Është e rëndësishme të kuptoni historitë dhe paragjykimet tuaja përpara se të bisedoni me vajzën tuaj, sepse ato mund të jenë shkak për mosmarrëveshje të mundshme
Ajo që vesh vajza juaj varet nga kultura në të cilën jetoni, kultura ku jeni rritur vetë dhe sa mirë e njihni personalitetin e saj. Pothuajse çdo kulturë promovon kontrollin prindëror, duke komentuar zgjedhjet e fëmijëve dhe duke vendosur rregulla rreth ndryshimeve që lidhen me trupin e femrës.
Ka shumë rregulla të pashkruara, por një e vërtetë është objektive: ju dëshironi të mbroni vajzën tuaj. Por cila është mënyra e duhur?
Gjëja e parë që duhet të bëni është të reflektoni për mënyrën si ndiheni për trupin tuaj dhe për veshjet që zgjidhni. Jo më kot thuhet: “Fillimi është nga vetja”. Kur keni qenë adoleshente, a keni dashur të eksperimentonit me veshjen? Me diçka më modeste? Apo diçka që binte në sy? A ishit të lira të ndiheshit si një individ autentik? Është me rëndësi të kuptoni historitë dhe paragjykimet personale përpara se të flisni me vajzën tuaj , sepse këto ndjesi mund të ndikojnë kur e shihni, bie fjala, “belin e saj të zhveshur”,.
Kur të vijë puna te vajza juaj, përqendrohuni në pamjen e përgjithshme. Çfarë do të ndodhë me marrëdhënien tuaj nëse nuk e lejoni të veshë një fanellë të shkurtër? A është vajza juaj tipi që turpërohet dhe tërhiqet? Apo do t’i veshë gjithsesi rrobat që dëshiron, pa lejen tuaj? A do ta largojë mosmiratimi juaj, apo do t’ju afrojë?
Këto pyetje duhet t’ju ndihmojnë të arrini në disa përfundime mbi mënyrën si ta vazhdoni bisedën. Diskutimi për veshjen është një mundësi për të marrë vendime së bashku, në mënyrë që të ndiheni të respektuar të dyja. Qasuni me prani dhe bashkëpunim.
Mund t’i thoni diçka të tillë: “Më duket pak e sikletshme ideja e fustaneve shumë të shkurtër, sepse tregojnë shumë lëkurë. Por e kuptoj që ky është stili i sotëm dhe dua që ti të ndihesh e sigurt dhe e lumtur me atë që vesh. Si mund ta zgjidhim këtë bashkë?”
Dëgjoni më shumë sesa flisni dhe shikoni nëse mund të arrini një kompromis – që do të thotë të dyja palët heqin dorë nga diçka. Qëllimi nuk është kontrolli mbi vajzën tuaj, por ndërtimi i një dialogu.
Ndihmojeni atë të piqet pa turp, por me një ndjenjë mase dhe shije, raporton “WashingtonPost”.