Maqedonia e Veriut në NATO, sot nënshkruhet protokolli. Greqia e voton të premten

Maqedonia

Maqedonia e Veriut në NATO, sot nënshkruhet protokolli. Greqia e voton të premten

Më: 6 shkurt 2019 Në ora: 10:15
Nikola Dimitrov

Vendet anëtare të NATO-s pritet të nënshkruajnë sot në Bruksel, “protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut” në aleancën perëndimore.

Më pas do të jetë radha e parlamenteve të vendeve anëtare për ta ratifikuar protokollin, ndërsa Maqedonia e Veriut do të marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e NATO-s në cilësinë e vendit të ftuar.

“Me ftesën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ministri i Jashtëm Dimitrov do të marrë pjesë këtë të mërkurë në mbledhjen e Këshillit, me rastin e nënshkrimit të protokollit qasës për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO, që do të mbahet në selinë e NATO-s në Bruksel”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të vendit fqinj.

“Në mbledhjen ku është parashikuar edhe një fjalim i ministrit Dimitrov, 29 vendet anëtare të NATO-s do të nënshkruajnë protokollin qasës për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO”, vijon më tej njoftimi.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Greqisë, Nikos Vucis njoftoi se protokolli do të dorëzohet të enjten dhe do të shqyrtohet nga Komisioni kompetent për Mbrojtjen Kombëtare dhe Punët e Jashtme në Kuvendin e Greqisë, ndërsa të premten do të dalë para deputetëve grekë në seancë plenare, ku edhe do të votohet.

Greqia duket se do të jetë vendi i parë që do ta votojë atë, ndërsa është parashikuar që shqyrtimi në komision dhe seanca plenare të zgjasin nga një ditë. Që të votohet protokolli janë të nevojshme 151 vota, ndërsa pritet që të gjithë deputetët që votuan për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, ta përkrahin anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat