Vaksinat kundër fruthit drejt shkatërrimit, Ministria nuk komenton arsyen dhe procedurën

Maqedonia

Vaksinat kundër fruthit drejt shkatërrimit, Ministria nuk komenton arsyen dhe procedurën

Më: 25 janar 2019 Në ora: 23:58
Foto ilustrim

Ministria e Shëndetësisë vazhdon të mohojë faktin se vaksinat që u paraqitën në treg me afat të skaduar, kanë qenë në rregull. Ata këmbëngulin se deklarata e vendosur tek të njëjtat ishte gabim shtypi. Ndërsa në pyetjen se përse të njëjtat po shkatërrohen, ata nuk dhanë informacion.

“Ishte shumë e qartë dhe në mënyrë precize u tha nga Ministria e Shëndetësisë se vaksinat nuk janë me afat të skaduar. Për procedurën e shkatërrimit, se për çfarë dhe pse po shkatërrohen do na falni neve mjekëve jam e sigurt që Agjencia për Ilaçe dhe Mjete Medicinale “Malmed”, do të deklarohet për këtë çështje. Do të ishte e papërgjegjshme që ne të flasim për një gjë të tillë”, tha Milena Stevanoviq, Klinika Infektive.

Edhe pse drejtoresha na premtoi se Agjencia për Ilaçe dhe Mjete Medicinale do të na dërgojë njoftim, një gjë e tillë nuk ndodhi edhe pas pyetjes së “Tv21”. Për procedurën e shkatërrimit të vaksinave u kontaktua edhe drejtori i deponisë, “Drislla”, Goran Angellov, vendi ku parashihet të shkatërrohen vaksinat.

Në një bisedë telefonike drejtori i Drisllës, Goran Angellov thotë se vaksinat nuk do të mund të shkatërrohen për arsye se ka defekte dhe nuk punon furra.

Në ndërkohë është rritur bilanci i të prekurve nga fruthi. Tetë raste të reja me simptome të fruthit janë paraqitur në Klinikën Infektive në Shkup. Dy prej tyre janë hospitalizuar ndërsa gjashtë të tjerët janë lëshuar për shërim shtëpiak. Ndërkohë dy fëmijë me fruth janë hospitalizuar në Klinikën e Fëmijëve në Shkup, në repartin hemato – onkologjik ku qëndrojnë të shtruar fëmijë me sëmundje të rënda malinje.

“Apelojmë deri tek prindërit që t’i respektojnë apelet e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë dhe në momentin kur të dyshojnë se janë të prekur nga këto simptome fillimisht dhe detyrimisht të vizitojnë mjekun amë dhe pas orës 19:30, t’i vizitojnë edhe pikat që janë kujdestare në Gjorçe Petrov, Jane Sandanski, dhe Bit Pazar. Pikat kujdestare gjatë vikendit do të punojnë 24 orë”, u shpreh Milena Stevanoviq, Klinika Infektive.

Nga atje informojnë se numri i përgjithshëm i njerëzve që kanë pranuar vaksina që nga fillimi i epidemisë së fruthit është 4.200. Sipas tyre, ky numër është tregues më i mirë se sa seriozisht e kanë marrë qytetarët porosinë e Komisionit për parandalim të sëmundjeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat