Ndryshimet përmirësojnë jetën!

Life style

Ndryshimet përmirësojnë jetën!

Më: 30 maj 2023 Në ora: 13:34
Foto ilustrim

Të keni të bëni me ndryshimin nuk është e thjeshtë. Të mësoheni me ndryshimet është bezdi, stresuese dhe mund t’ju frikësojë në disa raste. Por lajmi i mirë është se ekzistojnë hapa që ju ndihmojnë ta bëni jetën tuaj pak më të lehtë dhe të përballeni me të me intensitetin e duhur.

Të mësoheni me ndryshimet, shërben që të përmirësoheni? Ju ka ndodhur ndonjëherë që të ndiheni sikur jeni të lidhur me pranga? I përsërisni veprimet në mënyrë konstante dhe jeta ju duket se po zvogëlohet si në një sekuencë filmash të parashikueshme? Zakoni hyn ngadalë në jetën tuaj dhe kushtëzon gjestet, e po aq ngadalë filloni të hiqni dorë nga ide dhe qëllime të reja. Por të ndryshoni është e mundur. Si gjithmonë duhet të filloni nga hapat e vegjël. Kjo gjë ju lejon të fitoni aftësi të reja dhe qëndrueshmëri gjatë ndryshimit. Ndryshimi është e kundërta e të pasurit mendime dhe gjeste të zakonshme, do të thotë t’i jepni një shtysë të fortë vetes dhe të filloni të jeni më mendjehapur.

Mësoni të ndryshoni në gjestet e vogla

Sa herë i keni thënë vetes se “janë gjestet e vogla ato që bëjnë diferencën”? Atëherë është momenti i duhur për të vepruar. Stërvituni për të ndryshuar, duke filluar që nga gjërat e vogla:

• Ndryshoni rrugën që bëni nga shtëpia për në punë

• Ndryshoni vaktin e mëngjesit

• Shkoni në një restorant që sapo është hapur, i cili ju pëlqen, por nuk keni shkuar ende

• Vishuni me ngjyrë tjetër. Nëse ju pëlqejnë ngjyrat e errëta zgjidhni ngjyra të tjera më të gjalla e të ndezura, dhe e kundërta. Ekziston pastaj një ushtrim që mund të bëhet me shumë nivele. Varet shumë sesa dëshironi ta vini veten në provë.

• Ndryshoni mënyrën sesi silleni me të tjerët; një ushtrim që mund të duket banal, por ka fuqi të madhe.

Përshëndesni me buzëqeshje “Mirëdita!”, në vend të një fjale të thatë. Do të kuptoni se njerëzit do t’jua kthejnë me të njëjtin gëzim përshëndetjen dhe do t’ju buzëqeshin. Ndryshoni zakonet e dëmshme, për shembull: hiqni dorë nga duhani. Bëni aktivitet fizik. Është provuar se aktiviteti fizik ka efekte të shkëlqyera për mendjen. Duke ndryshuar, do të krioni hapësirë për botën, e cila është e mbushur plot me gjëra të reja. Do të ndiheni më brilantë e me besim për të ardhmen.

Ndryshimi krijon këndvështrime dhe pritshmëri që ju përmirësojnë. Studimet shkencore kanë treguar se të stërvisim trurin dhe të përballojmë situata të ndryshme shton memorien, vetëkontrollin dhe aftësinë vendimarrëse. Të ndryshoni zakonet tuaja, ju ndihmon të jeni më të sigurt te vetja, të jeni më pak të ashpër për të kaluarën dhe për pasojë të mos përfshiheni nga paqendrueshmëria sa herë që ndodh diçka e papritur. Kujtoni gjithmonë se jeta nuk është statike, jeta është mutacion dhe të mësoni të jeni pjesë e ndryshimeve të tilla ju afron më shumë me lumturinë.

Shkenca na tregon se ndryshimi është i vazhdueshëm në gjithçka që ju rrethon: në energjinë e tokës, në kimi, në biologjinë e trupit, ndaj mësoni të jeni pjesë e tyre, të mos e shihni jetën me frikë, por me shpresë. Mos merrni në konsideratë fundin, por një fillim të ri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat