Rektori i UNT-së, Aziz Pollozhani e shkel ligjin për deklarim të pasurisë në Komisionin Anti-Korrupsion

Maqedonia

Rektori i UNT-së, Aziz Pollozhani e shkel ligjin për deklarim të pasurisë në Komisionin Anti-Korrupsion

Më: 8 shkurt 2019 Në ora: 13:03
Aziz Pollozhani

 

Numri i zyrtarëve dhe punëtorëve të institucioneve publike  me pozita të larta në Maqedoni të Veriut të cilët po e shkelin ligjin me mos deklarimin e pasurisë është i madh, e në mesin e tyre është e Rektori i Universitetit Nënë Tereza (UNT) Aziz Pollozhani, thanë zyrtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Të tillët sipas ligjit parashihet që të ndëshkohen  me gjoba financiare për shkak se nuk e kanë plotësuar dhe dërguar në këtë komision formularin e deklarimit të pasurisë së tyre, kanë sqaruar zyrtarët e këtij komisioni, e në mesin e tyre është edhe rektori në fjalë.

"Aziz Pollozhani rektor i UNT nuk e ka paraqitur pasurinë e tij në Komisionin për Anti-korrupsion,” tha për Zhurnal Rozeta Trajan,  Sekretare e Përgjithshëm në Komisionin për Anti-korrupsion.

Pollozhani është emëruar në postin e rektorit në UNT në Prill të vitit 2018, deri kur ai ishte si ushtrues-detyre.

Mirëpo sipas Rozeta Trajan, që të gjithë, përfshirë edhe Pollozhani, të cilët e kanë shkelur ligjin e vitit të kaluar pritet që të përballen me gjoba të ligjit të ri  të vitit 2019 të cilat janë më të ulëta sesa që parashihte ligji i mëparshëm në fuqi deri në fund të vitit 2018.

“...Dhe sipas nenit 109 të ligjit me numër 12 të gazetës zyrtare të Maqedonisë të vitit 2019, personi i cili në afat prej 30 ditësh që nga emërimi i tij nuk paraqet pasurinë, parashihet dënim me gjobë prej 300 deri në 500 euro,” tha zonja Trajan.

E ligji i mëparshëm, pra ai në fuqi edhe në vitin 2018, parashihte gjoba prej 2000 deri në 6000 Euro.

Trajan tha se Komisioni Shtetëror për Anti-Korrupsion pritet që “së shpejti të iniciojë procedurat” e ndëshkimit financiar për të gjithë ata zyrtarë dhe të punësuar të institucioneve publike të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë siç parasheh ligji.

Mbetet e paqartë pse personat të cilët e kanë thyer ligjin për deklarim të pasurisë deri në vitin e kaluar do të ndëshkohen me gjobat e parapara sipas ligjit të ri (pra 2019) e jo sipas gjobave të ligjit i cili ishte në fuqi në kohën kur edhe është shkelur ai nga të njëjtit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat