ShBA përshëndesin miratimin e ndryshimeve kushtetuese

Maqedonia

ShBA përshëndesin miratimin e ndryshimeve kushtetuese

Më: 12 janar 2019 Në ora: 20:26
Departamenti i shtetit

Sekretari shtetëror i SHBA-së, Mike Pompeo përmes një komunikate ka përshëndetur votimin e ndryshimeve kushtetuese të nevojshme për miratimin e Marrëveshjes së Prespës.

“Shtetet e Bashkuara përshëndesin vendimin e Kuvendit të Maqedonisë për të miratuar ndryshimet kushtetuese të nevojshme për ratifikimin e marrëveshjes së Prespës me Greqinë. Udhëheqësit e Maqedonisë demonstruan vizion, kurajë dhe këmbëngulje në rrugëtimin e tyre për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për emrin, e cila do të lejojë që Maqedonia të marrë vendin e duhur në NATO dhe BE, si Republika e Maqedonisë së Veriut. Shtetet e Bashkuara e shohin këtë si një mundësi historike për të avancuar stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin në të gjithë rajonin”, thuhet në njoftimin e nënshkruar nga vet Pompeo.

Ndërkaq Kuvendi i Maqedonisë me shumicë prej dy të tretave, me 81 vota “për” miratoi ndryshimet kushtetuese që dilnin nga marrëveshja e Prespës për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Pas ratifikimit nga Kuvendi i Maqedonisë, ratifikimi shkon edhe në Kuvendin e Greqisë për t’u ratifikuar dhe pas dritës së gjelbërt nga ana e Kuvendit grek, Maqedonisë i hapen dyert për në NATO dhe BE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat