Zgjerohet hetimi për vaksinat kundër fruthit më afat të skaduar

Maqedonia

Zgjerohet hetimi për vaksinat kundër fruthit më afat të skaduar

Më: 5 shkurt 2019 Në ora: 15:00
Foto ilustrim

Ministria e Brendshme ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dokumentacione për hetimin e hapur nga Prokuroria për vaksinat me deklarata me afat të skaduar. Nuk ka informacion ende se çfarë dokumentesh janë kontrolluar nga ana e inspektorëve të MPB-së dhe nëse janë konstatuar lëshime gjatë procedurës së furnizimit me vaksinën kundër fruthit. Nga Prokuroria thonë se deri tek ta nuk ka arritur raport mbi hetimin e MPB-së. Ndërkohë varësisht nga raporti i Prokurorisë pritet të vendoset për gjobat eventuale ndaj mjekëve të Shtëpive të Shëndetit të cilët ua kanë dhënë fëmijëve vaksinën kundër fruthit, derisa ato kanë qenë me deklarata me afat të skaduar.

Kisha bisedime konkrete me të gjithë drejtorët e Shtëpive të Shëndetit dhe për këtë presim të ndërmarrim hapa kur do të përfundojnë proceset në Prokurorinë Publike. Tani për tani, nuk është ndërmarrë asgjë. Një ditë më parë arriti informacioni se janë të nevojshme dokumente nga ministria, nuk do të kisha treguar se cilat dokumente, ata e dinë vetë punën e tyre – tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Ndërkohë ende nuk dihet kur do të bëhet asgjësimi i vaksinave MRP me afat të skaduar. Edhe pse Agjencia e Ilaçeve njoftoi se të njëjtat pritet të digjen këtë të enjte, nga Prokuroria ditë më parë njoftuan se vaksinat do të vazhdojnë të qëndrojnë në hapësirat e “Makedonija Lek”- ut deri në përfundimin e hetimit. Nga ana tjetër çdo ditë rritet numri i të prekurve nga fruthi. Brenda 24 orëve të fundit në Klinikën Infektive në Shkup janë kontrolluar 14 pacientë me simptome të fruthit, ndërsa vetëm njëri prej tyre është i hospitalizuar. Bëhet fjalë për një 39 vjeçare nga Gostivari. Për momentin të shtrirë janë 22 pacientë, gjendja e të cilëve është e qëndrueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat