Skena ikonike e orgazmës së rreme nga filmi “Kur Harry Met Sally” (1989) ka mbetur në histori jo vetëm për humorin, por sepse preku një realitet të përhapur: shumë njerëz, veçanërisht gra, imitojnë orgazmën gjatë seksit. Por ndryshe nga sa besohet shpesh, fenomeni nuk lidhet domosdoshmërisht me “performancë të dobët”, por me dinamikat emocionale dhe psikologjike të marrëdhënies.
Këtë e konfirmon edhe një studim i psikologut Peter Jonason nga Universiteti Western Sydney në Australi. Në kërkimin e tij, mbi 650 vullnetarë shqyrtuan 37 arsye të ndryshme pse dikush do të simulonte orgazmën. Rezultatet u reduktuan në pesë motive kryesore, të përbashkëta si për gratë, ashtu edhe për burrat.
1. Për të konfirmuar partnerin
Arsyeja më e zakonshme ishte dëshira për t’i treguar partnerit se është seksualisht “i mjaftueshëm”. Simulimi shërben si një mesazh mbështetës: “Më pëlqen ajo që po bën.” Edhe pse jo gjithmonë i vërtetë, ai synon të ruajë vetëbesimin e partnerit.
2. Nga mërzitja ose rutina
Kur marrëdhënia seksuale kthehet në detyrë, disa zgjedhin ta përfundojnë sa më shpejt duke simuluar. Orgazma e rreme bëhet kështu një mënyrë për të shmangur zgjatjen e një situate të mërzitshme.
3. Për të rritur atmosferën dhe pasionin
Disa persona imitojnë kulmin vetëm për të ndezur partnerin dhe për t’i dhënë energji aktit intim. Në disa raste, thonë studiuesit, “lojërat” përfundojnë duke sjellë një orgazmë të vërtetë.
4. Për të shmangur tensionet dhe diskutimet
Simulimi përdoret shpesh për të shmangur konfliktet pas një performancë të dobët. Një orgazmë e rreme, shpjegojnë pjesëmarrësit, çon në një përqafim dhe ul presionin emocional, duke evituar biseda të vështira.
5. Për të mbuluar probleme të tjera
Edhe pse më të rralla, disa raste lidhen me dëshirën për të fshehur pakënaqësi të thella në marrëdhënie, ose madje dyshime për një partner të tretë. Orgazma e rreme bëhet kështu një mënyrë për të shmangur pyetjet e vështira.
Përfundimi i studiuesve
Jonason thekson se simulimi i orgazmës është një pasqyrë e gjendjes emocionale të çiftit, më shumë sesa e aftësisë seksuale. Më pak fshehtësi dhe më shumë komunikim, sipas psikologëve, mund të sillnin jo vetëm intimitet më të shëndetshëm, por edhe marrëdhënie më të ndershme.