VMRO-DPMNE përshëndet nënshkrimin e protokollit, thonë se Qeveria ka shitur identitetin

Maqedonia

VMRO-DPMNE përshëndet nënshkrimin e protokollit, thonë se Qeveria ka shitur identitetin

Më: 6 shkurt 2019 Në ora: 16:03
VMRO-DPMNE

Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, ka përshëndetur nënshkrimin e protokollit qasës për në NATO. Ata thonë se kjo është ditë e rëndësishme për shtetin dhe se po përfundon një padrejtësi ndaj shtetit për më shumë se dhjetë vite.

Zëdhënësi i kësaj partie Dimçe Arsovski, sot në konferencë për shtyp tha se, hyrja e Maqedonisë në NATO është pritur gjatë dhe është e merituar që nga vitit 2008.

“Maqedonia që nga Samiti i Bukureshtit ka plotësuar kushtet dhe gjitha reformat për anëtarësim të plotë, por për fat të keq atëherë u pengua vetëm nga Greqia, për shkak të problemit të tyre me emrin tonë kushtetues dhe identitetin, të cilat tani u ndërruan në dëm të qytetarëve dhe shtetit, në mënyrë joparimore”, tha Arsovski.

Ai tha se anëtarësimi në NATO është përcaktim strategjik i VMRO-DPMNE-së dhe se procesi për përmbushjen e kushteve është meritë e madhe e Qeverisë së VMRO-DPMNE-së në të kaluarën.

“Zoran Zaev dhe qeveria bënë tregti me identitetin, gjuhën dhe traditën, gjëra që na janë lënë nga gjeneratat e mëparshme dhe të cilat janë themel i karakterit shtetëror dhe kombëtar të Maqedonisë”, deklaroi Arsovski.

Ai përsëriti edhe një herë qëndrimin e partisë së tij, duke ftuar shumicën parlamentare të pranojnë propozimin për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat do të organizoheshin së bashku me ato presidenciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat