Ligji për gjuhët, Xhaferi: Kam vepruar sipas kompetencave ligjore

Maqedonia

Ligji për gjuhët, Xhaferi: Kam vepruar sipas kompetencave ligjore

Më: 15 janar 2019 Në ora: 16:29
Talat Xhaferi

Kreu i Kuvendit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi, është i bindur se me publikimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së Prespës në gazetën zyrtare, duke nënshkruar personalisht dekretin, ka vepruar ligjërisht.

“Unë nuk ndjej kurrfarë përgjegjësie për veprimet institucionale në bazë të kompetencave që më janë përshkruar në Kushtetutë dhe në kuadër të Rregullores së Parlamentit. Me bindjen e plotë që jam në të drejtë kam ndërmarrë edhe këtë veprim. I kam dhënë mundësinë edhe kreut të shtetit mbi një vjet, sa i takon ligjit të gjuhës, dhe mbi 6 muaj, sa i takon ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së Prespës që ai të zbatojë obligimet e tij. Meqë ai nuk ka pranuar të zbatojë obligimet e tij, është kompetencë e imja që ta respektoj Kushtetutën”, tha  Xhaferi.

Presidenti Gjorge Ivanov në reagimin e tij thotë se me publikimin e të dy ligjeve është vepruar në mënyrë joligjore dhe ekziston bazë për ndjekje penale.

“Ky është që moment i cili do të tregojë nëse në Republikën e Maqedonisë ekziston Gjykatë Kushtetuese, a funksionon prokuroria, a ka gjyqësor të pavarur dhe a ka sundim të së drejtës. Pyetem, a do ta mbështesin këtë mënyrë të sjelljes së ligjeve përfaqësuesit e lartë të bashkësisë ndërkombëtare të cilët e mbështesin këtë koalicion qeveritar?”, thuhet në reagimin e Ivanov.

Xhaferi ka reaguar ndaj deklarimeve të Ivanov duke i rikujtuar atij se nuk është  kompetent për të ngritur përgjegjësi ndaj ligjvënësit.

“Me sa duket kryetari i shtetit në fund të mandatit është duke i përzier kabllot me kompetencat që i ka. Ai duhet të dijë se nuk është ai kompetent për të ngritur përgjegjësi ndaj ligjvënësit por e kundërta, ligjvënësi dhe deputetët mund të ngrenë procedurë për përgjegjësinë e tij”, tha Xhaferi.

Ligji për gjuhët, në lexim të tretë në Kuvend është miratuar më 14 mars të vitit të kaluar kurse ligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës është miratuar më 5 korrik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat