje 53% e tyre kishte filluar punë që në tetë muajt e parë. Përfitimet psikologjike që sjell e shkruara shpesh nuk perceptohen menjëherë, por përfaqësojnë frutin e një transformimi gradual. Duke shkruar, mund të rishikoni ndjenjat tuaja, të gjeni ide të reja dhe mund të arrini majat më të larta të kreativitetit. Është e vërtetë se në ditët e sotme është pamundur të mos e kaloni kohën në kompjuter për shkak të punës apo shkollës, por duke lënë pas dore përfitimet që vijnë nga shkrimi, veçanërisht ai në letër, bëni një gabim shumë të madh. Filloni menjëherë: gjeni kohën për të mbledhur mendimet tuaja dhe provojeni te vetja juaj se si e shkruara është e nevojshme dhe e rëndësishme për të pasur një mendje më inteligjente.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat