A po rrezikohet marrëveshja për Maqedoninë e Veriut?

Maqedonia

A po rrezikohet marrëveshja për Maqedoninë e Veriut?

Më: 22 dhjetor 2018 Në ora: 09:42
Nga protestat e mëhershme kundër ndryshimit të emrit të Maqedonisë.

Marrëveshja ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e kontestit të emrit ka hyrë në fazën e fundit të zbatimit, para së gjithash në Maqedoni, pasi vetëm pas realizimit të detyrimeve nga Shkupi zyrtar, kjo marrëveshje duhet të aprovohet edhe në Parlamentin e Greqisë. Por, reagimet e shumta të ditëve të fundit në Athinë kanë ngritur dilemat nëse marrëveshja do të zbatohet nga pala greke.

Partia e Grekëve të Pavarur, një nga partitë me ndikim në Qeverinë e kryeministrit grek, Alexis Tspiras, është kërcënuar se nuk do ta mbështesë ratifikimin e marrëveshjes për shkak të, siç ka thënë kreu i saj, Panos Kammenos, fjalorit nxitës të kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, se gjuha maqedonase dhe identiteti garantohen me marrëveshjen mes dy vendeve, të arritur më 17 qershor në Prespë.

Madje, Kammenos, që është ministër i Mbrojtjes, ka thënë se do të largohet nga Qeveria sapo marrëveshja të jetë miratuar në tërësi nga pala maqedonase për të pamundësuar ratifikimin e saj në Parlamentin e Greqisë.

Njohësit e çështjeve politike reagimet e tilla të zyrtarëve grekë më tepër i ndërlidhin me afrimin e zgjedhjeve në Greqi, se sa me ndonjë ndryshim në politikën e tyre, sa i përket zgjidhjes më se 27-vjeçare të emrit me Maqedoninë.

“Duhet ta dimë një fakt se atje si duket ka filluar fushata parazgjedhore. Tani liderët dhe partitë politike atje, ndërtojnë pozicione në bazë të disponimit të elektoratit të tyre. Fatkeqësisht, atje ekziston një bindje, e cila po interpretohet si vullnet i qytetarëve kundër Marrëveshjes së Prespës".

"Kjo përqindje sikur po i ngacmon udhëheqësit e partive politike, të cilët mendojnë se do të kenë përkrahje të madhe nëse do të kenë qëndrim kundër kësaj marrëveshjeje”, thotë Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë dhe këshilltar i jashtëm i kryeministrit Zaev.

Video nga arkivi: "Bie Aleksandri i Madh"

Ramadani thotë se kjo marrëveshje është arritur falë angazhimit të madh të faktorit ndërkombëtar, SHBA-së, BE-së dhe NATO-s dhe ato, sipas tij, në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë dështimin e marrëveshjes.

“Është një e vërtetë që vlen edhe për këtu, se ky proces, kjo marrëveshje dhe këto procedura janë mirë të kontrolluara nga faktori relevant ndërkombëtar. Kështu që, Greqia sigurisht se do t’u përshtatet ndikimeve që vijnë nga partnerët e saj, qoftë nga BE-ja, NATO-ja apo SHBA-ja”, thekson Ramadani.

Sa i përket Maqedonisë, marrëveshja ka kaluar në fazën e fundit dhe pas hartimit të amendamenteve që janë në përputhje me marrëveshjen për emrin e ri “Maqedonia e Veriut”, ka mbetur edhe votimi në seancën plenare, e paraparë të mbahet më 9 janar 2019. Edhe kësaj radhe, ajo pritet të votohet me dy të tretat e nevojshme në Kuvend dhe këtë numër pritet ta sigurojnë 6 deputetët e përjashtuar nga VMRO DPMNE-jaqë fituan amnistinë për ngjarjet e dhunshme në Kuvend.

Këtë formë të sigurimit të votave, analisti Alajdin Demiri, e vlerëson të turpshme dhe pafuqi të pushtetit për të garantuar proces të ndershëm.

“Kjo është nonsens, është keqpërdorim i pushtetit. Është e vërtetë se kjo bëhet për qëllime sublime, të mëdha siç i quajnë ato, por është keqpërdorim. Kjo është ajo situatë, e cila e tregon gjendjen shpirtërore dhe reale si të politikës, e cila nuk ka kapacitet që një proces ta çojë në mënyrë demokratike, por shumë lehtë hynë në situata të kriminalitetit”, vlerëson Demiri.

Kontesti mes dy vendeve daton që nga viti 1991, kur Maqedonia ka shpallur pavarësinë, ndërsa Greqia ka bllokuar integrimin e saj në NATO dhe BE, me arsyetimin se fqinji i saj mund të ketë pretendime ndaj territorit të saj verior që, po ashtu, quhet Maqedoni. 27 vjet më vonë dy vendet janë pajtuar me një zgjidhje që parasheh që Maqedonia të quhet “Maqedonia e Veriut”, ndërsa maqedonasit e sotëm të mos kenë lidhshmëri me maqedonasit antik, ndërsa gjuha maqedonase të pranohet se i takon grupit të gjuhëve sllave./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat