Një fëmijë bullist apo një viktimë e bullizimit

Life style

Një fëmijë bullist apo një viktimë e bullizimit

Më: 1 nëntor 2018 Në ora: 22:29
Foto ilustrim

A mund të dallosh nëse një fëmijë është bullist? Sikur të ishte kaq e lehtë! Duke qenë se arsyet apo rrethanat që provokojnë dhe mbajnë sjelljen bulliste janë aq të shumta, është e vështirë të konfirmosh dyshimin nëse një fëmijë është bullist apo viktimë e bullizmit.

Gjithsesi, edhe fakti se tek ne kanë lindur dyshime për praninë e një skeme bullizmi, ky është një ogur i mirë, pasi ne e njohim rëndësinë e sinjaleve që jep fëmija.

Përgjithësisht, fëmijët që tregojnë sjellje bulliste kanë një vlerësim shumë të lartë për veten, ndryshe nga ç’mund të mendojnë disa njerëz.

Mendimi i gabuar vjen pikërisht për shkak të faktit se pjesa më e madhe e bullistëve janë nxënës me pak interes për shkollën dhe me një performancë të ulët mësimore. Këta fëmijë dhe të rinj, gjithashtu presin që gjithë të tjerët të përmbushin kërkesat e tyre dhe për më tepër, t’i kenë frikë.

Këta fëmijë, në përgjithësi nuk mendojnë se sa keq u bën të tjerëve dhuna e ushtruar prej tyre ose edhe në rast se e mendojnë, kjo gjë u jep kënaqësi.

Sidoqoftë, sjelljet bulliste janë tregues të faktit se ata që e ushtrojnë bullizmin nuk dinë të kontrollojnë dhe të menaxhojnë agresivitetin e tyre.

A mund të dallosh nëse një fëmijë është viktimë e bullizmit? Identifikimi i një fëmije-viktimë të bullizmit është më i lehtë, pasi sinjalet janë më lehtësisht të perceptueshme, krahasuar me sinjalet sjellore dhe emocionale që lëshojnë bullistët.

Karakteristika të tilla si pasiviteti, dobësia fizike apo sëmundjet e vazhdueshme, gjendja e vazhdueshme e ankthit apo tërheqja nga pikëpamja sociale, i bën këta fëmijë të jenë një objektiv jo vetëm interesant, por edhe i suksesshëm për bullistin.

Viktimizimi bën që këta fëmijë të humbasin interesin ndaj shkollës (A ju sjell gjë në mendje shpikja e çdo arsyeje të mundshme për të mos shkuar në shkollë?), të fillojnë të mendojnë se janë të paaftë për të krijuar marrdhënie sociale, të shfaqin probleme serioze me ushqyerjen dhe ritmet e gjumit, të shfaqin deri edhe probleme serioze me shëndetin fizik dhe mendor.

Djemtë nuk janë të vetmit që përfshihen në bullizëm, pasi bullizmi nuk është vetëm dhunë fizike, shkruan Living. Përhapja e thashethemeve, izolimi social, dhuna psikologjike janë gjithashtu forma tipike të bullizmit dhe kjo i bën vajzat po aq bulliste dhe viktima sa edhe djemtë.

Vlen gjithashtu të përmendet fakti se disa individë mund të jenë edhe bullistë edhe viktima, kuptohet në mjedise të ndryshme sociale. Çfarë i bën të tillë apo të atillë, kjo mbetet ende objekt kërkimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat