Mos e bëj kurrë nënën të qajë, sidomos në një ditë si kjo

Life style

Mos e bëj kurrë nënën të qajë, sidomos në një ditë si kjo

Më: 7 tetor 2016 Në ora: 20:12
Ilustrim

“Vishu”. Të gjithë e dimë këtë shprehje. Shprehjen që bashkon të gjitha nënat anë e mbanë botës. E dëgjojmë në përditshmëri, nga afër ose në një bisedë telefonike. Ajo është atje, gjithmonë për të na thënë të vishemi mirë. Çfarëdo moshe që të kesh, gjithmonë koha do të jetë e keqe për ty dhe do të duhet të vishesh. Madje edhe kur je 40 vjeç dhe ke dy fëmijë.

Gjithmonë në kontekstin e shakasë dhe jo të ironisë, paragrafi i mësipërm përshkruan brenda pak fjalëve femrën që na solli në jetë. Nënën tonë. Një emër, mijëra eksperienca jete, të gdhendura brenda nesh. Personi i vetëm që mendon për veprimet tona, para se ne t’i bëjmë ato.

Na lindi, na rriti, ishte e pranishme në të gjitha hapat e jetës dhe jo në disa. Nuk mundet kjo femër të mos ketë vend në jetën tënde, mos mësojë se çfare të shqeteson e çfarë të gëzon. Sepse mos harroni, çdo nënë është si Google, di gjithçka.

Ajo do të të mbështesë në çdo hap, të saktë apo të gabuar. Do gjejë mënyrën të justifikojë veprimet tona. Je fëmija i saj. Të solli në këtë botë, je pjesë e saj.

Që kur kemi qenë të vegjël na kanë thënë “Nënën ta kesh mbi të gjitha” dhe ndonjëherë nuk na vinte mirë, sepse mund të ishim kapur me të për një gjë të parëndësishme. Por e vërteta është që nuk ekziston zënie kur në mes të saj përfshihet nëna. E dini pse? Sepse ajo nuk është e aftë të mbajë inat. Ky është sekreti. Nëna çfarëdo që të bësh, çfarëdo që të thuash nuk ka për t’u mërzitur me ty.

Sa ka vuajtur çdo nënë në heshtje, askush nuk e ka mësuar. Sa ka qarë kur nuk ia kemi dalë, por ne na ka shprehur vetëm mbështetje dhe na ka dhënë forcë për të vazhduar.

Ndaj nëna është dhe do të jetë gjithmonë njeriu ynë më i mirë. Fatkeqësisht këtë e kuptojmë shumë vonë. Kështu që është mirë që sa e kemi në krah t’i ofrojmë vetëm buzëqeshje dhe gëzime, jo mërzitje dhe lot. E thamë fundja. Ajo vuan më shumë nga të gjithë. Nëna jonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat