Si t’i ushqeni mirë peshqit dhe breshkat

Life style

Si t’i ushqeni mirë peshqit dhe breshkat

Më: 8 shtator 2018 Në ora: 17:01
Ilustrim

Njëri nga gabimet tona më të zakonshme është ushqyerja e tepruar e peshqve apo breshkave tona të akuariumit. Ky është njëri nga shkaqet më të shpeshta të ngordhjes së peshqve dhe braktisjes së breshkave të cilat bëhen tepër të mëdha për t’u mbajtur në akuarium.

Është e pamundur t’u besohet peshqve apo breshkave. Shumica e tyre hanë sa herë t’u hedhësh ushqim, prandaj është mirë që të zbatoni rekomandimet e shitësit tuaj e të mbani një farë rregulli.

Në treg mund të gjeni ushqim për të gjitha llojet e peshqve, ushqimi mund të jetë me kokrriza apo petëza, i akulluar apo edhe i gjallë. Ushqimet ndahen në sipërfaqësore si ushqimet me petëza, të cilat qëndrojnë në sipërfaqe për disa minuta përpara se të bien ngadalë në fund të akuariumit dhe ushqimet e fundit të akuariumit të cilat janë në formë tabletash. Pra, ka ushqim për të gjitha shijet dhe juve nuk ju mbetet gjë tjetër veçse të pyesni shitësin se cili është ushqimi ideal për peshkun tuaj.

Disa peshq janë barngrënës, disa të tjerë hanë gjithçka dhe disa të tjerë janë mishngrënës. Ushqimet që u jepen për të ngrënë mund të jenë ushqimet e gabuara.

Në përgjithësi, këshillohet që peshqit të ushqehen dy herë në ditë dhe jo më shumë. Megjithatë ka edhe mënyra individuale ushqimi, prandaj këshillat e shitësit janë kaq të rëndësishme.

Disa peshq është vërtet shumë e vështirë të kënaqen: për shembull, disa peshq të detit të cilët ushqehen me polipë koralorë ose sfungjerë, por edhe në këtë rast, ky problem mund të evitohet duke zgjedhur peshq që pranojnë të ushqehen edhe me krustace dhe alga.

Breshkat e akuariumit me veshë të kuq, janë shumë tërheqëse për fëmijët për të cilët kujdesi për akuariumin dhe peshqit është shumë i vështirë. Përsa i përket ushqimit, këto breshka janë të pangopura, prandaj ato nuk duhet të ushqehen më shumë se një herë në ditë.

Edhe pse breshkat mund të ushqehen edhe me ushqime peshqish, është mirë që ato të ushqehen me ushqime industriale për breshkat, aq më tepër që ka shumë mundësi zgjedhjeje. Zgjidhni ushqime që kanë në përmbajtjen e tyre 35% proteina e që kanë kalcium dhe Vitaminë A.

Plotësoni ushqimin e tyre me perime (karota, domate, marule), karkaleca, krimba toke, një suplement të veçantë vitaminik për breshkat e ujit dhe një kockë sepjeje që të varet në akuarium.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat