Maqedonia e Veriut, Kodheli: Variant i një dekade më parë; Grubi: Shqiptarët, faktor konstruktiv

Maqedonia

Maqedonia e Veriut, Kodheli: Variant i një dekade më parë; Grubi: Shqiptarët, faktor konstruktiv

Më: 23 janar 2019 Në ora: 00:34
Mimi Kodheli

Maqedonia e Veriut ka qenë tema për të cilën është diskutuar në emisionin “Top Show” të kësaj të marte, teksa të ftuarit e Alban Dudushit kanë qenë kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli; deputeti i BDI-së Artan Grubi; eksperti për çështjet e rajonit Adri Nurellari; analisti nga Kosova Nexhmedin Spahiu; kryetari i Komunës së Ulqinit Ilir Capuni; si dhe pedagogu Arian Curri.

Fakti që një republikë pasardhëse e Jugosllavisë mban termin “Maqedoni” në emërtesën kushtetuese të saj nxori në Greqi shumë njerëz në rrugë, me turmat që u krahasuan me ata që dolën nga pakënaqësia për krizën e borxheve.

E pavarësisht protestave, mbetet për t’u parë nëse Tsipras do të mund ta ratifikojë marrëveshjen e Prespës, e cila kaloi vetëm pak javë më parë nga Parlamenti maqedonas.

Mimi Kodheli, ish-ministre e Mbrojtjes e Shqipërisë nën qeverinë “Rama 1”, zbuloi se varianti i emrit “Maqedonia e Veriut” është përmendur kohë më parë.

“Mua më vjen keq, por varianti i emrit të Maqedonisë së Veriut është përmendur një dekadë më parë. Me sa duket është dashur pak kohë për të mundësuar një arritje, një marrëveshje historike, por jo e dekadave të fundit”, tha Mimi Kodheli, tashmë kryetare e Komisionit të Jashtëm.

Ndërkohë, një prej atyre që votuan pro marrëveshjes së Prespës dhe ndryshimeve kushtetuese për emrin e Maqedonisë së Veriut tashmë, ishte edhe Artan Grubi i BDI-së.

“Shqiptarët kanë qenë elementi më konstruktiv në hartimin dhe miratimin e marrëveshjes së Prespës. Një natë para seancës ne kishim 12 deputetë pro marrëveshjes. Në mëngjes kishim rënë në 10 deputetë dhe derisa do të zhvillohej seanca ramë në 7 deputetë. Neve na duheshin 8 deputetë. Ne i bindëm për të gjetur edhe deputetin e 8 për të ratifikuar marrëveshjen e Prespës në Parlamentin e Maqedonisë”, tha Artan Grubi, BDI.

Megjithatë, që marrëveshja të hyjë në fuqi duhet të ratifikohet edhe nga Parlamenti i Greqisë, ku qeveria e Alexis Tsiprasit sapo është votëbesuar, edhe pas largimit të aleatit të “Grekëve të pavarur” dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Panos Kammenos.

“Tsipras i ka numrat për të ratifikuar marrëveshjen e Prespës në Parlamentin grek. Kisha Ortodokse greke ka dalë kundër marrëveshjes dhe kjo nuk është pozitive, duke pasur parasysh lidhjet e kishës me politikën në Greqi. Por, politika do të triumfojë dhe do ta rrëzojë turmën”, tha Arian Curri, pedagog.

Zhvillimet mbi këtë marrëveshje historike, që do t’i hapë rrugën njohjes së Maqedonisë nga Greqia dhe mospengimi i saj drejt integrimit euroatlantik, u pasua nga një vizitë e presidentit rus Vladimir Putin në Serbi, ku u prit nga më shumë mbështetës ndoshta sesa ka edhe në Rusi.

Në Beograd, Putin dha mesazhe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por edhe të tjera çështje rajonale. Përpjekja e Rusisë për të zgjeruar ndikimin, që vjen njëkohësisht me akuzat e shefit të Kremlinit se Ballkani po destabilizohet nga përpjekjet e SHBA-ve dhe Brukselit për ndikim, ishin gjithashtu pjesë e diskutimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat