“Sopoti”, 90 euro për çdo ditë burgu

Maqedonia

“Sopoti”, 90 euro për çdo ditë burgu

Më: 8 shkurt 2019 Në ora: 15:14
Foto ilustrim

Qeveria miratoi marrëveshjen për dëmshpërblimin e ish të dënuarve në rastin Sopoti. Pavarësisht pengesave institucionale nga Drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve, organi ekzekutiv i dha pëlqimin marrëveshjes me Avokatin e Shtetit. Përfaqësuesi i këtij institucioni, Fehmi Stafa thotë se marrëveshja për dëmshpërblim, mbi gjitha i referohet gjyqësorit që në të ardhmen të mos sjell vendime si ai për Sopotin.

Unë përfaqësoj shtetin dhe besoj në qëndrimin tim se me vendimin e mbrëmshëm është arritur ruajtja e imazhit për një shtet të drejtë i cili duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, veçanërisht në raste kur në vendime të padrejta gjyqësore dënohen të pafajshmit. Është e drejtë e çdo qytetari që kur të dënohet për padrejtësisht, të dëmshpërblehet, ndërsa shteti të përpiqet që raste të tilla të mos ndodhin dhe të jetë një apel për gjyqësorin që të mbetet i pavarur dhe rastet e tilla të mos përsëriten- deklaroi Fehmi Stafa, Avokat i Shtetit.

Avokati i ish të dënuarve thotë se shuma e ofruar nuk është e mjaftueshme. Sipas Vullnet Paçukut më 21 shkurt marrëveshja bëhet e plotfuqishme.

Është dëm i cili nuk mund të kompensohet me këtë pagesë dhe as më një pagesë më të lartë, po as dyfishi e trefishi. Të gjitha këto vite, 10 vite burg dhe 15 vite procedurë, nuk ka vlerë që mund t’i kompensojë dhe paguhet me para. Do ta njoftojmë gjykatën, që në seancën e radhës, palët kanë rënë dakord që të lidhin një marrëveshje dhe më datën 21 kjo marrëveshje lidhet në gjykatë dhe si marrëveshje gjyqësore do të jetë e plotfuqishme dhe e përmbarueshme për 15 ditë- tha Vullnet Paçuku, Avokat i Sopotasve.

Sopotasit me emocione kanë mirëpritur vendimin unanim të Qeverisë.

Burgu, kur e bëja mend pa bërë asgjë, më i rëndë nuk kishte. Kur e bën fajin pajton, e kë bërë, e paguan. Më i kënaqur jam se doli drejtësia, ndërsa paratë, askush nuk ikën prej tyre dhe jam i kënaqur- tha Sulejman Sulejmani, ish i dënuar .

Dëmshpërblimi për 6 ish të dënuar në rastin Sopoti erdhi pas padisë që këta të fundit i bënë shtetit. Si fillim, për pafajësinë e tyre kërkuan përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë, e cila pas zvarritjes 4 mujore iu përgjigj negativisht kërkesës tyre për marrëveshje dëmshpërblimi. Më pas Drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve vonoi me muaj raportin për çdo të dënuar mbi ditët e vuajtura në burg, paraburgim dhe arrest shtëpiak. Sipas marrëveshjes së miratuar, për dëmshpërblimin e dëmit shpirtëror dhe material për 6 të dënuarit, Qeveria do të paguaj afër 73 milion denarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat