I fejuari nuk pranon të ndahet nga unë

Life style

I fejuari nuk pranon të ndahet nga unë

Më: 20 korrik 2016 Në ora: 21:42
Ilustrim

Jam një vajzë 26 vjeçe. Vendosa t’ju shkruaj që ta bëj publike historinë time duke ditur se gazeta juaj lexohet nga shumë njerëz. Unë kam një histori të veçantë nga ato të vajzave të tjera të moshës sime. Ndoshta ato kanë problem me të dashurit se i tradhtojnë apo nuk i duan sa sto, kurse unë kam problem se nuk po arrij ta largoj dot të fejuarin tim! Ndoshta do të habiteni nga kjo që sapo lexuat, por ja ku po jua tregoj se pse…


Unë isha 16 vjeçe dhe isha në shkollë të mesme kur u dashurova me të. Ai ishte maturant dhe e donim shumë njëri-tjetrin. Kur ai mbaroi, nuk u fut në universitet sepse nuk kishte nota shumë të mira. Punoi disa kohë si kamerier, më vonë u fut në një kurs për xhenerik dhe filloi punë në një servis. Ndërkohë, unë vazhdoja shkollën e mesme. Ende nuk ishim prezantuar me familjet për shkak të moshës dhe takoheshim kur të kishim mundësi, që të mos binim në sy. Mirëpo edhe pse nuk ishim të fejuar, unë mbeta shtatzënë duke e ditur se në këto kohë, Shqipëria ka mjaft vende ku mund të takohesh fshehurazi e të bësh çfarë të duash. Kjo ndodhi kur unë isha në vitin e fundit, pra 18 vjeçe.


– Duhet t’ua themi prindërve. – më tha ai, kur e mori vesh.
– Po, pak muaj mund ta fsheh. Nuk kemi pse nxitohemi.
– Të nxitohemi!? E pse nuk duhet t’ua themi? – u nxeh ai me të drejtë. Jo shumë djem mund të ta kërkojnë menjëherë të martohesh.
– Po ja, ndoshta nuk mund ta mbajmë këtë fëmijë. Të dy jemi të vegjël dhe një fëmijë do të thotë të martohemi të rinj dhe të na pritet jeta në mes.
– Nuk e kuptoj ku do të dalësh… Ti nuk e do këtë fëmijë?
– E dua – i thashë – por…
– Çfarë por? Shprehu qartë që ta marr vesh se ku e ke hallin.
– Po sikur ta abortoj? Në të rinj jemi e do të bëjmë fëmijë të tjerë.
– Çfarë? – u skandalizua ai – Në vend që këto fjalë t’i thoja unë që jam djalë dhe asnjë djalë nuk do të martohet kaq shpejt, i thua ti! Nejse, nëse do, mund ta heqësh. Unë të dua aq shumë sa do ta pranoja edhe këtë krim.
– Krim!? – u habita.
– Po, krim është të vrasësh një shpirt. Pse, si të duket ty?
Në fakt, ashtu ishte. Nuk e kisha menduar kështu. Thjesht po mendoja vetëm se çfarë do të thonë të tjerët e asgjë më shumë. Nuk po mendoja as për veten se çfarë do të hiqja e ç’e keqe do të më vinte më pas dhe as për një shpirt që do ta vrisja pa faj.
– Më fal, zemër… Por, që në çastin që e mora vesh jam si e hutuar dhe nuk e dija se ç’po flisja. Për momentin ta mbajmë të fshehtë e të gjejmë një mënyrë për t’ua thënë prindërve, që të mos inatosen.
– Këtu jam dakord me ty.


Isha me fat që kisha në krah një djalë të tillë. Ishte shumë i pjekur për moshën që kishte, por edhe pse ai më jepte kurajo, unë ndjeja një boshllëk në zemër dhe isha bërë pak si e hutuar. Edhe në mësime kisha rënë pak. Jo se kisha të vjella a gjëra të tjera që i ka shtatzania, por ndihesha me faj që kisha bërë diçka jashtë normave. Familja ime ishte shumë e disiplinuar dhe veçanërisht mami, ishte shumë e preokupuar për nderin tonë. Kaluan dy muajt e parë dhe meqenëse unë kisha një fizik të dobët, nuk dukesha fare që isha shtatzënë. Shkolla mbaroi, por në këtë kohë edhe unë po prisja se çfarë dege do të më dilte për në universitet. Po e prisja me padurim për dy arsye. E para, se kisha nota të mira dhe kisha mësuar gjithë jetës për këtë çast dhe e dyta, nëse më dilte një degë e mirë (që sigurisht do të më dilte, nga rezultatet e mia të shkëlqyera) do ta kisha më të lehtë t’ua thoja prindërve se isha shtatzënë.


Kjo bëri që të isha edhe më e menduar. Jo vetëm në shtëpi, por edhe kur dilja, isha sikur jetoja në një botë tjetër. Kur hidhja hapat nëpër rrugë, nuk e kisha mendjen te rruga, por tek ato që më mundonin, kështu që për fatin tim të zi, teksa po kaloja rrugën në një ditë tepër të nxehtë vere, një makinë më përplasi keq në trotuar. Ishte një shofere e re që sapo kishte marrë patentën. Përnjëherë më humbën ndjenjat dhe nuk mbaj mend asgjë, vetëm veten në spital pas shumë orësh. Mbi kokën time qëndronin gati gjithë fisi. Kur hapa sytë, të gjithë më buzëqeshnin. Në atë çast, infermierja iu tha se duhej të dilnin jashtë e me mua të rrinin vetëm të familjes.


– Mirë se u ktheve, bijë! – Më tha babai, ndërsa nëna i kishte sytë me lot dhe qortues. Përnjëherë u kujtova dhe vura dorën te barku. Nëna vuri dorën e saj tek e imja dhe ia plasi të qarit.
– Më fal mami! – thashë me një zë që mezi ma dëgjuan. – unë… doja të të treg…
– Mos u sforco të flasësh, zemër. – më tha babai.
– Ti je e re, ke gjithë jetën para, do bëhesh se s’bën nënë. Duhej të ma kishe thënë mua, por s’ka gjë. Jeta kështu është, moj vajzë. Nuk ka qenë e shkruar të vinte në jetë. – tha mami mes lotësh.
“Pra, e paskam humbur fëmijën, mendova. Unë ia dola, ndërsa fëmija jo. Kisha dashur ta abortoja dhe ai ia gjeti mënyrën që të mos vinte në jetë e unë të mos shqetësohesha.”.
Në atë kohë, doktori hyri në dhomë dhe më shkëputi nga këto mendime.
– Qenke zgjuar? – më pyeti ai, edhe pse e dinte këtë nga infermierja që ishte aty kur unë u zgjova. – Ti je shumë e fortë. Përballove një aksident që mund të kishte përfunduar ndryshe.
– E përballova? Edhe pse humba…
– Po të paktën shpëtove ti, – ma ndërpreu ai atë që po thosha. – Ti tani duhet të mendosh për gjëra të tjera. Duhet të jesh e fortë ta përballosh jetën. Je shumë e re dhe me sa kam marrë vesh unë, je një nxënëse e shkëlqyer. – Gjithë këto lëvdata nuk m’u dukën shenjë e mirë, por nuk e mendova gjatë. – Tani duhet ta lini të qetë dhe të mos grumbulloheni shumë veta këtu. – u tha prindërve.
– Dakord doktor, po përgjigjja që duhet të dilte në orën 5, a doli? – e pyeti babi.
– Po, prandaj erdha. Për momentin, – u kthye nga unë – ti nuk je në gjendje të ecësh si më parë. Nuk dua të të fsheh asgjë se e di që kam të bëj me një vajzë të fortë e më shumë vullnet. Me fizioterapi, gjithçka do të rregullohet – këto fjalë ishin si një çekiç në kokën time. – do të kalojë pak kohë, por nëse do të punosh shumë me trupin tënd, do të ecësh ashtu si më parë. Në të kundërt, nuk e di se çfarë mund të them… – e la fjalën përgjysmë, por unë e kuptova se çfarë donte të thoshte.
– Po doktor… – nëna nuk po arrinte të gjente fjalët. – vajza nuk do të…
– Asgjë nuk do të jetë e përhershme, unë këtë po thoja. Duhet shumë punë e optimizëm dhe çdo gjë do të jetë si më parë. Tani po iki se kam një tjetër pacient që po më pret. Do të kthehem përsëri.
Nëna ende qante e nuk gjente dot guximin të më thoshte ndonjë fjalë. Babai kishte ulur kokën ndër duar. Mua po më dilnin instinktivisht lotët nga sytë duke më rënë në jastëk.


Brenda disa orëve jeta ime kishte marrë një kthesë të fuqishme. Ishte shkatërruar gjithçka në pak minuta nga ai aksident. E si mund të bëhesha e fortë në këto kushte? Pse? Pse? Vetëm kjo pyetje më shkonte ndërmend, por nga qetësuesit, rashë përsëri në gjumë e kështu, disa ditë në spital kaluan njësoj. Njerëz vinin e më shihnin duke iu ardhur keq për mua. Nëna e babai që rrinin aty si dy njerëz të cilët nuk e dinin çfarë të bënin e unë që më shumë flija nga qetësuesit e kur isha zgjuar nuk kisha çfarë të thoja. Fillova fizioterapinë dhe pas disa ditësh, dola nga spitali. Fizioterapisti më vinte në shtëpi.


– Të lutem, përkushtohu pak. Po nuk deshe me shpirt të shërohesh, është më e vështirë. – më tha terapisti një ditë.
Po unë asgjë nuk po ndjeja. Një ditë ra dera dhe dëgjova se mami po fliste më një djalë. Pas pak çastesh, në dhomën ku unë isha shtrirë u fut Altini. Nuk po iu besoja syve. Ai u afrua drejt meje dhe mbështeti kokën te gjoksi ime e ashtu duke qarë, kaloi disa çaste.
– Zemër, si je? – u kujtua ai të thoshte pasi fshiu lotët. – nuk e dija çfarë të bëja kur e mora vesh. Por sot e vendosa dhe nuk rrija dot pa të parë. Gjithçka do të rregullohet…
– Gjithçka? Po unë nuk mund të eci më. Këtë e di?
– E di zemër, por di dhe se kjo nuk është e përhershme. Ti do të luftosh, unë do të të ndihmoj e së bashku do të bëjmë që ti të ecësh përsëri. Jeta është e gjatë, kemi kohë sa të duash.
– Po ti do të mund të durosh që e fejuara jote të ecë me karrocë?
– Unë të dua sido që të jesh, zemër.


Ai nuk bindej të hiqte dorë nga unë. Pas pak ditësh solli në shtëpi prindërit e tij për të më kërkuar dorën. Unë nuk dola fare nga dhoma. E pse duhej të dilja? Që vjehrri dhe vjehrra të shikonin nusen në karrocë? Nesje, atë ditë babai nuk iu dha përgjigje. Altini vinte çdo ditë të më shihte. Nganjëherë nuk ikte natën po flinte te këmbët e krevatit tim. Unë ndërkohë e vazhdoja terapinë, por nuk kisha ende ndryshim. Për fat, më doli dhe shkolla e lartë, një nga degët më të preferuara.


– Nuk do të shkoj në shkollë. – u thashë prindërve dhe Altinit. – nuk shkoj me karrocë invalidi, të më qeshin të gjithë.
– E ke gabim zemër, – më tha Altini dhe më mori e më çoi ditën e parë të shkollës duke e shtyrë vetë karrocën. Atë ditë pashë se asnjë nuk u tall me mua, madje më ofruan ndihmën e tyre. Megjithatë, unë nuk ndihesha optimiste për asgjë.
– Këtë të diel do të fejohemi. – më tha Altini.
– Unë nuk fejohem kështu siç jam. Ti duhet të më lësh mua e të vazhdosh jetën tënde.
– As që më shkon ndërmend një gjë e tillë. Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet.
– Kush, ne? – pyeta.
– Dy familjet. Nuk ka kuptim kjo punë. Ne bashkë rrimë e të mos fejohemi?! Nuk kemi asnjë të huaj, vetëm dy familjet.


E bëmë fejesën, por unë ndihesha sikur po mbytesha. Nuk do të arrija të ecja e nuk e di si do të shkonte kjo fejesë.
Ende sot e kësaj dite vazhdoj të jem e lidhur me Altinin. Tani nuk eci në karrocë, por me paterica. Dua që ai të largohet nga unë e të vazhdojë jetën e tij, por e kam të pamundur ta bëj këtë. Tani mua më duan shumë edhe prindërit e tij dhe prindërit e mi e duan Altinin shumë, por unë nuk dua ta pengoj më atë në jetën e tij. Nuk i dihet në do të mund të jem dot normale e kur do të jem. Mjaft vite ka kaluar ai duke pritur shërimin tim…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat