Janeva: Amnistia e Ivanovit ishte ndryshe

Maqedonia

Janeva: Amnistia e Ivanovit ishte ndryshe

Më: 19 dhjetor 2018 Në ora: 22:09
Katica Janeva

Për prokuroren Katica Janeva, amnistia e 27 Prillit nuk mund të krahasohet me faljen e presidentit Gjorge Ivanov, edhe pse akti i presidentit edhe sot e kësaj dite ka ndikim në proceset e Prokurorisë Speciale. Janeva insistonte që të mos përgjigjet për amnistinë pasi nuk është në kompetencë të sajë, por duke kujtuar faljen e Ivanovit që e pati paralizuar PSP-në për dy muaj, Janeva tha se edhe ky ligj për amnisti sigurisht se do të ndikojë në zhvillimin e gjykimeve.

“Vendimi i Ivanovit u bë me informacione të panjohura, të pavërteta. Vendimi i tij ishte antiligjor pasi u amnistuan edhe gjykatës, prokurorë, dëshmitarë dhe qytetarë të huaj që nuk ishin në asnjë hetim. Ne për dy muaj nuk punuam fare. Sigurisht se ky ligj do të ndikojë, por unë nuk do doja të komentoj diçka që nuk është në kompetencat e mija. Kështu që distancohem”, tha prokurorja Katica Janeva.

Edhe profesoresha Besa Arifi që është edhe anëtare e grupit për reforma në gjyqësor, nuk e arsyeton amnistinë pasi beson se do të lëshohet mundësia e vendosjes së drejtësisë njëherë e përgjithmonë. Por, edhe ajo sikur Janeva, kishte drojë të komentojë ligjin që thotë se është kryekëput politik, dhe se është sjellë vetëm për të siguruar dy të tretën e votave në Parlament.

“Është e qartë se pa një ligj të tillë, nuk ka mundësi për shumicën e dy të tretave të votave në Parlament dhe ky është aspekti politik. Në aspektin e reformave dhe sundimin e së drejtës, kjo pamundëson mbajtjen e përgjegjësisë së atyre që janë të përfshirë në 27 prill, dhe kjo është edhe një mundësi e humbur për vendosjen e drejtësisë. Në aspektin juridik nuk mund të arsyetohet një gjë e tillë, por në aspektin politik sigurisht se ekzistojnë arsye”, Besa Arifi, profesoreshë universitare.

Prokurorja Katica Janeva e quan ish kryeministrin Nikolla Gruevski frikacak të vërtetë i cili fshihej pas patriotizmit të tij dhe gjoja sakrificës për bashkëpunëtorët, ndërsa ishte i pari i cili u arratis nga shteti.Gjatë një ligjërate para studentëve të UEJL së, Janeva tha se ajo nuk ndjehet aspak përgjegjëse për arratisjen e Gruevskit pasi ata e kanë mbajtur në Maqedoni, derisa u soll verdikti, pastaj gjykata dhe policia kishin përgjegjësi për të. Janeva tha se Gruevski asnjëherë nuk kishte treguar shenja psikologjike se ishte i gatshëm për arrati, pasi fryhej dhe thoshte se ai do ta mbajë barrën e të gjithëve, do të shkojë kurban për popullin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat