Metoda daneze për të rritur fëmijë të lumtur

Life style

Metoda daneze për të rritur fëmijë të lumtur

Më: 25 janar 2022 Në ora: 23:54
Foto ilustrim

Pediatrja Lira Gjika është vazhdimisht aktive në media apo rrjete sociale me këshillat e saj duke u ardhur në ndihmë prindërve në rritjen e fëmijëve të tyre.  Së fundmi, ajo ka cituar një metodë për të rritur fëmijë të lumtur, metodë e cila u këshillohet nënave të reja në Danimarkë. Qëllimi i metodës daneze është që fëmija të rritet sa më i lumtur e i shëndetshëm dhe njëherazi nëna të mos jetë e lodhur dhe pa ndjenja faji lidhur me mirërritjen e fëmijës.

Më poshtë keni gjithë shpjegimin nga pediatrja Lira Gjika

Në këshillimoret e fëmijëve në Danimarkë, nënave me fëmijë të porsalindur u rekomandohet një formulë e thjeshtë për të edukuar fëmijën e porsaardhur në jetë. Në këtë formulë të thjeshtë është përmbledhur se si duhet të veprojnë me fëmijën e tyre që të rritet sa më i shëndetshëm e i qetë dhe njëkohësisht nëna të mos ndihet e lodhur dhe fajtore se nuk di të rrisë fëmijën e saj. Kjo formulë është E.A.S.Y. këto germa janë germat e para të katër fjalëve:

Eat (ngrënie) ushqimi i fëmijës
Activity- aktivitete për fëmijën
Sleep- respektimi i orëve të gjumit
You time- nëna duhet të gjejë kohë për veten e saj.

Këto këshilla e ndihmojnë nënën, që të organizojë ditën si për fëmijën dhe veten. Një nënë e qetë natyrisht që arrin të qetësojë edhe fëmijën e saj. Një nënë që pret nga të tjerët që ti qetësojnë fëmijën, natyrisht që do të jetë ankthioze dhe siç dihet, ankthi i nënës i kalon automatikisht fëmijës duke mos e lejuar atë të jetë i qetë. Në praktikën tonë për mirërritjen e fëmijës në muajt e parë të jetës, nëna gati përjashtohet me forcë si nga mamaja dhe nga vjehrra. Në vend që ta ndihmojnë të zhvillojë mëmësinë, i thonë ti nuk di.

Për aktivitete fizike as që bëhet fjalë, madje nuk e lejojnë nënën as të nxjerrë shëtitje fëmijën që ditët e para të jetës. I vetmi aktivitet fizik përveç veshjes dhe ushqyerjes, është banja edhe ajo është shumë e shkurtër, pasi kultivohet frika se fëmija mund të ftohet e sëmuret. Mirë do të ishte që banja të zgjaste të paktën 30 minuta që në fillim të jetës së fëmijës. Një gjë tjetër, që është shumë e rëndësishme dhe me vlerë për fëmijën dhe shëndetin e tij, është aktiviteti fizik me lojëra të vogla që në fillimet e jetës.

Për shembull pasi nëna e ushqen fëmijën, mund t’i flasë e tregojë fytyrën e tij në pasqyrë, t’i emërtojë gojën, hundën, sytë veshët, flokët etj. T'i tregojë që është një ditë më i madh. Pak fizkulturë duke i hapur krahët dhe afrimi më pas në gjoks, po kështu veprohet edhe me këmbët, i shtrihen dhe i afrohen te barku. Gjithashtu prindërit të përpiqen të braktisin mendësinë e vjetër, që fëmija është i vogël dhe nuk merr vesh, por ta shohin njeri dhe njeriu me njeriun komunikon nëpërmjet fjalës, kështu duhet bërë edhe me fëmijën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat