Pas frazës së zakonshme që themi shpesh, ndoshta pa e menduar gjatë, sa herë që jemi me miqtë dhe qeshim, “daltë për mirë”, mund të fshihet një frikë e rrënjosur thellë: ideja se çdo gjë e bukur që na ndodh do të ketë një çmim dhe se pas saj mund të vijë diçka e keqe.
Për disa njerëz, kjo frikë shkon edhe më tej. Ata mund të shmangin situatat e këndshme, aktivitetet argëtuese apo edhe mundësitë që mund t’u sjellin ndryshime pozitive në jetë, vetëm sepse kanë frikë nga ajo që mund të pasojë. Kjo gjendje njihet si kerofobi (cherophobia), një frikë irracionale ndaj ndjenjës së gëzimit ose lumturisë.
Edhe pse kerofobia nuk klasifikohet si një çrregullim më vete në Diagnostic and Statistical Manual of Mental Disorders (DSM), simptomat e saj mund të ndikojnë realisht në mënyrën se si një person e përjeton jetën.
Sipas Healthline, disa nga shenjat mund të jenë:
– Ankth kur na ftojnë në aktivitete shoqërore.
– Shmangia e mundësive që mund të sjellin ndryshime pozitive, nga frika se diçka e keqe do të pasojë.
– Refuzimi për të marrë pjesë në aktivitete argëtuese.
– Mendimi se diçka e keqe do të ndodhë sa herë që ndihemi të lumtur.
– Besimi se gëzimi na bën njerëz “të këqij” ose “më të këqij”.
– Besimi se është e gabuar që miqtë apo familjarët të shprehin gëzim.
– Mendimi se ndjekja e lumturisë është humbje kohe dhe energjie.
Në një epokë ku gëzimi dhe lumturia shpesh shihen si synime madhore të jetës, mund të duket paradoksale të kesh frikë nga emocionet pozitive. Por, sipas psikiatres Carrie Barron, kjo frikë mund të ketë një shpjegim, veçanërisht kur një person i ka lidhur që në fëmijëri emocionet e këndshme me fajin, ndëshkimin ose zhgënjimin.
Për shembull, një person mund të ketë përjetuar një ngjarje të bukur dhe, rastësisht, menjëherë pas saj të ketë ndodhur diçka e pakëndshme. Edhe pse dy ngjarjet nuk kanë pasur asnjë lidhje shkakësore, mendja mund t’i lidhë ato. Me kalimin e kohës, krijohet frika se “nëse jam shumë i lumtur, diçka e keqe do të ndodhë”.
Blogerja Stephanie Yeboah e ka përshkruar kështu përvojën e saj me kerofobinë:
“Nuk do të thotë domosdoshmërisht se jeton në mjerim gjatë gjithë kohës. Në rastin tim, ajo u shkaktua nga ngjarje traumatike. Pra, edhe ngjarje si festimi i një fitoreje ose përfundimi i një detyre të vështirë më bëjnë të ndihem në siklet.”
Por si mund të përballemi me këtë frikë?
Ekspertët sugjerojnë që personat që e njohin veten në këto përshkrime të kërkojnë ndihmën e profesionistëve të shëndetit mendor. Një pjesë e procesit mund të jetë rikthimi te përvojat e së kaluarës që kanë krijuar këtë lidhje mes gëzimit dhe frikës, duke i parë ato nga një këndvështrim i ri.
Fundja, të ndihesh mirë nuk do të thotë se po fton diçka të keqe të ndodhë. Ndonjëherë, “daltë për mirë” është thjesht një urim, jo një paralajmërim.