Mbroni fëmijët nga keqpërdorimet

Life style

Mbroni fëmijët nga keqpërdorimet

Më: 14 tetor 2018 Në ora: 19:35
Foto ilustrim

Keqpërdorimi seksual i fëmijëve është cilido qoftë kontakt i seksual midis fëmijës dhe personit të rritur. Mund të jetë edhe në formë të pornografisë së fëmijëve, prekjeve seksuale, masturbimeve, ekspozimit të fëmijëve ndaj përmbajtjeve pornografike, kontaktit vagjinal, oral apo anal, përkatësisht marrëdhënies seksuale.

Asnjë nga këto shenja nuk janë tregues i sigurt që personi është keqpërdorur seksualisht! Sa më shumë që të ketë shenja të këtilla dhe sa më intensive që të jenë ato, janë arsye me e madhe për kujdes. Është veçanërisht me rëndësi të kihet kujdes tek ato shenja të cilat paraqesin ndryshim nga ajo që është e zakonshme për personin e tillë.

Për të mbrojtur fëmijët tanë nga incidente të tilla, është e nevojshme për një kujdes të vazhdueshëm, duke filluar që në kohën që ata janë ende të vegjël…

Me përkufizimin ngacmim seksual, nënkuptojmë çdo lloj ngacmimi (verbal, vizual dhe fizik) që prek dinjitetin seksual të fëmijës apo personit në përgjithësi, që shkakton frikë, turp, dhimbje, neveri. Ky fenomen ndodh shpesh, por rrallë bëhen publike, sepse krijon ndjenjë faji tek viktima,ndaj edhe heshtin…

Njerëzit që kryejnë ngacmime seksuale, kryesisht janë njerëz me personalitet të çrregullt. Shumë herë, ngjarje të tilla ndodhin kur ekziston një marrëdhënie pushteti me fëmijë (të afërmit, mësuesit, trajnerët) dhe e përdorin atë për të përfituar dhe për të siguruar heshtjen e tij.

Cilat janë shenjat që shfaqen tek fëmijët e abuzuar seksualisht?

– Makthe, gjumë me probleme

– Tërheqje apo shmangie e theksuar nga të rriturit

– Fshehtësi e pazakonshme

– Ndryshime në gjendjen e tij shpirtërore dhe personalitet

– Ndryshime në sjelljen e tij

– Frikë e pashpjegueshme për vende ose njerëz të caktuar. Nuk do të mbetet vetëm me një person

– Humbje e oreksit

– Zotërim fjalësh që përdorin të rriturit, për pjesët e trupit që nuk duken

– Ai flet për një mik të ri, më të madh dhe dhurata apo të holla, të pajustifikueshme

– Vetëlëndime (prerje dhe djegie) tek adoleshentët

– Shenja në trup, ndjeshmëri të panevojshme, dhimbje në gojë apo pjesët gjenitale, sëmundje seksualisht të transmetueshme, shtatzëni

– Largim nga shtëpia

Fëmijët, të cilët janë keqtrajtuar ose ngacmuar seksualisht në një moshë të re, mund të përjetojnë probleme serioze në shëndetin mendor dhe në zhvillimin normal të jetës së tyre seksuale, kur të jenë të rritur. Nëse këto pasoja dhe gjurmë të një eksperience tragjike, nuk trajtohen, atëherë ata do t’i vuajnë gjithë jetën.

Vetëvrasja, varësia nga droga, alkoolizmi, anoreksia, bulimia, depresioni, psikozë, varësia nga marrëdhënie të dhunshme, për përfshirje në prostitucion, disfata në punë dhe marrëdhëniet personale janë pasoja normale tek të rriturit që janë abuzuar seksualisht që fëmijë. Psikoterapia është e vlefshme për restaurimin e dëmit psikologjik që kanë pësuar këta individë.

Këshilla për prindër

Që nga momenti që sollët në jetë fëmijën tuaj, e keni pasur pranë vetes, derisa erdhi koha që fëmija juaj të shkojë në shkollë. Për sigurinë e tyre, që në moshën 6 vjeç, fëmijët duhet të mësohen me disa rregulla tepër të rëndësishme, si:

* Gjithmonë të kërkojnë lejen e prindërve për të pranuar dhurata, shpërblime, para në dorë apo për të shkuar në shtëpinë e një shoku. Nëse dikush është i mirë me qëllim, nuk do të ketë asnjë problem për të marrë lejen nga prindërit e fëmijës.

* Asnjëherë të mos marrin ushqim apo ëmbëlsira nga njerëz që nuk i njohin, pa lejen e prindërve.

* Kurrë të mos hyjnë në një makinë që nuk e njohin, edhe kur personi është i sjellshëm, dhe kërkon të ndihmojë për t’i çuar në shtëpi apo në shkollë.

* Për të biseduar me dikë që është në një makinë, nuk është e nevojshme t’i afrohen shumë automjetit, mund të flitet edhe nga larg.

* Askush nuk mund t’u kërkojë të mbajnë diçka sekret, në qoftë se ndodh kjo, duhet të tregojnë patjetër tek prindërit apo mësuesit.

* Askush nuk lejohet që të prekë pjesë të mbuluara nga kostume banje. Trupi është diçka e veçantë dhe personale.

* Gjithmonë mbani një listë me emrat dhe numrat e telefonave të shokëve të fëmijës suaj dhe mbani kontakt me familjet e tyre.

* Mësojini fëmijës suaj adresat dhe numrat e telefonit të shtëpisë suaj dhe tregojini atij se si mund të marrë në telefon policinë, për veprim të menjëhershëm.

* Mos vini kurrë emrin e fëmijës suaj në çantën e tij apo në rroba. Dikush që do ta thërrasë me emrin e tij, do t’i duket njeri i njohur.

* Tregojini fëmijës suaj ç’mund të bëjë nëse humbet në një turmë njerëzish: të mos ju kërkojë, por të shkojë në një dyqan aty pranë, apo pranë një personi të rendit, për t’a informuar atë dhe të presë atje.

* Kur një fëmijë refuzon ose nuk dëshiron të shohë dikë, mundoni të kuptoni përse-në.

* Kur fëmija juaj kërkon t’ju thotë diçka, të jeni gjithmonë të gatshëm ta dëgjoni. Vetëm atëherë do të vijnë për të të treguar nëse diçka ndodh.

* Asnjëherë mos shtyni fëmijën tuaj që të përqafojë të afërm e miq, nëse nuk dëshiron.

Ata duhet të dinë…

1 Mënyra më e mirë për të mbrojtur fëmijët vetveten, është një informim sa më i plotë dhe i saktë lidhur me trupin dhe funksionet e tij, informacione për edukatën seksuale që realizohen me biseda të hapura prindër-fëmijë dhe mësues-fëmijë.

2 Fëmijët duhet të dinë se “trupat dhe mendjet e tyre, i përkasin vetëm atyre, dhe të tjerët duhet ta respektojnë këtë”…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat