8 gënjeshtrat e dashurisë që i besojmë të gjithë

Life style

8 gënjeshtrat e dashurisë që i besojmë të gjithë

Më: 16 maj 2022 Në ora: 07:06
Ilustrim

Dashuria ka lindur me njeriun dhe për njeriun. Zgjedhim ta lartësojmë dhe ta shohim si një forcë mistike që kontrollon jetët tona. Por kur na thyhet zemra, pyesim veten pse ndodhi. Ku gabuam ? Shpeshherë udhëqihemi nga disa ‘’rregulla’’ false dashurie që nuk përkojnë fare me realitetin. Ju njohim me tetë prej tyre:

1. Dashuria e vërtetë zgjat përgjithmonë
Që në vegjëli edukohemi me idenë se ‘’dashuria e vërtetë’’ zgjat përgjithmonë dhe mund të kapërcejë çdo vështirësi. E vërteta është se dashuria është një ndjenjë njerëzore dhe si e tillë është e brishtë dhe lehtësisht e ndryshueshme. Domethënë shumë larg të qenit perfekte. Ajo nuk mund të matet dhe ndonjëherë merr fund për arsye nga më banalet si stresi në punë, kriza ekonomike në çift, forca mbytëse e zakonit apo apatia midis partnerëve.

2. Partneri ‘’i duhur’’ do të më bëjë të lumtur
‘’Ata jetuan për gjithmonë të lumtur.’’ Kjo është fjalia klasike përmbyllëse e çdo përralle që na bën të iluzionojmë se me partnerin e duhur do të jemi të lumtur. Por kjo s’është gjë tjetër veçse një gënjeshtër e madhe. Dy partnerë nuk janë klonë të njëri-tjetrit, por dy qenie të ndryshme që kanë pavarësinë e tyre individuale. Ata kanë nevoja të ndryshme dhe si rrjedhojë është e pamundur të përmbushin plotësisht lumturinë e njëri-tjetrit.

3. Dashuria, pasioni, nevoja, xhelozia dhe varësia
Njerëzit kanë koncepte të ndryshme për dashurinë. Disa e konsiderojnë atë si një gërshetim emocionesh tejesh të forta të ndërlidhura ngushtë si pasioni, xhelozia dhe nevoja e përkatësisë. Madje shkojnë më larg duke krijuar thuajse një varësi, kur në të vërtetë dashuria duhet të jetë shembulli më i pastër i altruizmit.

4. Të biesh në dashuri dhe dashuria janë e njëjta gjë
Të biesh në dashuri përkon me fazën fillestare të pëlqimit ndaj dikujt. Janë emocionet e fillimit, fluturat e para në stomak apo dhe idealizimi i parë që i bëjmë partnerit. Kurse dashuria është një ndjenjë që formësohet me kohën dhe të lejon të pranosh partnerin ashtu siç është në të vërtetë. Prandaj mos vendosni më shenjën e barazisë mes këtyre dy ndjenjave.

5. Tërheqja tregon dashuri dhe përputhje (kompatibilitet)
Njeriu është natyrë komplekse dhe priret t’i bashkërendojë emocionet e tij në të njëjtën linjë. Por kjo është e gabuar pasi tërheqja erotike apo dhe ‘’kimia’’ mes dy personave nuk janë shenjë e përputhjes në çift. Njerëzit ndajnë besime dhe vlera të përbashkëta si personaliteti, kultura, edukimi etj, por kjo nuk ka të bëjë me tërheqjen dhe nuk është shenjues i dashurisë.

6. Mjafton të duhemi dhe çdo gjë do të shkojë mirë
Romantikët idealistë vazhdojnë të mendojnë se dashuria mund gjithçka, shëron gjithçka, zgjidh gjithçka. Por nuk ndodh kështu. Jeta jonë përbëhet nga ndodhi të ndryshme dhe jo çdo gjë rrotullohet rreth dashurisë.

7. Nëse më do vërtetë, nuk mund të tërhiqesh nga të tjerë
Siç është shënuar dhe më lart, njerëzit priren ta shohin dashurinë si një forcë absolute, thuajse uzurpuese e jetës tonë. Për këtë arsye nuk mund të ndjejmë apo t’u japim hapësirë emocioneve të reja. Por sistemi psikik i njeriut është i prirur të vlerësojë të bukurën, atë që e tërheq. Prandaj edhe nëse jeni në një lidhje është nomale të vlerësoni objektivisht dikë tjetër.

8. Njeriu dashuron veç një herë në jetë
Në mëndësinë e përgjithshmë është thuajse utopike të duash më shumë se një herë në jetë. Por në të vërtetë njeriu ka aftësinë të dojë, urrejë apo ndjejë për dy njerëz njëkohësisht. Dashuria nuk është një objekt përsonal, një lodër nga e cila nuk shkëputemi dot. Ajo transformohet në rrjedhën e kohës dhe përjetësohet me njerëz të ndryshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat