Fast and furious: ‘Ferrari’ hedh në treg linjën e veçantë të veshjeve luksoze

Life style

Fast and furious: ‘Ferrari’ hedh në treg linjën e veçantë të veshjeve luksoze

Më: 17 qershor 2021 Në ora: 18:42
Ferrari

Gjëja e parë që të vjen në mendje kur kujton "Ferrari" është makina luksoze, super e shpejtë dhe sportive. Sidoqoftë, prodhuesi italian i makinave “Ferrari” ka vendosur që markën dhe logon e famshme të mos e lërë vetëm në makina, por ta bëjë më të larmishme duke prezantuar koleksionin e parë të modës, i cili po ashtu do të jetë luksoz dhe i kushtueshëm.

Ngjyrat e markës së kuqe dhe të verdhë dominuan në show-n debutues këtë të diel. Për linjat e prodhimit të veshjeve u kujdes stilisti veteran i Armanit, Rocco Iannone, drejtor kreativ i Ferrarit. Në koleksionin debutues ranë në sy xhaketa dhe xhupa dimërorë, me materiale të përziera, pambuku, mëndafshi etj., por koleksioni prezantoi edhe veshje nga copa të ricikluara, si funde, pantallona të shkurtra apo edhe veshje prej linoje.

Shumë prej këtyre veshjeve mbanin logon e Ferrarit dhe mund të vishen nga burra dhe gra. Motoja me të cilin kompania prezantoi këtë stil është: "i guximshëm, i fortë dhe dominues".

Çmimet e veshjeve variojnë nga 200 deri në 3000 euro. Bashkë me veshjet, nuk do të mbeten pas edhe aksesorët e formula 1 si kapelat, gotat dhe bluzat aq të dashura për tifozët.

Koleksioni, fillimisht do të ofrohet në internet dhe përmes dyqaneve zyrtare të kompanisë në Maranello, Milano dhe Romë.

Të martën, Ferrari ka rihapur për publikun edhe restorantin legjendar “Cavallino” në Maranello, nën drejtimin e kuzhinierit italian Massimo Bottura, i cili mban tre yje “Michelin”.

Bottura e nisi karrierën si kuzhinier në një mensë, e cila u bë shumë shpejt vendi i preferuar i themeluesit të markës, Enzo Ferrari. Në këtë vend ai priste punonjës, klientë dhe miq të ndryshëm.

Për publikun e gjerë, restoranti u hap për herë të parë në vitin 1950. Para 18 muajve, ky restorant u rimodelua nga arkitektja India Mahdavi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat