​Si ta dini që një kompani ofron ngritje në karrierë?

Life style

​Si ta dini që një kompani ofron ngritje në karrierë?

Më: 28 shtator 2022 Në ora: 07:43
Foto ilustrim

Kërkesës për pagë dhe mjedis të mirë punë i është shtuar edhe mundësia për t’u promovuar. Sot ka pak punonjës që mjaftohen me një pagë të mirë dhe aty duan të qëndrojnë gjithë jetën. Rritja në karrierë ka befasi gjatë gjithë kohës; mundësi më shumë, njohuri më të mëdha dhe në një farë mënyrë edhe përfitime të shumta.

Ju keni vendosur për rritje në karrierë, por çështja është si ta dini që një kompani ofron një gjë të tillë? Këtë duhet të jeni në gjendje ta kuptoni që në intervistë të punës. Andaj Akademi Pune po ua lehtëson procesin duke ua treguar tri gjërat kryesore, në të cilat duhet të jeni të vëmendshëm gjatë intervistës së punës, në kërkim promovimit në punë.

Është roli promovim apo ulje?

A ju ka ndodhur ndonjëherë, të shkoni në intervistë të punës dhe ta kuptoni që ajo punë është nën aftësitë dhe përvojën tuaj? Ju mund të thoni që nuk është e nevojshme të shkoni në një intervistë pune kur e dini se cila pozitë është, por kjo nuk qëndron çdoherë. Ka shumë kompani në të cilat një pozitë e recepcionistit për shembull, mund të bëjë shumë më shumë punë sesa një menaxher aty.

Prandaj, është e rëndësishme që në intervistë të punës të dëgjoni me kujdes kur punëdhënësi i shpalos detyrat dhe përgjegjësitë e asaj pozite për të cilën keni aplikuar. A është një pozitë e cila ju mëson aftësi të reja vazhdimisht, apo mjaftohet me disa detyra? A ju sfidon gjatë gjithë kohës? A do të mësoni gjëra të reja në atë rol, apo do të jenë gjëra bazike? E nëse në punën e kaluar keni pasur rol të drejtuesit, duhet ta dini a do të keni aq përgjegjësi edhe në atë kompani.

Nëse jeni person që po kërkoni të rriteni në karrierë, mos e kërkoni rehatinë, kërkoni sfidat!

Çfarë ka ndodhur me paraardhësin tim?

Nëse më parë keni menduar që është turp të pyesni për punonjësin i cili ka qenë në pozitën tuaj para jush, e vërteta është që nuk është fare turp. Sigurisht pyetjet tuaja nuk duhet të jenë të lloji “A ka qenë i mirë apo i keq”, por duhet të përpiqeni ta kuptoni nëse ai punonjës ka kaluar në ndonjë pozitë tjetër në atë kompani. Nëse po, kjo është shenja më e mirë për ju, por edhe në qoftë se ka kaluar në një tjetër kompani të mirë, ky po ashtu është një informacion i shkëlqyeshëm. Është pikërisht ai që po ju duhet.

Sigurisht, punëdhënësi nuk ju thotë që ka shkuar në një kompani tjetër për shkak të pagës. Por, do t’ju përgjigjet që ka shkuar për mundësi të reja, është përshtatur më shumë ose thjesht nuk është më në mesin e tyre. Kjo lë për të nënkuptuar dhe nuk është pikërisht ajo që dëshironi ta dëgjoni (marrë parasysh ato gjëra që po fshihen pas asaj përgjigje, sepse askush nuk largohet nga një punë, ku aty i ka të gjitha).

A është premtuese?

Zakonisht ndjenja rreth një vendi të ri pune krijohet që në intervistë të punës. Personat me të cilët do të kesh të bësh pas pranimit të ofertës së punës, zakonisht do t’i kesh edhe në intervistë. Prandaj, atë energji që do ta marrësh në intervistë, atë do ta marrësh edhe gjatë procesit të punës.

Nëse punëdhënësi në intervistë thotë “patjetër që fillimisht do të të trajnojmë për punën, sepse janë disa gjëra të reja për ty që duhet t’i mësosh” ose “çdo punonjësit i duhet një kohë për t’i mësuar proceset e punës në kompaninë tonë, prandaj bashkë do ta kalojmë këtë proces” ose “mund të ndihesh i/e lirë të bësh pyetje sa të duash, e dimë që ka shumë gjëra për të mësuar në fillim dhe do të jemi të gatshëm ta bëjmë këtë”, atëherë kjo është një shenjë shumë e mirë për ju.

Po qe se ju thonë përgjigje të tilla si “siç po e përshkruani përvojën e punës, nuk paskeni nevojë edhe aq për ndihmën tonë, ta shohim se çfarë do të jeni në gjendje të bëni”, epo kjo jua jep një ndjesi krejtësisht tjetër. Cilit kandidat nuk do t’i ishte ndezur alarmi i kuq?

Pra, çdo intervistë jua jep përshtypjen të cilën jeni duke e kërkuar. Mos u frikësoni të bëni pyetje rreth mundësisë për ngritje! Nëse mendoni të ecni përpara me karrierën tuaj, mos u ngutni vetëm të punoni diku, mendoni për kriteret tuaja, pastaj vendosni! /Akademi Pune

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat