Nuk ka nevojë të 'silleni mirë, në punë. Shkenca ju këshillon këto 5 gjëra

Life style

Nuk ka nevojë të 'silleni mirë, në punë. Shkenca ju këshillon këto 5 gjëra

Më: 18 gusht 2022 Në ora: 17:07
Ilustrim

Oscar Wilde njëherë tha se “disa njerëz sjellin gëzim kudo që shkojnë, ndërsa disa të tjerë sjellin gëzim sapo ikin”.

Dallimi midis këtyre dy llojeve të njerëzve kryesisht varet nga tiparet psikologjike, duke filluar nga stabiliteti emocional, inteligjenca emocionale, aftësitë sociale, apo edhe thjesht normat e sjelljes.

Faktorët kontekstualë, të tillë si kultura organizative, dinamikat e ekipit dhe njerëzit e tjerë, kanë rëndësi gjithashtu. Kjo është arsyeja pse i njëjti individ mund të sillet mirë në disa rrethana, por mund të ketë sjellje toksike në rrethana të tjera.

Fatkeqësisht, mirësjellja nuk shpërblehet gjithmonë. Siç thotë Jeffrey Pfeffer në librin e tij mbi fuqinë, ngrohtësia dhe mirësia shpesh interpretohen si shenja dobësie, sidomos nëse nuk i keni shfaqur ende kompetencat tuaja.

Sikur të mos mjaftonte kjo, individët narcisistë shpesh arrijnë të ngjiten në majën e hierarkisë organizative, duke përfituar nga ndershmëria dhe integriteti i njerëzve të tjerë dhe duke ?uar kështu përpara interesat e tyre në kurriz të sistemit, njësoj si parazitët.

E megjithatë, në planin afatgjatë, reputacioni ynë varet më së shumti nga mënyra se si trajtojmë të tjerët, veçanërisht kur nuk kemi ndonjë nevojë për t’u treguar domosdoshmërisht të sjellshëm. Qytetaria organizative është një përbërës kyç i performancës suaj në punë dhe të qenit i aftë në krijimin e marrëdhënieve me të tjerët është një faktor shumë i rëndësishëm për vlerësimin që do të merrni nga shefi juaj.

Edhe pse nuk janë të shumta organizatat që përfshijnë zyrtarisht përshtypjet e kolegëve në vlerësimet formale të performancës, do të ishte e logjikshme që kjo iniciativë të ndërmerrej nga më shumë kompani. Mendimet që kanë kolegët paraqesin një pamje profesionale tonën më të saktë sesa mendimet e menaxherit.

Pavarësisht stilit dhe personalitetit tuaj, ekziston gjithmonë mundësia për të përmirësuar sjelljen tuaj në punë. Ja disa rekomandime të thjeshta, të cilat sugjerohen nga shkenca:

Dëgjoni më shumë: Siç tregon një studim akademik i kohëve të fundit, sa më shumë që të dëgjoni, aq më shumë të tjerët ju besojnë dhe ju pëlqejnë.

Të dëgjuarit gjithashtu rrit efikasitetin tuaj si drejtues dhe perceptimin e të tjerëve për karakterin tuaj si lider. Është mjaft e thjeshtë të përmirësoni aftësitë tuaja të të dëgjuarit: mjafton të heshtni dhe t’i kushtoni vëmendje asaj që thonë të tjerët.

Përmirësoni të tjerët: Liderët më të mirë janë shpesh edhe trajnerë të shkëlqyer. E njëjta gjë vlen edhe për kolegët dhe punonjësit.

Nëse përpiqeni t’i kuptoni të tjerët dhe të bëni gjithçka që mundeni për të përmirësuar ecurinë e tyre dhe për t’i ndihmuar në përmbushjen e potencialit që kanë, ata do t’ju vlerësojnë më shumë dhe, kështu, ju do të nxirrni në pah aftësitë tuaja drejtuese.

Shmangni vlerësimet sipërfaqësore ose të rreme: Edhe pse vlerësimet mund të jenë shumë efektive, ato duhet të perceptohen si të vërteta. Me fjalë të tjera, pavarësisht nëse po i thoni gjërat me sinqeritet apo jo, ju duhet të konsideroheni si “autentikë” nga të tjerët, ose përndryshe këto vlerësime nuk do të japin rezultatet e duhura.

Siç thekson Irwin Goffman në esenë e tij mbi këtë temë, “Nëse i keni bërë një kompliment një personi ose keni shfaqur ndaj tij ndonjë vlerësim të veçantë, nuk duhet të demonstroni të njëjtën sjellje ndaj ndonjë personi tjetër në praninë e tij.”

Shmangni debatet e panevojshme: Kjo mund të jetë lehtësisht e kuptueshme, por debatet janë një nga burimet kryesore të konflikteve në vendin e punës dhe faktori kryesor që dëmton efektivitetin e ekipit dhe bashkëpunimin në grup. Në përgjithësi, njerëzit i bën të ndihen më mirë fakti nëse kanë të drejtë, sesa po të tregohen të sjellshëm, por këto dy gjëra nuk ka arsye pse të mos përputhen me njëra-tjetrën.

Siç ka thënë Dale Carnegie, “e vetmja mënyrë për të fituar një debat është duke e shmangur atë”. Megjithëse ka një nivel të caktuar të konfliktit që konsiderohet i shëndetshëm, në rastet kur ai është i moderuar dhe kuptimplotë, këshillohet që t’i zgjidhni me mençuri betejat tuaja.

Jini më tolerant: Megjithëse ndjeshmëria, aftësia për t’i parë gjërat nga këndvështrimi i njerëzve të tjerë dhe për t’u kujdesur për ta, shpesh lidhet me dashamirësinë në vendin e punës, ajo sigurisht që nuk mjafton.

Kini parasysh se pjesa e përbashkët e empatisë dhe e sjelljes prosociale është vetëm rreth 9%, dhe nuk është nevoja që të keni një lidhje emocionale me dikë për ta trajtuar atë më mirë dhe për të shfaqur dashamirësi racionale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat