Osmani në Prishtinë: Pas suksesit të Prespës, të gjithë presim progres në dialogun Kosovë – Serbi

Maqedonia

Osmani në Prishtinë: Pas suksesit të Prespës, të gjithë presim progres në dialogun Kosovë – Serbi

Më: 24 janar 2019 Në ora: 16:30
Osmani në Prishtinë: Pas suksesit të Prespës, të gjithë presim progres në dialogun Kosovë – Serbi

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, sot për vizitë pune qëndron në Republikën e Kosovës në kuadër të së cilit mbajti takim me Zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Kosovës- Enver Hoxhaj.

Dy bashkëbiseduesit potencuan angazhimin e dy vendeve për perspektivën evropiane të rajonit, për të cilin interesi i përbashkët mes dy vendeve është në mënyrë të ndërsjellë t’i mbështesin njëri tjetrin në procesin e integrimit në BE.

“Vizita e sotme në Prishtinë vjen në një moment të rëndësishëm, pasi që implementuam Marrëveshjen e Prespës në Maqedoni, ndërkaq këto ditë, ndoshta edhe sot, presim procedura të përfundojë edhe në Parlamentin e Republikës së Greqisë” – theksoi Osmani, duke potencuar se kjo marrëveshje krahas faktit që paraqet kthesë të rëndësishme për integrimet euro- atlantike të Maqedonisë, është edhe promotor i vlerave evropiane në të gjithë rajonin, shembull për këtë përmes dialogut,kompromisit dhe qasjes pozitive mund të mbyllen çështjet e hapura mes fqinjëve të Ballkanit. “Implementimi përfundimtar i Marrëveshjes së Prespës pres që të ketë ndikim pozitiv edhe në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit,  si një ndër çështjet më të rëndësishme dhe aktualisht njëra ndër çështjet e hapura më të mëdha politike në rajon, nga zgjidhja e të cilit do të ketë dobi gjithë rajoni” – theksoi Osmani.

Gjatë takimit u hapën çështjet për bashkëpunimin bilateral mes Maqedonisë dhe Kosovës, në veçanti për seancën e përbashkët Qeveritare të lajmëruar më herët, për të cilën bashkëbiseduesit së bashku shprehën shpresë se do të realizohet së shpejti, respektivisht pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni, ndërkaq Zëvendëskryeministri shkurtimisht informoi bashkëbiseduesin e tij edhe për fillimin e projektit për ndërtimin e autostradës Shkup- Blacë, me të cilin, së bashku me autostradën nga ana e Kosovës, rruga mes Shkupit dhe Prishtinës nga 2 orët e tanishme do të shkurtohet në 45 minuta.

Në kuadër të vizitës zyrtare njëditore në Kosovë, Zëvendëskryeministri Osmani mbajti takim edhe me Ministren për Integrime Evropiane, Dhurata Hoxha, si dhe me Shefen e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfaqësuese speciale e BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, në kuadër të së cilës u hapën tema për rrjedhën e implementimit të projekteve për bashkëpunim ndërkufitar, si dhe për perspektivat evropiane të të dy vendeve, si dhe i të gjithë Ballkanit Perëndimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat