Të vërtetat dhe mitet e herës së pare të seksit

Life style

Të vërtetat dhe mitet e herës së pare të seksit

Më: 17 maj 2017 Në ora: 07:11
Ilustrim

Gjëja më e rëndësishme është të mos lejosh që dikush të të bëjë presion për të bërë sex nëse nuk je i/e interesuar. Vendimi për të bërë sex me dikë për herë të parë ( dhe çdo herë mbas saj) është i yti, vetëm i yti. Mos harro, është shumë normale të presësh para se të bësh sex, nuk është as herët as vonë, sepse çdo njeri ka ritmin personal.

Të vëndosësh kur të bëhesh seksualisht aktiv është e vështirë. Normal, të gjithë flasin për sex. Shokët, revistat, gazetat, radio, tv dhe familja jote biles. Kjo e bën akoma më të vështirë aktivizimin e parë seksual por dhe pritshmëritë. Të jesh seksualisht aktiv do të thotë të përfshihesh në aktivitete të ndryshme me partnerin, i cili mund të jetë i seksit të kundërt, i seksit të njejtë ose i të dyja sekseve. Seksi është fluid dhe ka kuptim të ndryshëm për njerëz të ndryshëm. Gjëja më e rëndësishme është të kuptosh që seksi ka të bëjë me shkëmbimin e kënaqësisë, në mënyra të ndryshme dhe të rehatshme për të gjitha palët. Mos harro që është normale të ndjesh pak ankth sidomos kur e ke për herë të parë, është normale dhe të mos ketë kohë të saktë apo të gabuar. Merr kohën që të duhet për të vendosur çfarë është e mirë për ty.

Jam gati për sex? Ka shumë arsye për të bërë por dhe për të mos bërë sex. Vetëm ti mund të vendosësh çfarë është e mirë për ty. Mendo se si aktiviteti seksual përshtatet me besimet e tua, me shendëtin dhe dëshirat e tua. Është e rëndësishme që vendimi për të bërë seks të vijë nga ty dhe jo nga partneri ose nga shokët dhe shoqet. Të mendosh që gjatë kohës së gjimnazit të gjithë flasin nëse e ke bërë apo nuk e ke bërë, kjo padyshim që të ushtron presion. Por një partner që vlen do të kuptojë dhe do të presë duke mos të shtyrë të bësh diçka që nuk do ose për të cilën nuk je ende gati. Nuk duhet të ndihesh keq, por të ushtrosh të drejtën tënde për abstinencë. Seksi nuk është mënyra e vetmë për të ndjerë kënaqësi.

Ka disa mite rreth herës së parë, jo të gjitha janë të sakta ama.

Mit: Meqë është hera e parë nuk ngelesh shtatzane dhe nuk merr sëmundje.
Fakt: Mundesh. Nëse aktivizohesh seksualisht duhet të kujdesesh për mbrojtjen që herën e parë. Përdorimi i prezervativit nuk e bën seksin më pak të kënaqshëm.
Mit: Hera e parë është shumë e dhimbshme.
Fakt: Për disa njerëz hera e parë është e dhimbshme, ndërsa për disa të tjerë nuk është. Dhimbja gjatë seksit mund të tregojë mungesë lubrifikimi ose nevojën për të provuar pozicione të tjera, ose nervozizmin e palëve. Nëse hera e parë dhemb shumë atëherë ndalu dhe bisedoje me partnerin në mënyrë që të gjeni një zgjidhje dhe ta ktheni seksin në aktivitet të kënaqshëm. Gjatë herës së parë, disa vajza mund të kenë dhe hemoragji të lehtë, nëse hemoragjia zgjat atëherë është mirë të konsultoheni me mjekun .
Mit: hera e parë është si në filma.
Fakt: TV, kinema, filma, enfatizojnë shumë herën e parë dhe jo vetëm atë, duke na dhënë pritshmëri jo reale mbi herën e parë dhe seksin në përgjithësi. Ështe hera e parë dhe nuk do të jetë perfekte, sepse je shumë i vetëdijshmë për trupin dhe aktin seksual. Kujdesu ama që te jesh gjithmonë rehat.

Mbasi ke vendosur që do të bësh seks, hapi tjetër më i rëndësishëm është komunikimi i cili fillon me aprovimin apo miratimin. Miratimi përfshin një komunikim të qartë dhe aktiv midis palëve për t’u siguruar që të gjithë janë rehat gjatë gjithë hapave të proçesit. Është i rëndësishëm respekti i kufijve të tjetrit. Miratimi për një takim seksual nuk implikon vazhdimësinë e takimeve. Çdo individ mund të ndalë një marrëdhënie seksuale në çdo moment nëse nuk është komod apo rehat. Komunikimi është çelësi.

Mbas seksit të parë do të përjetosh shumë emocione. Mund dhe ta pyesësh veten nëse pala tjetër është kënaqur, ose do mendosh që seksi do të ketë një ndikim në ndjenjat ndaj partnerit në të ardhme. Pamvarësisht se çfarë mendon mos ki frikë dhe flit me partnerin, me një mik, shok, një familjar ose me një psikolog. Një këshillë për vajzat është që të urinojnë direkte mbas marrëdhenies në mënyrë që të evitojnë një infeksion, kjo sepse uretra te femrat është me e shkurtër dhe si rrjedhojë më lehtë për bakteriet të udhëtojne drejt fshikëzës. Mos harro, përdor mbrojtje dhe kënaqu!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat