"Analistët" Me zgjedhje të parakohshme parlamentare, LSDM-BDI do ta konfirmojnë legjitimitetin e tyre politik

Maqedonia

"Analistët" Me zgjedhje të parakohshme parlamentare, LSDM-BDI do ta konfirmojnë legjitimitetin e tyre politik

Më: 22 janar 2019 Në ora: 15:03
Ilustrim

Ekzistojnë qëndrime të kundërta në koalicionin qeverisës për sa i përket zgjedhjeve të parakohëshme parlamentar të mbahen bashkë me ato presidencialet, shkruan Zhurnal.

Nga BDI shprehen decid ku thonë se zgjedhjet e parakohëshme nuk i duhen Maqedonisë sepse do ta dëmtojnë edhe më shumë ekonominë. Nga ana tjetër çështjen e zgjedhjeve të parakohëshme e lë të hapur kryeministri i vendit, Zoran Zaev.

Ai sot tha se debati për zgjedhje të parakohshme parlamentare në parti është akoma i hapur. Me gjasë, shtoi Zaev, të premten do të mbahet kryesia qendrore e partisë e cila pritet të marrë vendimin përfundimtar.

Analisti politik, Sefer Tahiri për Zhurnal thotë se vendimi për shpalljen ose jo të zgjedhjeve të parakohshme, gjithmonë duhet të ketë për bazë prioritare interesin e përgjithshëm, e jo atë të karrierave politike të individëve të caktuar, siç edhe duhet të shmang interesat klanore apo edhe të grupacioneve të tëra politike.

Sipas tij nëse merret parasysh interesi i gjerë shoqëror dhe publik, por edhe si shtetëror, Maqedonisë nuk i duhen zgjedhje të reja parlamentare, por reforma.

“Populli është i ngopur” nga zgjedhjet dhe fushatat zgjedhore, meqë të njejtat do të shpenzonin tërë energjinë institucionale dhe politike, kuptohet në dëm të reformave të cilat i presin me padurim qytetarët, të cilët kanë ngelur në Maqedoni. Nëse merret parasysh aspekti i legjitimitetit, pas Marrëveshjes së Prespës, ndryshimeve kushtetuese dhe Ligjit të amnistisë, pushteti dhe partitë në pushtet duhet ta verifikojnë legjitimitetin e tyre politik- partiak, meqë bëhet fjalë për vendime strategjike dhe sovrani është ai i cili duhet ta thotë fjalën e fundit. Nëse merret parasysh aspekti i interesit partiak, sado që mund të tingëllojë paradoksale", ka theksuar Tahiri duke shtuar se zgjedhjet u konvenojnë më shumë forcave politike, me përjashtim të BDI-së, e cila ka qenë tërësisht konstruktive në procesin e zgjidhjes së emrit, së bashku me partinë BESA të Afrim Gashit. 

"LSDM-ja në zgjedhje të këtilla do ta konfirmonte legjitimitetin e vet politik, madje do të përforconte pozitën e saj në skenën politike dhe në qeveri. VMRO-DPMNE-ja do të rikonfirmonte forcën e saj politike, ndërsa lidershipi aktual do të krijonte kontroll politik mbi grupin e ri parlamentar. Gjithashtu zgjedhjet do t’i konvenonin edhe opozitës shqiptare, e cila pas disa hapave të saj politik rreth ndryshimeve kushtetuese, sado kozmetikë që ishin, ka rritur potencialin e saj politik", ka përfunduar analisti politik, Sefer Tahiri.

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike, Nijazi Muhamedi për Zhurnal thekson se këto janë kalkulime të palëve në pozitë e opozitë për mbetje ose ardhje në pushtet sipas kalendarit të hajdutëve, kurse ekonomia është ajo që hajdutët e të gjitha sojeve i motivon për zgjedhje.

"Ky koalicion bile ekonominë ua la "hajdutëve të bashkuar, konsensual" që ishin dje dhe që janë sot, me një qeveri. Një gjë është e qartë, nuk janë zgjedhjet që mund ta shkrenojnë më keq këtë ekonomi, sa ky koalicion që don ta mbaje shumicën qeveritare me tendera korruptive ndaj partnerëve autsajderë "të pavarur"  që mbështesin këtë shumicë qeveritare", ka deklaruar njohësi i çështjeve politike në vend, Nijazi Muhamedi.

       

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat