4 sjellje që ju bëjnë të dukeni me status të lartë në punë

Lifestyle

4 sjellje që ju bëjnë të dukeni me status të lartë në punë

Më: 6 tetor 2026 Në ora: 09:58
Fotoilustrim

Përshtypja e parë krijohet shumë shpejt. Dhe, përveç asaj që thoni, mënyra si qëndroni, lëvizni dhe flisni mund të ndikojë në mënyrën se si ju perceptojnë të tjerët.

Në një intervistë pune apo takim të rëndësishëm, është krejt normale të ndiheni nervozë. Por edhe kur jeni në ankth, mund të përcillni qetësi dhe vetëbesim përmes disa detajeve të vogla në sjellje.

Ekspertja e karrierës Grace McCarrick shpjegon se njerëzit bëjnë vlerësime shumë të shpejta për statusin, sigurinë dhe kompetencën e dikujt. Sipas saj, disa sjellje të thjeshta mund t'ju bëjnë të dukeni më të sigurt.

1. Përdorni mimikën e fytyrës

Mos e mbani fytyrën të ngrirë gjatë një bisede. Njerëzit që shfaqin natyrshëm emocione përmes mimikës perceptohen si më të afrueshëm, më të kuptueshëm dhe më të pëlqyeshëm.

Nuk është e nevojshme të buzëqeshni vazhdimisht. Mjafton që reagimet tuaja të jenë natyrale dhe të tregojnë se jeni të përfshirë në bisedë.

2. Mos u merrni vazhdimisht me flokët apo rrobat

Prekja e flokëve, rregullimi i rrobave, lëvizja pa pushim apo luajtja me sende mund të japin përshtypjen e nervozizmit.

Sipas McCarrick, njerëzit që bëjnë më pak lëvizje të tilla perceptohen si me më shumë vetëbesim dhe status.

Pra, në vend që të mendoni vazhdimisht se çfarë po bëni me duart, përpiquni të qëndroni të qetë dhe të përqendroheni te biseda.

3. Mbani një qëndrim të hapur

Gjuha e trupit flet edhe kur ju nuk thoni asgjë.

Shpatullat e relaksuara, duart të lira dhe një pozicion natyral mund t'ju bëjnë të dukeni më të sigurt. Në të kundërt, qëndrimi i mbyllur, si kryqëzimi i krahëve në gjoks, mund të japë një përshtypje më mbrojtëse ose të distancuar.

Nuk bëhet fjalë për të marrë një "pozë pushteti", por thjesht për të mos lejuar që tensioni të duket në trup.

4. Flisni me një ton të qëndrueshëm

Kur jemi nervozë, shpesh flasim më shpejt ose ndryshojmë pa e kuptuar ritmin dhe tonin e zërit.

Një mënyrë e qetë dhe e qëndrueshme të foluri mund të përcjellë më shumë siguri. Kjo nuk do të thotë të flisni me zë të ulët me çdo kusht, por të shmangni ritmin e nxituar dhe ndryshimet e forta në ton.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat