Studimi: arsyet se përse një çift me diferencë të madhe në moshë nuk është i lumtur

Life style

Studimi: arsyet se përse një çift me diferencë të madhe në moshë nuk është i lumtur

Më: 6 gusht 2017 Në ora: 23:39
Ilustrim

Një studim 13 vjeçar ka dalë në përfundimin se bashkëshortët me diferencë të madhe në moshë kanë më pak gjasa që të kenë një martesë të lumtur.

Duke përdorur punën kërkimore mbi dhjetëra çifte australiane, shkencëtarët zbuluan se çiftet që kanë diferencë të vogël në moshë janë më të sinkronizuar për vendime të rëndësishme, si koha për të pasur fëmijë dhe shpenzimet, që i bën ata që të jenë më të përshtatshëm për njëri – tjetrin për një periudhë më të gjatë.

Ata dolën gjithashtu në përfundimin se burrat dhe gratë që kanë diferencë të vogël në moshë janë më të përgatitur për të përballuar periudha krize sëbashku, siç mund të jenë problemet e papritura ekonomike.

Megjithatë, nga ata që u morën në vëzhgim, rezultoi se meshkujt e martuar me gra më të reja në moshë ishin më të lumtur.

Nga ana tjetër meshkujt e martuar me gra më të mëdha ishin më pak të lumtur me martesën e tyre. Bashkë-autorja e studimit, Dr Terra McKinnish, i konsideroi këto të dhëna si “jo surprizuese”.

Ndërsa sipas ekspertit James Preece, nëse ka shumë diferencë mes palëve, ekziston rreziku që bashkëshortët të duan gjëra të ndryshme në jetë.

“Për shembull, njëri dëshiron të udhëtojë, por tjetri e ka bërë më parë një gjë të tillë. Nga ana tjetër, niveli i maturisë mund të variojë në mënyrë dramatike dhe zënkat rreth xhelozisë dhe parave mund të jenë të zakonshme”, tha Preece për “The Independent”.

Në fund, gjithçka lidhet me një lumturi të ekuilibruar. Sipas ekspertëve lidhjet me diferencë të madhe moshe, mund të funksionojnë nëse të dyja palët janë të gatshme të bëjnë kompromise dhe të mësojnë nga njëri – tjetri.

Ajo që i surprizoi autorët e këtij studimi ishte fakti se gratë që ishin martuar me meshkuj më të mëdhenj në moshë ishin shumë të pakënaqura, në krahasim me ato që kishin bashkëshortë më të rinj.

Studimi tregoi gjithashtu se, si meshkujt ashtu edhe femrat, preferonin një bashkëshort më të ri në moshë.

Pavarësisht kësaj, martesat ku të dyja palët ishin më afër në moshë rezultuan më të suksesshmet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat