Ahmeti në TVM 2: Marrëveshja e Ohrit dhe ajo e Prespës nuk mund të kontestohen

Maqedonia

Ahmeti në TVM 2: Marrëveshja e Ohrit dhe ajo e Prespës nuk mund të kontestohen

Më: 6 shkurt 2019 Në ora: 11:01
Ali Ahmeti

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti mbrëmë në një intervistë për TVM 2, përballë analistëve Albert Musliu, Emin Azemi dhe Ibrahim Mehmeti theksoi se Marrëveshja e Ohrit dhe ajo e Prespës kanë karakter ndërkombëtarë dhe  janë marrëveshje që hapën rrugën e Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe në BE.

“Që të dyja marrëveshjet kanë karakter ndërkombëtarë me një dallim që pas marrëveshjes së Prespës qëndron OKB dhe obligime ka, marrëveshja duhet të respektohet, sepse është mjaft me detaje dhe deri tash është respektuar në përpikëri nga palët dhe problemi kryesorë është tejkaluar. Ka pasur vështirësi për të ratifikuar në Parlamentin e Maqedonisë dhe nuk ka qenë e lehtë bërja e 2/3 të deputetëve dhe nuk ka qenë e lehtë as në Greqi, sepse ka pasur varg protestash. Këtu duhej parë edhe rolin me opozitën edhe pse kanë mund të bëjnë më shumë telashe por një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe unë mendoj se është pozitive, por ka prononcime të tjera që bëjnë sepse VMRO do kontestojë marrëveshjen, këto marrëveshje ndërkombëtare nuk mund të kontestohen nga asnjë forcë politike, pra janë obligative pavarësisht ndryshimit të qeverive, nuk ndryshohet as ajo e Prespës e as e Ohrit”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, nga marrëveshja e Prespës fitojnë të gjithë, fiton vendi, bëhemi anëtarë e NATO-s dhe fillojmë negociatat për anëtarësim në B.

“Këto zgjidhje që janë bërë qoftë Marrëveshja e Prespës apo Ligji i gjuhëve nuk përfitojnë vetëm palët, por edhe vendi, fiton edhe opozita, sepse janë probleme të cilat kërkojnë zgjidhje, por ka pasur edhe zvarritje sidomos marrëveshja me palën greke për 10 vite. Por edhe për Ligjin për përdorimin e gjuhëve kemi pasur dallime më herët edhe me LSDM-në dhe me VMRO-në dhe ka qenë një hap i cili duhej bërë, por duhej guxim që të përmbyllet kapitulli i fundit, ato dallime për ne nuk ishin përmbajtjesore sepse mënyrat e interpretimit për Marrëveshjen e Ohrit ishin të mëdha dmth. pala maqedonase u barikadua që gjuha shqipe nuk mund të jetë zyrtare në nivel republikan, sepse mund të jetë vetëm në atë lokal e kjo nuk mund të ndodhte sepse në Marrëveshjen e Ohrit përcaktohej saktë”, ka nënvizuar Ahmeti.

Ai ka thënë se shumë herë e ka ngrit çështjen se shqiptarët nuk kanë nevojë për më shumë se dy parti. “Tre parti politike i dobësojnë shqiptarët”, ka thënë ai.

“Jemi përpjekur të mos bëjmë politika emocionale. E kam ngrit këtë temë që me Branko Cërvenkovskin dhe tani ajo hyn në garë për president. Pra, para pesë vitesh pavarësisht që isha në koalicion me Nikolla Gruevskn dhe e kam shtruar si temë dhe i kam thënë të dakordohemi për një figurë që mund të në afrojë. Asokohe i kam propozuar Vllado Popovskin, një njeri që mund të dalë në fushatë edhe te shqiptarët, të flet për padrejtësitë që u janë bërë shqiptarëve etj. Ata  nuk e parapëlqenin atë, kam biseduar edhe me Zoran Zaevin pastaj… Nuk hoqëm dorë nga parimi dhe qëndrojmë në këtë parim. Nuk mund të përkrahim një kandidat që votohet në Kongresin e LSDM-së…Është bërë një analizë e thellë dhe vendosëm që të dalim me kandidat tonin. BDI do e thirr mbledhjen e radhës dhe të dakordohemi për kandidat të pranueshëm”, ka thënë Ahmeti.

Lideri i BDI-së Ahmeti mes tjerave në këtë intervistë ka folur edhe mbi investimet dhe ekonominë e vendit pas mbylljes së Marrëveshjes së Prespës.

“Me plotë të drejtë e ngritni si një çështje shumë me rëndësi, jo vetëm për ne si parti politike. Por, tani pak ka rëndësi a fiton apo nuk fiton partia ime, por me rëndësi është cili do jetë angazhimi që na pret pas mbylljes së këtyre kapitujve të rëndësishëm. Po të dështonte Marrëveshja e Prespës do ishte vetëvrasje, në qoftë se dështonim në menaxhim të Marrëveshjes paqësore të Ohrit do ishte vetëvrasje, sepse ka prodhuar stabilitet, ka prodhuar shpresa që do të mbyllet një ditë i terë procesi dhe ishte e lidhur ngushtë me çështjen e emrit, sepse vet përmbyllja e Marrëveshjes së Ohrit e dërgoi në derë të NATO-s, por nuk e futi në zyra, sepse duhej të zgjidhej çështja e emrit. Kështu që këto zhvillime kanë marrë energji, mos them që edhe me marrëveshjen me Bullgarinë ka marrë energji mjaft, nga ne tash realisht na është dashur si BDI të mbajmë kontakte me palën greke e bullgare. Tash ne duhet të ndërtojmë politika se si të përmirësojmë jetën dhe standardin jetësorë, por jo vetëm në fushën e investimeve dhe ekonomisë, por jemi në luftë kundër krimit dhe korrupsionit me pastërtinë e figurave që kanë drejtuar dhe drejtojnë dhe nëse këto kërkesa janë standard evropian, janë standard që ne duhet t’i vendosim. Nëse jemi të suksesshëm në luftën kundër krimit e korrupsionit nuk ke vështirësi në përparim, sepse investitori kërkon të funksionojë shteti i së drejtës”, ka thënë mes tjerash numri një i BDI-së, Ali Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat