Zyrtarizimi i shqipes nxit reagime në Maqedoni - Bota Sot
Zyrtarizimi i shqipes nxit reagime në Maqedoni

Maqedonia

Zyrtarizimi i shqipes nxit reagime në Maqedoni

Më: 15 janar 2019 Në ora: 12:28
Foto ilustrim

Ligjin për përdorimin e gjuhëve është publikuar në Gazetën Zyrtare, duke i dhënë formën e prerë kësaj zgjidhjeje ligjore të diskutueshme tani një kohë të gjatë, që rregullon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni. Vendimi është publikuar vetëm me nënshkrimin e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.

Shumica parlamentare disa herë kishte kërkuar nga presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, që të dekretojë ligjin, por kjo kërkesë është shpërfillur në vazhdimësi nga kreu i shtetit, pasi ai dhe opozita maqedonase, VMRO-DPMNE kanë thënë se një veprim i tillë paraqet shkelje pasi, Ligjin për shqipen e kanë vlerësuar si “antikushtetues dhe nxitës të tensioneve ndëretnike”.

“Paralajmërojmë drejtorin e Gazetës Zyrtare, Martin Kostovski se shpallja e Ligjit për gjuhët në Gazetën Zyrtare është vepër penale për të cilën shkohet në burg. Përgjegjësinë për botimin e ligjit pa firmën e Ivanovit e bartë ai dhe të gjithë të përfshirët e tjerë. Me këtë akt LSDM-ja sërish ka dhunuar demokracinë dhe ka shkelur rendin kushtetues në të Maqedonisë”, thuhet në reagimin e VMRO-DPNE-së.

Por, nga Qeveria kanë thënë se presidenti është ai që ka bërë shkelje, meqë Kushtetuta e obligonte të dekretojë ligjet pas votimit të dytë në Kuvend.

Edhe njohësit e çështjeve juridike, kanë thënë se vendimi i kreut të Kuvendit dhe i Gazetës Zyrtare është i drejtë, ndërsa fajësojnë kreun e shtetit për shkeljen e Kushtetutës.

“Askush në këtë vend nuk është mbi Kushtetutën dhe ligjet. Në rastin konkret, presidenti i Republikës me mosrespektimin e normës kushtetuese për nënshkrimin e ligjit pas votimit të dytë në Kuvend, ka bërë shkelje të aktit më të lartë juridik në vend. Presidenti në bazë të Kushtetutës një herë ka të drejtë të mos dekretojë ligjet, por nëse i njëjtit ligj votohet sërish në Kuvend, atëherë Kushtetuta e obligon atë të nënshkruajë ligjin”, ka deklaruar Temelko Ristevski, profesor i së drejtës kushtetuese.

Ligji fillimisht ishte miratuar më 11 janar të vitit 2018, por pasi ishte hedhur poshtë nga presidenti i shtetit, Ivanov, Kuvendi e ka miratuar edhe një herë më 14 mars 2018, edhe atë në një atmosferë të tensionuar, të nxitur nga VMRO-DPMNE-ja opozitare, e cila kishte paraqitur mbi 35 mijë amendamente për bllokimin e tij, por që nuk ishin refuzuar nga shumica parlamentare.

Ndërkohë, njoftimi i kreut të Kuvendit për nënshkrimin e ligjit dhe dërgimin e tij në Gazetën Zyrtare ka nxitur sërish reagime të shumta. Përfaqësues të partive shqiptare, njohës të çështjeve politike aktin e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm për pozitën e gjuhës shqipe, ndërsa partitë opozitare dhe personalitete të ndryshme maqedonase kanë dhënë vlerësime negative duke theksuar se botimi i ligjit pa firmën e presidentit paraqet shkelje të Kushtetutës.

Ndryshe, Ligji për gjuhët parasheh përdorimin e plotë të gjuhës shqipe, apo siç thuhet të gjuhës që e flasin më shumë se 20 për qind e popullatës, si në të shkruar ashtu edhe në folur si në Qeveri, Kuvend, organet e pushtetit gjyqësor, administratën publike si dhe ndërmarrje e institucione tjera.

Për dallim nga më parë, tani edhe drejtuesit e seancave, qoftë të Qeverisë apo Kuvendit, nëse janë shqiptarë, ato do të mund t’i udhëheqin në gjuhën e tyre, ndërsa të gjitha aktet botohen edhe në gjuhën shqipe.

Zgjidhja ligjore parasheh që edhe mbishkrimet në nivel qendror të jenë në dy gjuhë. Gjithashtu me këtë ligj parashihet që uniformat e policisë, të zjarrfikësve dhe të punonjësve shëndetësorë të jenë edhe në gjuhën shqipe në Shkup dhe komunat ku mbi 20 për qind e popullatës janë shqiptar.

Në bankënota shqipja nuk do të përdoret, por ato duhet të përmbajnë elemente të historisë dhe kulturës shqiptare.

Zbatimi i ligjit do të nisë një vit pas hyrjes në fuqi, kur të gjitha institucionet duhet të miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e Ligjit për gjuhët.

Gjithashtu, parashihet që në afat prej gjashtë muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit, të gjitha institucionet janë të obliguara t’i zbatojnë obligimet e nenit 7 të ligjit.

Zbatimi i ligjit do të jetë kompetencë e dy institucioneve, të një agjencie dhe inspektorati, që do të merren me mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të miratuara. Për moszbatim të ligjit janë paraparë edhe gjoba për institucionet që sillen prej 4 deri në 5 mijë euro.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...