Ngjarje e vërtetë/ Sakrifica e një nëne për gjidhënien

Life style

Ngjarje e vërtetë/ Sakrifica e një nëne për gjidhënien

Më: 6 qershor 2021 Në ora: 17:53
Foto ilustrim

Shpeshherë, në punën time të përditshme si mjek, takoj nëna të cilat sakrifikojnë shumë nga shëndeti i tyre, për t’i ushqyer fëmijët e tyre me qumësht gjiri. Do ta ndaj me ju një histori, që më ka ndodhur ditëve të fundit, një histori e sakrificës dhe përkushtimit të nënës për fëmijën e saj, histori e sakrificës për gjidhënjen.
Në një nga repartet e Qendres Klinike Universitare, ishte i shtrirë një fëmijë 3 muajsh, për të kryer një intervenim për rivendosje të pozicionit normal të gjymtyrëve të poshtme. Mua më ftuan në një konsultim në orët e pasdites, pasiqë fëmija ishte në gjendje të përkeqësuar dhe direkt i rrezikohej shëndeti nga vjelljet e shpeshta dhe dehidrimi i thellë që kishte marrë. Kur shkova unë, fëmija ishte pak a shumë sikur në foton e postuar. Pra, mbante këmbët e lidhura dhe të varura sipër 24 orë pa ndërprerje çdo ditë. Ky ishte pozicioni qe do ta mbante për një kohë të gjatë. Fëmija ishte i dehidruar, me një shikim të frikshëm, i zbehtë dhe më një zë të mekur, saqë kur qante mezi dëgjohej. Dukej se nga vjelljet e shpeshta, kishte humbur tërë forcën që kishte.

KUR QUMËSHTI SHTESË OFROHET SI ZGJIDHJE

Afër fëmijës qëndronte nëna e tij e lodhur, e molisur dhe e rraskapitur nga gjëndja që po kalonte. Djali kishte ditë të tëra që pasi merrte gjirin, kishte vjellje dhe rikthim te tërë asaj që merrte. Kishte katër ditë që nëna kishte filluar me shtesat e qumështit artificial me këshillën e mjekëve, pasiqë pozicioni që nëna të ushqente djalin, ishte tej mase i vështirë për gjidhënje (fëmiu qëndronte shtrirë dhe me këmbët e varura për 24 orë, pra ishte i fiksuar në atë mënyrë ) dhe vjellja po vazhdonte. Nëna duhej kërrusur dhe në pozicion përmbys të ushqente djalin, pozicion që për nënën, pas një ose dy minutash, ishte pothuajse i pamundur për të duruar dhimbjet që ndjente nëna duke u kërrusur. Shtrati ku qëndronte fëmija ishte mjaft i vogël dhe mundesia që nëna të shtrihej nuk ekzistonte. Tani kishte katër ditë që fëmija kishte filluar me qumësht shtesë, por vjellja nuk po ndalej dot, pra problemi nuk ishte zgjidhur por ishte bërë edhe më i thellë.

KUR NËNA BESON TEK GJIDHËNIA

Në kontaktin e parë që kisha me nënën, ajo duke qarë më tha: “Të lutem më ndihmo për djalin, të lutem më ndihmo t’i jap nga gjiri im, nuk dua t’i jap shtesa, unë e di që ai po vjell çdo ditë, por unë dua t’i jap nga shpirti im, nuk dua t’i japë shtesa.” Kjo nënë besonte atë që nuk e besonte askush. Përballë saj, në të njëjtën dhomë ishte edhe një nënë tjetër që pa asnjë arsye e ushqente fëmijën me qumësht shtesë. Duke biseduar, ajo nëna e dytë mu drejtua: “Doktor, unë i kam thënë që nuk ka problem ta ushqejë me qumësht shtesë, ja fëmija im me shtesa si është bërë, ja sa ka shtuar peshë dhe është për merak, duhet edhe kjo të vazhdojë, s’ka pse e rrezikon fëmijën pa nevojë.”
Derisa unë shënoja në listën mjekësore gjërat që duheshin bërë, nëna u kërrus nga shtrati dhe filloi ta ushqente fëmijën me gjirin e saj. Nuk zgjati një minutë dhe u drejtua përsëri dhe me faculetën që kishte fshiu lotët e saj, por edhe fytyrën e fëmijës së saj, e cila i ishte përshkuar nga lotët e nënës që e ushqente. Lotët që barteshin nga sytë dhe fytyra e nënës, pikonin mbi fëmijën e shtrirë. Kjo skenë u përsërit për disa herë me radhë. Unë deri më sot nuk kam këshilluar asnjë nënë të ndërpresë gjidhënjen pa ndonjë arsye dhe s’kisha pse ta bëja edhe në këtë rast.

Ne ramë dakord me nënën që të provonim disa gjëra:
– Të largonim menjëherë çdo shtesë përpos qumështit të gjirit (ajo ngeli jashtzakonisht e kënaqur për të mos thënë që nuk besonte ende që po i bëja këtë propozim)
– Të provonim të ngrisnim pozitën fëmijës në pozicion antirefluks për aq sa na lejonte pozita e tij – gjatë kësaj kohe fëmijës i përshkrova edhe serum dhe shtesa tjera pasi rrezikonte direkt shëndetin nga ajo që kalonte.

KAM ËNDËRRUAR TA USHQEJ ME GJI FËMIJËN TIM!

Në viziten time të dytë pas tre ditësh, tani para vetes shihja një nënë të buzëqeshur por edhe krenare dhe një fëmijë që ju kishte kthyer gjallëria, ju kishte kthyer ngjyra e fytyrës. Para vetes shihja një nënë e cila besonte në gjidhënje dhe pa u dorëzuar ja arriti qëllimit. Fjala e saj e parë që më tha ishte: “Kam ëndërruar që do ta ushqej me gji fëmijën tim, e kam lutur Zotin të ma mundësojë që ta realizoj gjidhënjen dhe ma mundësoi. Doktor ju falënderoj që besuat në mua dhe më përkrahët.”
E përgëzova që ndjenjën e nënës e shprehu më së miri duke dashur të realizojë atë më të shtrenjtën, më të mirën që mund të bëjë për fëmijën e saj, e që është gjidhënja. Në fund më tha edhe një fjalë: “Doktor ne mund t’i gjejmë 100 arsye për të mos e ushqyer me gji fëmijën, por asnjë nga këto arsye s’e mposhtin dot kënaqësinë që ndjej unë pasi fëmija im ngopet nga qumështi im.” Analizat që i kontrollova tani ishin pothuajse në vlerat normale. Buzëqeshja e gjallëria e fëmijës ishte ajo që më përcolli në takimin tonë të fundit.

SI PËRFUNDIM

Për të gjithë ata që jeni afër një nëne gjidhënëse, është mirë të gjeni fjalët më të mira dhe t’i jepni kurajo nënës që ka sjellë në jetë një fëmijë. Gjeni fjalët më të mira, ajo ka nevojë për ju, ka nevojë për mbështetjen tuaj. Mos kurseni fjalët si: ti mundesh, ti do të kesh sukses, mos u dorëzo, së bashku do ja dalim, fëmijës i pëlqen qumështi yt, ti je një nënë shembull, vazhdo se do kesh sukses.
Mos e përmendni kurrë qumështin shtesë tek një nënë që është duke bërë betejë me vetveten dhe ka njëqind mëdyshje a do ja dal me gjidhënjen. Lërëni nënën dhe fëmijën në mbretërinë e tyre të gjidhënjes, përkraheni, përkraheni pa u ndalur.
Le të shërbejë shembulli i kësaj nëne si motivim dhe kurajo për vështërsitë që kaloni gjatë procesit të gjidhënjes, le të shërbejë si shembull meritor i një nëne që ëndërroi, besoi dhe ja arriti suksesshëm t’i ofrojë djalit të saj gjidhënjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat