Ligji për përdorimin e gjuhëve mund të shkojë në Gjykatën Kushtetuese

Maqedonia

Ligji për përdorimin e gjuhëve mund të shkojë në Gjykatën Kushtetuese

Më: 18 janar 2019 Në ora: 11:44
Gjykata Kushtetuese

Opozita maqedonase ka bëtë të ditur se grupi i ekspertëve të OBRM-PDUKM-së ka nisur punën për hartimin e ankesës që do t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për gjuhët, i cili të martën ka dalë në Gazetën Zyrtare pas firmosjes nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

NgaOBRM-PDUKM-ja thonë se ligji është antikushtetues pasi është botuar pa firmën e presidentit Gjorge Ivanov, ndërsa tërësinë e ligjit, gjithashtu e kundërshtojnë, pasi sipas opozitës, Maqedoninë e bënë shtet dygjuhësh, që bie ndesh me aktin më të lartë juridik në vend.

“Do të dorëzojmë një nismë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji, por gjithashtu do të ngremë edhe padi ndaj kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, dhe drejtorit të Gazetës Zyrtare për shkeljen e shkeljet e bëra gjatë publikimit të ligjit”, ka deklaruar Igor Janushev, sekretari i përgjithshëm i OBRM-PDUKM-së.

Sipas opozitës, zyrtarizimi i këtij ligji pa firmën e kreut të shtetit, sikur edhe ai për zbatimin e Marrëveshjes së emrit me Greqinë, “dëshmojnë veprimet e dëmshme të Qeverisë lidhur me identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase”, andaj edhe zgjidhjen opozita e sheh në zgjedhje të parakohshme parlamentare, që sipas OBRM-PDUKM-së duhet të mbahet së bashku me zgjedhjet presidenciale në pranverë.

Nga Lidhja Social-Demorkate në pushtet thonë se “OBRM-PDUKM-ja është kundër bashkëjetesës duke nxitur ndarje të reja në shoqëri”, por nga partia e kryeministrit Zoran Zaev, thonë se do të bëjnë gjithçka për të penguar skenare të tilla.

“Askush nuk mund ta pengojë bashkëjetesën në Maqedoni dhe si qytetar, politikan dhe parti politike nuk guxojmë të lejojmë ndarje të reja, në çfarëdo baze qoftë, e aq më pak në bazë të nacionalizmit. Nixitja e nacionalizmit dhe e gjuhës së urrejtjes në Maqedoni më nuk guxon të ketë, pasi po hapim një faqe të re, integrimin në NATO dhe BE. Duhet të angazhohemi në realizimin e të drejtave të qytetarëve në Maqedoni”, ka deklaruar zëdhënësi i LSDM-së, Kostandin Kostadinov.

Nga Gjykatat Kushtetuese thonë se do ta shqyrtojnë kërkesën e OBRM-PDUKM-së kur të arrijë në këtë institucion, ndërkohë që Osman Kadriu, anëtar i Gjykatës duke dhënë vlerësimin e tij si profesor i së Drejtës Kushtetuese, mbetet në qëndrimin e mëhershëm se kreu i shtetit është ai që ka shkelur Kushtetutën, me mosnënshkrimin pas votimit të dytë në Kuvend.

“Presidenti Ivanov është ai që e ka shkelur Kushtetutën me atë që nuk e firmosi ligjin. Pra, kemi të bëjmë me shkelje flagrante nga ana e presidentit dhe në këtë rast ai ka dy lloje të përgjegjësisë, politike që nënkupton impiçmentin, por edhe përgjegjësinë penale. Dispozita kushtetuese është shumë e qartë. Kushtetutë-dhënësi me nenin 75 parashikon që presidenti është i obliguar që në rrethin e dytë për ta nënshkruar, por këtu nuk është parashikuar se çfarë mund të ndodhë nëse edhe në rrethin e dytë ai refuzon që këtë ta bëjë. Këtë hartuesit e Kushtetutës nuk e kanë paraparë”, thotë Kadriu.

Ai shton se Maqedonia në këtë rast duhet të ndjekë përvojat e shteteve tjera, mjafton edhe të fqinjëve të saj si Kosovës, Shqipërisë e Serbisë ku qartë në kushtetutat e tyre parashihet hyrja në fuqi me automatizëm e ligjeve nëse presidenti nuk i nënshkruan ligjet pas kalimit të dytë në Kuvend.

Ligji për gjuhët avancon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në të gjitha institucionet qendrore, si në Qeveri, Kuvend, Gjyqësor, administratë, e ndërmarrjen tjera shtetërore e publike, si në të folur ashtu edhe në të shkruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat