Kuvend, vazhdoi intervistimi i antikorrupsionerëve

Maqedonia

Kuvend, vazhdoi intervistimi i antikorrupsionerëve

Më: 4 shkurt 2019 Në ora: 17:44
Dona Dimov- Markovska

 

Si do të vepronin nëse ka njoftim për korrupsion apo përplasje interesash? A munden me fakte të vërtetojnë se nuk do të jenë selektiv në punën e tyre dhe çfarë nënkuptojnë me termin korrupsion? Këto ishin pyetjet më të shpeshta që u parashtruan para kandidatëve për kryetar dhe anëtarë të Komisionit Anti- korrupsion. Dona Dimov- Markovska punon në sektorin joqeveritar dhe ka përvojë me analiza hulumtuese për projektin “Shkupi 2014”.

"Nuk janë të përfshirë vetëm zyrtarë të lartë, nuk janë përfshirë vetëm persona nga sektori privat, por edhe persona që kanë punuar në agjenci shtetërore, në vetëqeverisje lokale, të gjithë ata kanë kontribuuar që të ketë dëmtim të buxhetit të shtetit", tha Dona Dimov- Markovska, kandidate për komisionin Anti- korrupsion.

Kandidati Xhemail Elmazi në intervistën para Komisionit deklaroi se ka fituar përvojë të madhe duke punuar në disa institucione financiare në vend, mes të cilave në Drejtorinë e të Ardhurave Publike, Ministrinë e Financave dhe Drejtorinë për Zhvillim Rajonal. Më tej shton se komisioni i ri Anti- korrupsion duhet të veprojë si organ parandalues dhe të pengojë çdo lloj të korrupsionit.

Për dallim nga kandidatët paraprak që u kandiduan edhe për kryetar edhe për anëtarë të Komisionit, Nikolla Doblev i cili që 13 vite punon si prokuror publik, konkurron vetëm për postin kryesues të Komisionit Kundër korrupsionit. Ai vlerëson se përbërja e re me ritëm të përshpejtuar duhet t’i zgjidh rastet që gjatë kohë qëndrojnë në sirtar.

"Punoj me fakte dhe dëshmi, sepse opinioni është prezent në çdo gjë, çdoherë ka kontroll nga organet më të larta dhe të them, do të ishte çmenduri për mua të futem në këtë çështje që mund të më kushtojë edhe karrierë dhe çdo gjë negative lidhur me këtë", u shpreh Nikolla Doblev, kandidat për Anti- korrupsion.

Nga gjithsej 80 kandidaturat e paraqitura, 22 nuk i plotësojnë kushtet ndërsa një aplikacion është tërhequr para kohe. Deri më tani, në ulësen e “nxehtë” të Kuvendit janë pyetur rreth 20 kandidatë ndërsa plani është që të gjithë të pyeten deri të mërkurën. Më pas, në seancë plenare duhet të zgjidhet kryetari i Komisionit dhe gjashtë anëtarët me mandat prej pesë viteve, që nuk do të kenë të drejtë të riemërimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat