Pasojat që sjell vetmia në trurin e njeriut

Life style

Pasojat që sjell vetmia në trurin e njeriut

Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 18:36
Ilustrim

Minjtë që u tërhoqën nga komuniteti i tyre, dhe u mbajtën në izolim treguan shenja të dëmtimit të trurit. Pas vetëm një muaji, ata kishin qeliza nervore më të vogla në pjesë të caktuara të trurit. Ndërkohë pati edhe ndryshime të tjera të trurit, njoftuan shkencëtarët në takimin vjetor të Shoqatës së Neuroshkencëtarëve në SHBA.

Nuk dihet nëse dëmtime të ngjashme, ndodhin në trurin e njerëzve të izoluar. Nëse është kështu, rezultati ka implikime mbi shëndetin e njerëzve që kalojnë vetëm pjesën më të madhe të kohës së tyre, përfshirë dhjetëra mijëra të burgosur në izolim në Shtetet e Bashkuara, dhe të moshuar në institucionet e kujdesit social.

Rezultatet e reja, së bashku me studimet e tjera të trurit tregojnë qartazi se për qeniet sociale, izolimi është i dëmshëm, thotë neurobiologia Huda Akil e Universitetit të Miçiganit. “S’ka dyshim se kjo e ndryshon arkitekturën bazë të trurit”- shton Akil.

Neurobiologu Riçard Smejn i Universitetit Thomas Xheferson në Filadelfia dhe kolegët e tij, rritën komunitete të gjeneratave të shumëfishta të minjve në kafaze të mëdhenj, të mbushura me lodra, labirintë dhe shkallare të vogla për t’u ngjitur.

Kur disa nga kafshët arritën moshën madhore, ato u morën dhe u vendosën individualisht në një kafaz të vogël të errët, tha Smejn. Ky kalim i menjëhershëm nga një shoqëri komplekse tek izolimi, nxiti ndryshime në tru, të cilat Smejn dhe kolegët e tij i zbuluan më vonë.

Madhësia e përgjithshme e qelizave nervore, ose neuroneve, u zvogëlua me rreth 20% pas 1 muaji izolimi. Kjo tkurrje, ishte përafërsisht e qëndrueshme gjatë 3 muajve, ndërsa minjtë mbetën në izolim. Qelizat nervore (të gjelbra) në tru, kanë grumbuj të vegjël të marrjes së mesazheve, që quhen spina dendriti.

Pas një muaji izolimi social, neuronet e minjve kishin më shumë nga këto spina, tregon një studim i ri. Por, ndërsa izolimi vazhdoi, ato u zhdukën. Për habinë e kërkuesve, pas 1 muaji izolimi, neuronet e minjve kishin një densitet më të lartë të tyre – struktura për të bërë lidhje nervore – në dendritet që pranonin mesazhin.

Një rritje e numrit të spinave, është një ndryshim që zakonisht sinjalizon diçka pozitive. “Është gati sikur truri të përpiqet të shpëtojë veten” tha Smejn. Por pas tre muajsh, dendësia e spinave të dendriteve kishte rënë në nivelet bazë, duke qenë ndoshta një shenjë se truri nuk mund të shpëtojë dot veten, kur përballet me izolimin e vazhdueshëm.

“Është përpjekur të rimëkëmbet, nuk mundet, dhe ne fillojmë t’i shohim këto probleme”- shtoi më tej Smejn. Studiuesit zbuluan gjithashtu sinjale të tjera shqetësuese, duke përfshirë zvogëlimin e një proteine të quajtur BDNF, e cila nxit rritjen e neuroneve. Nivelet e hormonit të stresit, kortizolit, gjithashtu ndryshuan. Krahasuar me minjtë e vendosur në grupe, minjtë e izoluar kishin ndërkohë më shumë ADN të shkatërruar në neuronet e tyre.

Hulumtuesit studiuan neuronet në lëvoren shqisore, një zonë e trurit e përfshirë në marrjen e informacionit, dhe lëvoren motorike, e cila ndihmon lëvizjen e kontrollit. Nuk dihet nëse efektet e ngjashme ndodhin në zona të tjera të trurit, thotë Smejn.

Gjithashtu nuk dihet se si ndryshimet nervore, lidhen me sjelljen e minjve. Tek njerëzit, izolimi afatgjatë mund të çojë në depresion, ankth dhe psikozë. Preket edhe fuqia e trurit. Njerëzit e izoluar, fillojnë të kenë probleme me arsyetimin dhe kujtesën.

Smejn po kryen studime afatgjata, që synojnë të kuptojnë efektet e tkurrjes së neuroneve, mbi aftësitë e të menduarit dhe sjelljen. Ai dhe kolegët e tij, planifikojnë gjithashtu t’i rikthejnë minjtë e izoluar tek grupet e tyre, për të parë nëse ndryshimet e trurit mund të zhbëhen. Këto lloje studimesh prekin një çështje të rëndësishme, thotë Akil. Pyetja është: “Kur diçka është shumë vonë për t’u riparuar?”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat