Rrëfimi i shqiptares: Burri më futi një shuplakë por ja çfarë i bëra unë

Life style

Rrëfimi i shqiptares: Burri më futi një shuplakë por ja çfarë i bëra unë

Më: 24 shkurt 2017 Në ora: 10:46
Ilustrim

Një grua shqiptare, e cila prej pak kohësh jeton në SHBA me bashkëshortin e saj dhe me djalin, ka kërkuar ndihmë për të marrë një vendim.

Ajo i ka rrëfyer psikologes se një situatë të vështirë që ka kaluar, ku pas një sherri me të shoqin, kanë përfunduar duke dhunuar njëri-tjetrin. Lexoni historinë e plotë dhe këshillën që psikologia Adelina Pjetra i ka dhënë.

Rrëfimi i gruas:

“Unë dhe im shoq kemi 8 vite bashkë, 5 vite të martuar dhe 3 vite lidhje para martese. Kemi kaluar shumë mirë bashkë, megjithëse kemi patur ulje-gritjet tona, zënka dhe debate, por prapë në darkë pajtoheshim dhe flinim të përqafuar. Të dy vijmë nga familje relativisht të emancipuara dhe kemi bërë universitete e mastera jashtë (jo për të shitur mend, por për të krijuar një panoramë më të gjerë të formimit tonë). Jetojmë në SHBA momentalisht dhe fillimi këtej ka qenë i vështirë sa gjeti bashkëshorti punë dhe një apartament.

Pas shumë vitesh përpjekjeje për një shtatzëni, sa vijmë këtej, unë mbeta shtatzënë dhe tani kemi një princ dy muajsh. Në Shqipëri kishim të dy të ardhura të mira dhe punë të mira, unë madje e kisha rrogën pothuaj sa dyfishi i tim shoqi, ndërsa tani jam e varur nga ai ekonomikisht. Nuk kursenim dot shumë në Shqipëri, se blemë shtëpi me kredi, plus mbanim familjen e tij me para, megjithëse jetonim veç. Nuk e kam patur problem këtë pjesë se kishim mundësi, pa i ndihmonim. Dje pas një debati fare banal njëra fjalë solli tjetrën dhe e pashë veten me një shuplakë fytyrës. E tërbuar nga inati ia ktheva dhe unë një shuplakë, e ai një tjetër. Ia plasa të qarit si fëmijë dhe u largova nga dhoma e tronditur nga ajo që kishte ndodhur.

S’kishte bërë vaki në gjithë këto vite të degradonte situata deri këtu. E vërtetë është që kemi kaluar strese plus ardhja e një bebi të rrit përgjegjësinë dhe ai tani ka barrën financiare, por kjo është e përkohshme se pas disa muajsh do punoj edhe unë. Megjithëse s’na ka munguar gjë deri tani. Të nesërmen filloi të më fliste sikur s’kishte ndodhur gjë. I thashë të mos më flasë për gjëra që nuk kanë lidhje me djalin dhe se nuk e shihja dot me sy në ato momente. Pastaj më kërkoi falje, por jo një falje të ndjerë se ishte në siklet. E di që është penduar dhe sot u çua, bëri mëngjesin dhe ca punë të bezdisshme që nuk para i bën… Por mua m’u shemb gjithë besimi në martesën tonë.

Nuk më bëhet fare ta fal. Jam ndjerë shumë e poshtëruar dhe e lënduar, akoma nuk e besoj që ka ndodhur. Nuk dua të shqetësoj familjarët e mi që në këtë moment kanë një hall të madh shëndetësor të vëllait. Po të isha në Shqipëri do isha larguar nga shtëpia ose do kisha përzënë atë, por këtu gjërat janë më të vështira. Më mbushen sytë me lot kur shoh djalin dhe jam shumë konfuze si të veproj. Ai është baba i mirë, kujdeset për të, e mban kur vjen nga puna, e ndërron, e llaston me lodra etj.

Nëse largohem djali nuk do ketë të atin, nëse qëndroj unë do jem e pa lumtur se nuk e harroj dot atë që ndodhi, e për pasojë do jemi të pa lumtur me tim shoq. Në asnjë nga familjet tona nuk kemi patur shembuj dhune, po fundja shkolla dhe prejardhja familjare nuk pijnë ujë kur ke temperament të nxehtë dhe nuk kontrollon dot veten. Të dy kemi temperament të nxehtë, por gjithmonë njëri toleron. Ndodhem në udhëkryq. Kam nevojë për një këshillë. Falemiderit! Anonim të lutem.”

Përgjigjja e psikologes:

“E dashur.

Pikë së pari të sugjeroj të bësh një “Time out” , të kuptosh më qartë ndjesitë dhe mendimet e tua. Një vendim që merret në inat e sipër nuk rezulton gjithmonë të jetë ai i duhuri. Vlerëso më qartë situatën në të cilën u ndodhe, si erdhi ajo? Çfarë e degradoi në sjellje fizike? Si veprove ti? Dhe po të ndodhte sërish tani e njëjta situatë , çfarë do bëje ndryshe? Aspak nuk e toleroj dhunën,të asnjë lloj forme që shfaqet ajo, por gjithashtu shikoj që ju jeni shprehur “Jemi të dy impulsivë” dhe “ ai një shuplakë dhe unë një tjetër atij”.

Atëherë e dashur, le të vlerësojmë pak situatën.

Çfarë ndodhi? Ashtu si martesa që u vendos me miratimin e të dyve, edhe divorci duhet të jetë me miratimin e të dyve (idealja). Në këtë mënyrë fëmijës tuaj s’ka përse t’i mungojë babai, pasi një divorc nuk të lë pa baba. ( ai do të ketë detyrime dhe përgjegjësi përsëri). Në qoftë se, po mendoni një divorc, se jeni e pa lumtur dhe nuk e dashuroni më bashkëshortin tuaj, atëherë mund të pranohet. Askush nuk do dëshironte të jetonte në një martesë pa lumturi dhe dashuri. Dhe përsëri më duhet t’ju pyes: A e dashuroni më burrin tuaj? Realisht? A po mendoni një divorc tani, që jeni e mërzitur e zemëruar e inatosur?

Çfarë do ju këshilloja unë? Në qoftë se keni mundësi do ju këshilloja një terapi në çift, para se të merren disa vendime të rëndësishme, duhet të sigurohesh që t’i bëre gjithçka që kishe në dorë për të funksionuar dhe të jesh më e bindur për vendimin që duhet të marrësh, i cili do  të jetë realisht ajo çfarë dëshiron dhe është më e mira për ty, pa pasur një peng që të mban pezull në të kaluarën. ( Kjo do të vlejë në dy drejtime gjithashtu: Ose ta falësh dhe ta lësh të ikë ky moment, duke u fokusuar në të ardhmen, ose të divorcohesh duke qenë e gatshme për të lënë pas të kaluarën dhe për të krijuar një të ardhme). Siç e shikon në të dyja rastet, do të të duhet të “lësh pas” diçka…. Dhe sigurisht vendimi final është vetëm i yti”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat